Mobi Casa

Gjykata për UÇK-në votohet pa debat

/ 2 minuta lexim

Janë marrë të gjitha masat që votimi i Gjykatës Speciale të rezultojë i suksesshëm. Thirrja për votë pro ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë. Në Kosovë, liderët partiakë, përjashtuar Vetëvendosjen, u kanë kërkuar deputetëve të tyre të jenë prezentë në Seancë.

Deputetët janë vënë nën presionin e brendshëm e ndërkombëtar për të përmbushur një detyrë të mërkurën paradite: të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale me mandat trajtimin e aktakuzave të mundshme për krimet e luftës që pretendohet se i ka kryer UÇK-ja. Madje atyre do t’u mohohet e drejta për debat, para votimit – shkruan Koha Ditore.

Seanca plenare që do të nisë në orën 10:00, nuk do të zgjasë shumë. Dy pika të rendit të ditës do t’i ketë në agjendë.

E para ka të bëje me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare mbi Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, dhe e dyta me votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e këtij misioni.

Mobi Casa

Të dyja projektligjet përmbajnë dispozita për themelimin e Gjykatës që do të trajtojë aktakuzat e mundshme që dalin nga një hetim i bazuar në raportin e senatorit Dick Marty, në të cilin, midis tjerash, flitet edhe për trafikim organesh të pengjeve të luftës.

Sipas burimit të gazetës, deputetëve, midis të cilëve një numër i madh që kanë qenë pjesë e UÇK-së, nuk do t’u jepet rasti të shprehin pikëpamjet për këtë gjykatë.

/Koha Ditore/