Gjykata Kushtetuese do të urdhërojë ripërsëritjen e seancës konstituive

Gjykata Kushtetuese pritet të vendos këtë javë për ligjshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku Isa Mustafa u zgjodh Kryetar.
Bëhet e ditur se Gjykata do të deklarohet për këtë çështje menjëherë pas dëgjimit të palëve, më 21 dhe 22 gusht.
“Sipas gjitha gjasave, Gjykata do të urdhërojë ripërsëritjen e seancës konstituive. Kështu, procesi kthehet në fillim”, ka thënë ky burim.
Kjo vetëm sa e komplikon situatën dhe prapë mbetet e paqartë se kush ka të drejtë ta propozojë Kryeparlamentarin; PDK si partia fituese apo LDK-AAK-Nisma si grupi më i madh parlamentar.
Ndërkohë, burime pranë partive të Bllokut thonë se deklarimi i Gjykatës do të jetë në favor të tyre.
Një zyrtar i AAK-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese do të vendos që herën e parë e drejta për ta propozuar Kryeparlamentarin t’i jepet PDK-së, si partia e parë në zgjedhje, ndërkaq herën e dytë këtë të drejtë e ka koalicioni LDK-AAK-Nisma.
“Pra, do të ndiqet i njëjti parim sikurse në vendimin e Gjykatës rreth asaj se kush ka të drejtë ta formojë Qeverinë”, ka thënë zyrtari i AAK’së që foli në kushte anonimiteti për Express.