UBT

Gjykata Federale shpëton Leutrimin nga dëbimi në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në prag të festave të fundvitit atij i vjen sihariqi: të qëndrojë në Zvicër! Dëbimi në Kosovë do të ishte dënim i tepruar për rastin e tij, thuhet në vendim

Shqiptari 26 vjeçar Leutrim Mulaj kishte ardhur nga Kosova në Zvicër në vitin 2008, për t`u martuar me Megzonën, tash 25 vjeçe, e cila jetonte prej kohësh këtu. Para tri vitesh çiftit që jeton në St. Gallen, i lind një djalë.

Por që prej fillimit Leutrimi ka probleme me integrimin dhe me respektimin e ligji. Ai ka kryer nje sërë shkeljesh të vogla si tejkalim shpejtësie me automobil, ngasje pa leje, vjedhje të benzinës etj. Njëherë është kapur me një shkop për rrahje, që konsiderohet shkelje e ligjit për armëmbajtje etj. Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka jetuar si rast social.

Kur shkeljet i grumbullohen, Enti Kantonal për migracion ia jep vërejtjen e fundit: nëse nuk përmirësohet, do t`i hiqet leja e qëndrimit C. Por, ai nuk e shfrytëzon shansin dhe vazhdon me të vjetrën. Autoritetet tashmë vendosin: Mulaj duhet të lëshojë Zvicrën.

Leutrimi merr një avokat dhe bën ankesë në Gjykatën Administrative, e cila e refuzon, duke konstatuar te ai një sjellje indiferente ndaj ligjeve të Zvicrës dhe pamundësi përmirësimi.

Uji Dea

Ndërkohë, i riu kosovar bën ankesë edhe në shkallën më të lartë të gjyqësisë zvicerane, në Gjykatën Federale. Dhe, këtu ndodh befasia: në prag të festave të fundvitit atij i vjen sihariqi: Mund të qëndrojë në Zvicër! Sipas gjykatës së përmendur, dëbimi i tij në Kosovë do të ishte dënim jo adekuat, i tepruar, për rastin e Leutrimit.

Gjykata ka shtuar se shkallët më të ulëta të gjyqësisë, që më parë kishin vendosur për dëbimin e tij, “nuk e kishin peshuar mirë situatën jetësore të bashkëshortes së tij. Do të ishte e tepërt të kërkohej nga ajo të kthehej në Kosovë”.

Pasi ka fituar edhe këtë shans, Leutrimi thotë për gazetën “Sonntagsblick” se e pranon që ka gabuar. Sipas tij, në vitet e para të qëndrimit në Zvicër nuk mund të orientohej, kështu që gjobat vetëm sa i grumbulloheshin . “Të gjitha kanë qenë gjoba për parkim të gabuar, për tejkalim shpejtësie”. Ndërkaq, vjedhjen e benzinës ai e arsyeton kështu: “Kishim problem për të hollat që na duheshin për një opracion në zemër, të cilit duhej t`i nënshtrohej nëna në Kosovë”.

Sidoqoftë, Leutrimi tash është i lumtur dhe betohet se shansin e fundit që i është dhënë nuk do ta lëshojë t`i ikë nga dora. “E kam kuptuar se në Zvicër ka rregulla të cilave duhet t`u përmbahem. Nuk do t`i shkel më”, thotë ai duke falënderuar Zvicrën për shansin që i ka dhënë dhe duke treguar se së shpejti mund të nisë një punë.(albinfo)