ARKATANA

Gjykata Federale kundër dënimit të përjetshëm të shqiptarit

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Ajo i kërkon gjykatës kantonale që atij t`i shqiptohet një dënim me gjatësi të kufizuar kohore, në maksimum 20 vjet

Gjykata Federale e Zvicrës ka vendosur kundër palës së dëmtuar në një rast vrasjeje që një shqiptar i ndihmuar nga një zviceran e kishte bërë para katër vitesh në kantonin Vaud.

Të përkujtojmë: në viti 2008 shqiptari sot 30 vjeç dhe zvicerani 5 vjet më i ri, kishin hyrë për të plaçkitur në vilën e një çifti të moshuar në Epalinges të kantonit Vaud. Me ta parë të zotin e shtëpisë që ishte zgjuar, ata e sulmojnë atë me grushte dhe shkelma. Pastaj shkojnë te plaka, e cila, pasi që e keqtrajtojnë, ua jep çelësin e arkës së të hollave.

Të zemëruar me faktin se në arkë gjejnë vetëm 200 franga, dy plaçkitësit i kthehen edhe njëherë plakut duke e goditur atë disa herë në kokë. Kur vien policët, pensionisti tashmë kishte ndërruar jetë nga gjakderdhja në tru.

Uji Dea

Gjykata kantonale e kishte dënuar shqiptarin me burg të përjetshëm për veprën penale vrasje të rëndë dhe grabitje të dhunshme. Por ndërkohë, Gjykata Federale ia kishte kthyer lendën në rigjykim gjykatës në fjalë.

Kjo është hera e dytë që shkalla më e lartë e gjyqësisë së Zvicrës e kundërshton masën ndëshkuese me burg të përjetshëm, të gjykatës kantonale. Herën e parë kjo ka ndodhur në tetorin e vitit 2011, kur ajo kishte konstatuar se Gjykata e Vaudit nuk ka pasur fakte të mjaftueshme për dënim me burg të përjetshëm.

Por gjykata në fjalë sërish kishte shqiptuar dënimin e njëjtë. Për çfarë sërish ka raguar Gjykata Federale dhe e ka hedhur poshtë dënimin.

Kjo e fundit i kërkon gjykatës kantonale që, në përputhje me gjetjet rreth vrasjes dhe në përpjestim me dënimin e bashkëfajtorit, zviceranit (16 vjet burg) të shqiptohet një dënim me gjatësi të kufizuar kohore edhe për shqiptarin. Që do të thotë, masa ndëshkuese për të nuk duhet të jetë më e gjatë se 20 vjet burg.