RCCOLA

Gjykata e liron si të pafajshëm nga aktakuza e dytë Xhavit Hajdarin

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ish drejtori i spitalit të Gjilanit, Xhavit Hajdari i dyshuar për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme dhe përfitimit të kundërligjshëm pasuror është shpallur i pafajshëm nga ana e trupit gjykues që e ka kryesuar Afrim Shala. Në aktakuzën e dytë nuk është vërtetuar se Hajdari ka përfituar për vete.

Xhavit Hajdari është liruar nga aktakuza e dytë e ngritur ndaj tij për shpërdorim të detyrës zyrtare. Kryetari i trupit gjykues Afrim Shala duke shpallur aktgjykimin tha se Hajdari nuk është fajtor sepse nuk janë gjetur prova se ai ka shpërdoruar pozitën zyrtare.

Edhe avokati mbrojtës Abdylaziz Sadiku tha për rajonipress se vendimi i Gjykatës ishte korrekt sepse realisht me asnjë provë nuk është vërtetuar fajësia e klientit tim. “Munguan provat dhe dëshmitë derisa dëshmitarët kanë saktësuar se të gjitha pagesat janë bërë në mënyrë të rregullt financiare” tha Sadiku.

Ndryshe sipas aktakuzës Xhavit Hajdari dyshohej për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme ku ka obliguar pacientët të paguajnë nga 50 euro për operacione.

Hajdari akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se më 11 shkurt 2010 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ose për organizatën e biznesit, duke qenë në pozitën e drejtorit ekzekutiv në spitalin e Gjilanit ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shaban Spahiu , Hajdari ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ si dhe në kundërshtim me statutin e spitalit, duke nxjerrë një vendim që ka obliguar pacientët që për çdo operacion të paguajnë shumën prej 50 eurove, si dhe për hapjen e historisë shumën prej 30 eurove si dhe ka obliguar pacientët që për qëndrimin më shumë se pesë ditë në spital të paguajnë shumën prej 4 eurove.

Mobi Casa

Aktakuza saktësonte se Hajdari me këto veprime ka dëmtuar pacientët e spitalit duke i detyruar ata që të participojnë . Shuma e inkasuar në mënyrë të kundërligjshme arrin vlerën e 11 mijë e 450 eurove.

Hajdari dyshohej për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe për veprën e dytë penale “arkëtimi dhe pagesa e paligjshme”.

Për veprën e dytë Hajdari dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbi shëndetësinë kosovare sepse ka obliguar në participim të detyrueshëm rreth 46 fëmijë dhe të rinj nën moshën 15 vjeçare si dhe 11 qytetarë, pacientë mbi moshën 65 vjeçare në shumat e detyrueshme prej nga 50 euro.

Vet, Xhavit Hajdari në deklaratat e tij në hetuesi dhe prokurori ka thënë se udhëzimi për participim është nxjerrë në përputhje me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe Xhavit Hajdari në një gjykim tjetër në nëntor të vitit 2012 ishte dënuar me 1 vit burg efektiv nga Gjykata Komunale në Gjilan për veprën penale “ryshfeti” dhe për këtë rast pritet të dal para Gjykatës së Apelit në Prishtinë e cila mund t`ia shtojë dënimin ose ta kthejë rastin në rigjykim . /rajonipress/