RCCOLA

Gjumi, misteret e një të tretës së jetës

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Është nata ajo që i jep kuptimin ditës. Dhe falë gjumit që bëjmë natën përvojat e ditës marrin dhe gjejnë një kuptim dhe kanë një logjikë.

Pyetja që dukej se ishte e destinuar për të mbetur pa një përgjigje (përse flemë?) po shndërrohet në fakt në një pus të vërtetë të mbushur me mrekulli për shkencën dhe kjo hap pas hapi ndërsa eksperimentet shkencore nxjerrin në pah rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë për mirëqenien dhe vetë jetën tonë, orët e errësirës së natës.

Në fakt të jetosh pa gjumë është e pamundur dhe kjo jo vetëm në aspektin e lodhjes fizike. Nëse nuk do të ishte gjumi, pra pauza mes ditëve, atëherë nuk do të ekzistonte as reflektimi dhe as ndarja e ngjarjeve nga njëra-tjetra. Ndërsa gjatë gjumit truri ynë përjeton dhe përpunon të gjitha përvojat e ditës. I çmonton, i kategorizon dhe i vendos ato në zona të ndryshme të tij.

Dhe aty qëndrojnë në formën e kujtimeve për rreth një muaj, një vit, apo për gjithë jetën sipas rëndësisë së tyre apo impaktit emotiv që na kanë lënë. Ky lloj spastrimi është ajo ndjesi që në mëngjes e quajmë “çlodhje”, apo “mendje të lehtë”. Pa këtë rregullim që bëhet gjatë natës në trurin tonë do të mbizotëronte rrëmuja dhe ne vetë nuk do të përjetonim kurrë ndjenjën e mirë dhe të këndshme e plot energji që na dhuron në mëngjes një gjumë i mirë natën.

Dhe për më tepër të gjitha përvojat e një dite më parë do të përfundonin në një kosh të madh dhe të paformë me pak mundësi për t’u rikuperuar më pas.

Por mrekullitë e gjumit nuk marrin fund këtu. Sipas profesorit të shkollës mjekësore në Harvard i cili studion gjumin e njeriut përmes vullnetarëve që flenë në klinikën e tij, gjumi është një magji më vete. Robert Stickgold që konsiderohet si një nga pionierët e studimeve në lidhje me funksionimin e gjumit tregon se organizmi ynë i të menduarit, gjatë natës, nuk kufizohet vetëm në rregullimin, pra vendosjen rregull në tërësinë e ngjarjeve që përjetojmë gjatë ditës, por në shumë më tepër. Sipas tij ajo çka truri njeh në mëngjes është shumë më tepër se tërësia e kujtimeve të një nate më parë. Gjatë natës bëhet përpunimi i përvojave dhe në njëfarë mënyre integrimi i përvojave të reja jetësore me ato të vjetra.

Ndërkohë, mund të thuhet se jo vetëm që gjumi shërben për të organizuar dhe klasifikuar përvojat e ditës, por dhe përvojat e ditës shërbejnë për të na dhënë ose jo një gjumë të mirë pra në cilësinë e tij. Kështu për shembull, veprimtari të ndryshme shkaktojnë gjumë të ndryshëm. Kur jemi para një provimi apo një gare sportive edhe lloji i gjumit është i ndryshëm krahasuar me rastin kur jemi të qetë dhe mund të ndodhemi për shembull para një dite pushimi. Gjumi është një nga tri shtyllat kryesore të shëndetit të njeriut së bashku me dietën në radhë të parë dhe ushtrimet fizike në radhë të dytë.

Gjumi jo vetëm që zë një të tretën e jetës sonë, por na bën edhe më inteligjentë. Ndërkaq, na mban edhe në formë dhe na ruan nga sëmundje të ndryshme të zemrës, të cilat në mungesë të tij do të agravoheshin dhe do të ishin më të shpeshta.

Kështu, mungesa e gjumit, ose mosngopja me gjumë e rrit hormonin e grelinës që është i lidhur me oreksin dhe ul atë të leptinës që ka të bëjë me ngopjen. Mungesa e pushimit jo vetëm aktivizon gjithë mekanizmin e stresit, por krijon edhe probleme të vërteta fizike. Lidhja mes gjumit, obezitetit dhe të ushqyerit është shumë më e madhe nga sa mendojmë.

Hidromorava

Ka nga ata që flenë gjatë, nga ata të cilëve u flihet në mënyrë të vazhdueshme dhe nga ata që kanë një marrëdhënie të vështirë dhe shpesh të përvuajtur me gjumin për arsye nga më të ndryshmet. Ekspertët thonë se, nëse një individ fle më pak se 7 orë në ditë, atëherë ai ka një rrezik shumë të madh që të ndikojë për keq në shëndetin e tij. Por kjo nuk vlen për të gjithë, sepse ka njerëz që vetëm me pak orë gjumë, arrijnë që të jenë jo vetëm në shëndet të mirë mendor dhe fizik, por shumë aktivë dhe prodhimtarë edhe në veprimtaritë dhe karrierën e tyre.

Për shumicën nga ne, çdo orë që është para orës pesë të mëngjesit mund të konsiderohet fare mirë si “mesi i natës”, pra një kohë gjatë së cilës duhet fjetur dhe parë ëndrra. E megjithatë ka njerëz që çohen rregullisht, e madje të ngopur me gjumë shumë më herët, të themi në orën katër të mëngjesit.

Dhe këtë nuk e bëjnë sepse kanë krijuar një zakon të kushtëzuar nga ndonjë punë që u është dashur ta kryejnë kaq herët. Jo. Arsyeja është e thjeshtë dhe e qartë. Në këtë orë, ata çohen, sepse janë të ngopur me gjumë, pra kanë marrë atë sasi gjumi që u duhet për të vazhduar të qetë dhe me cilësi veprimtarinë e tyre “zgjuar”. Madje, zgjime të tilla nuk ndodhin vetëm gjatë ditëve të punës, por edhe gjatë fundjavave, apo pushimeve të gjata të vitit. Por ndërkohë që do të mendoni se nëse këta njerëz çohen kaq herët, atëherë duhet që domosdoshmërisht të bien herët edhe në darkë.

Do të befasoheni kur të dëgjoni se kategoria e njerëzve për të cilët po flasim bie në gjumë ekzaktësisht pas mesit të natës, pra gjithsej i takon që të flenë vetëm katër orë. Dhe në vend që në raste të tjera këta njerëz të ishin plot nerva dhe me mungesa të theksuara të përqendrimit, siç u ndodh personave që nuk janë ngopur me gjumë, në të kundërt ata janë brilantë dhe të kthjellët si të kishin fjetur gjatë gjithë ditës. Dhe janë edhe shumë rezultativë në punën që bëjnë. Njerëz të tillë nuk e kanë të nevojshme që ta nxisin veten për të qenë në një formë të tillë. Ata thjesht janë ashtu në mënyrë të natyrshme.

Nga mjekët, ose më mirë nga specialistët njihen me termin “gjumëpakët” dhe për ta janë plotësisht të mjaftueshme katër orë gjumë. Maksimumi pesë në rastet ekstreme. Ata nuk kanë nevojë as për kafeinë, apo për ndonjë produkt tjetër, për të qenë në gjendje “esëll”. Dhe sikur ky “bekim” të mos mjaftonte, ata janë edhe shumë “elegantë” zakonisht. Disa shkencëtarë nga Kalifornia kanë zbuluar së fundi një lidhje gjenetike. Kështu, në shumë raste, nëna dhe vajza kanë të njëjtat zakone përgjumjeje, pra ose janë nga ata të zakonshmit që bien herët dhe çohen vonë, ose bëjnë pjesë në atë “elitë” qeniesh që bien shumë vonë dhe çohen herët, duke qenë në formë shumë të mirë. Në këtë rast, kemi të bëjmë me të njëjtin variacion gjenetik, si te nëna edhe te vajza. Ky lloj gjeni mendohet që është i pranishëm 2 deri në 3 për qind të popullsisë së planetit. Pra është një gjen shumë i rrallë dhe si pasojë edhe i çmuar.

Ata që flenë kaq pak, zakonisht janë edhe shumë të motivuar, energjikë, çka mund të shpjegojë edhe faktin se shpesh njerëz të mëdhenj, të cilët kanë arritur shumë në jetë dhe kanë pasur jetë intensive, kanë qenë persona që kanë bërë pjesë në kategorinë e atyre që flenë shumë pak dhe që zakonisht çohen në orët e para të ditës. Një nga ata ka qenë edhe Margaret Theçer që zakonisht shquhej për rezistencën që kishte ndaj seancave dhe debateve të gjata politike në Parlament dhe në qeveri. Një tjetër njeri me një “dhunti” të tillë ka qenë Leonardo da Vinçi, i cili nuk flinte kurrë më shumë se pesë orë në ditë.

E megjithatë, pjesa më e madhe ndër ne e dinë mirë se të paktën pa shtatë orë gjumë nuk është e mundur që të përballosh një ditë pune me përqendrimin e duhur. Por cili është sekreti i orëve të pakta të gjumit? Ka shumë nga ata që e konsiderojnë gjumin humbje kohe. Në një familje ku një baba ka një mundësi të tillë dhe çohet herët, edhe fëmijët si pasojë përpiqen që të kenë të njëjtën marrëdhënie ndaj gjumit. Ky është një rast kur ky zakon mund të ushtrohet dhe të krijohet, edhe pse gjithmonë është i suksesshëm.

Rastet e suksesshme zakonisht kanë të bëjnë me faktorin gjenetik. Por ndërsa ky fenomen, apo ky tipar është shumë i rrallë dhe “pasuri” e pak personave, njerëzit e zakonshëm, pra shumica, duhet patjetër që të bëjnë shtatë orë gjumë çdo natë. Marrëdhënia me gjumin është gjithnjë personale dhe nuk duhet që të forcojmë veten që të jemi ata që nuk jemi apo të bëjmë ato gjëra që në fakt do të na dëmtonin, edhe pse të tjerët nuk dëmtohen. Në rast të kundërt do të rrezikonim shëndetin.