“Gjuetia” e Thaçit rikthehet në LDK
Analistët politikë, por edhe qytetarët po i shohin me shumë shqetësim dhe dyshim lëvizjet e fundit politike në vend, duke dyshuar që në emër të zgjidhjes së krizës në të cilën është futur dialogu me Serbinë, për shkak të idesë për korrigjimin e kufijve që po e mbron dhe promovon Hashim Thaçi, mund të dalë LDK-ja që në momentin e fundit ta tradhtojë sërish elektoratin duke bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi, i cili të mërkurën mbrëma i shkoi në shtëpi kreut të LDK-së,Isa Mustafa, gjoja për të biseduar për vizitën e delegacionit amerikan.
Isa Mustafa: I kërkova Presidentit të heqë dorë nga korrigjimi i kufijve
“Familjarizimi i gjatë i PDK-së me LDK-në ka krijuar lidhje të fuqishme biznesore mes këtyre dy subjekteve, përkatësisht drejtuesve të LDK-së me Hashim Thaçin,…saqë shumicën e Kryesisë së LDK-së në qendër dhe në nivelet lokale, përfshirë edhe pjesën dërmuese të deputetëve në Kuvend, ‘as dielli nuk i ngrohë’ pa Hashim Thaçin. Aq shumë janë të lidhur e të varur prej Thaçit drejtuesit e LDK-së, saqë i kanë të varura të gjitha prej tij; bizneset, postet politike në borde e agjenci, postet diplomatike dhe në Qeveri të familjarëve të tyre.
Kështu, Hashim Thaçi, për të realizuar projektin e tij për copëtimin e Kosovës, do ta marrë edhe LDK-në e Isa Mustafës e Lutfi Hazirit në krahun e tij, siç ka vepruar njëjtë me kukullën, PSD-në e Shpend Ahmetit. Përtej kësaj, me marrjen e LDK-së nën ‘sqetull’ për dialogun e Brukselit, Hashim Thaçi synon të realizojë edhe planin kryesor politik të PDK-së për ‘pjesëtimin’ e sërishëm të LDK-së përmes veglave të tij brenda këtij subjekti politik”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Analistët politikë, por edhe qytetarët po i shohin me shumë shqetësim dhe dyshim lëvizjet e fundit politike në vend, duke dyshuar që në emër të zgjidhjes së krizës në të cilën është futur dialogu me Serbinë, për shkak të idesë për korrigjimin e kufijve që po e mbron dhe promovon Hashim Thaçi, mund të dalë LDK-ja që në momentin e fundit ta tradhtojë sërish elektoratin duke bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi, i cili të mërkurën mbrëma i shkoi në shtëpi kreut të LDK-së,Isa Mustafa, gjoja për të biseduar për vizitën e delegacionit amerikan.
Edhe analistët politikë, por edhe qytetarët nuk e preferojnë një pozicionim të tillë të LDK-së, sepse, sipas tyre, kjo do të ishte vetëvrasja përfundimtare politike për këtë subjekt, po qe se hyn në pazare me Thaçin, i cili nuk po lë gurë pa rrotulluar për ta jetësuar planin e tij dhe të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, dhe tani po përpiqet ta marrë edhe LDK-në në krahun e tij, siç ka vepruar njëjtë me kukullën, PSD-në e Shpend Ahmetit. Në deklarimet e tyre publike, zyrtarët e LDK-së kanë përjashtuar një mundësi të tillë, por praktikat e deritashme tregojnë se ata dinë që t’i nënshtrohen presionit dhe t’i ndryshojnë qëndrimet, prandaj nuk përjashtohet rreziku që edhe LDK-ja të pranojnë të bëhet vegël e Hashim Thaçit dhe Qeverisë, siç bëri Shpend “Jahti” me PSD-në e tij.
Nga ana tjetër, analistët vlerësojnë se PSD-ja e Shpend Ahmetit nuk është asgjë më shumë se vegël e Qeverisë dhe po bën pazare kriminale e shkatërruese me votat e fituara nga VV-ja, prandaj kjo flet se kjo parti është tërësisht e inkriminuar dhe pa asnjë perspektivë në zgjedhjet e radhës që po vijnë!
Mustafa: I kërkova Presidentit të heqë dorë nga korrigjimi i kufijve
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka shkruar dje rreth takimit që ka pasur mbrëmë me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, duke bërë të ditur se i ka kërkuar presidentit të heqë dorë nga diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu.“Mbrëmë e takova Presidentin Thaçi në shtëpinë time. Kërkoi të më informoj, si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat, por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së. Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin.
Kërkova nga Presidenti që të heqë dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu. Se LDK-ja nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo çon në rihapje të shtetësisë. Po ashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjejë zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-në, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin.
Kam vërejtur se ka pasur spekulime si dhe akuza për këtë takim; disa budallenj e kanë cilësuar edhe si tradhti. Të tillët janë injorantë e zjarrvënës. Kur është në pyetje interesi i shtetit dhe partneriteti me SHBA-në do të bisedoj dhe do të takohem me të gjithë, sepse i besoj programit dhe frymës së LDK-së. LDK-ja nuk është parti diskomunikuese, nuk frikësohemi nga takimet, sepse u qëndrojmë besnikë zotimeve tona politike. Ditët e kaluara kam komunikuar edhe me Kryeministrin Haradinaj dhe me zv.kryeministrin Limaj. Më herët edhe me z. Kurti. Të gjithë ne kemi përgjegjësi për këtë vend, si pozitë dhe si opozitë”, ka theksuar Mustafa.
VV-ja i beson LDK-së
Deputetja Besa Gaxherri nga LDK-ja tha për “Kosova Sot” se qëndrimi i këtij subjekti politik është i pandryshuar sa i takon vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, për të cilën LDK-ja është kategorike se nuk duhet të vijë në shprehje negocimi dhe ndryshimi i kufijve ekzistues.“Nëse kërkohet legjitimitet veprimi, atëherë sipas vendimit të marrë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së mund të formohet një Qeveri gjithëpërfshirëse me të gjitha subjektet politike parlamentare dhe të përmbyllet edhe ky proces”, u shpreh ajo.
Gaxherri tha se LDK-ja nuk futet në një kombinim të tillë nëse ndonjë nga partitë politike parlamentare të shumicës shqiptare mbetet jashtë Qeverisë së përkohshme gjithëpërfshirëse deri në vjeshtën e këtij viti, kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e reja.“Do të thotë kjo është një ofertë dhe tjetër ofertë nuk ka nga LDK-ja, por nëse kjo nuk pranohet zgjidhja e vetme mbetet kërkesa për zgjedhje të reja, të cilat i kemi kërkuar dhe i kërkojmë vazhdimisht”, potencoi deputetja Besa Gaxherri.
Nga ana tjetër, në lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’ besojnë akoma se partneriteti opozitar i ndërtuar mes LDK-së dhe VV-së nuk do të prishet. Kështu mendon deputetja Fatmire Mulhaxha- Kollçaku.“Në këtë rast, nisur nga e kaluara kanë ndodhur raste që kanë bërë koalicion me PDK-në, mirëpo në këtë rast nuk isha ngutur që ta ngrejë dyshimin prej një takimi të cilin e ka kërkuar ta bëjë presidenti, e të cilin z. Mustafa e ka pranuar në cilësinë e një nikoqiri korrekt.
Nuk do të ishim nxituar të nxjerrim ndonjë përfundim prej kësaj, por mendoj që në këto momente çdo lider duhet të jetë i përgjegjshëm dhe nivel të detyrës e të mendoj çka është më e mira për Kosovën. Në këtë drejtim mendoj që deri më tani edhe LDK-ja ka qenë një opozitë e fortë dhe nuk e kisha vlerësuar që është momenti i duhur për ta ndërruar kursin në këtë moment, por mendoj se vetëm zgjedhjet janë zgjidhje, kurse çfarëdo zgjidhje tjetër është vetëm improvizim”, theksoi Kollçaku.
Salihaj: Formula e vetme, pa PDK-në
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës me asnjë kusht dhe për asnjë arsye nuk duhet të bëhet pjesë e këtij koalicioni qeverisës dhe as pjesë e të të ashtuquajturit Ekipit negociator, nëse së bashku me VV-në nuk arrijnë ta marrin timonin për të drejtuar me transparencë këtë proces. “Por, nëse do të kishte vullnet edhe ‘Vetëvendosja’, atëherë LDK dhe VV do të mund të ta drejtonin Qeverinë, Kuvendin dhe bisedimet me Serbinë, por duke qenë aty edhe të gjitha partitë e tjera politike.
Në një situatë të tillë unë pajtohem me këtë formulë. Por, në asnjë situatë tjetër jo. Bile, në Ekip të bisedimeve, por edhe në Qeveri do të mund të përfshihej edhe një serb nga PLS-ja, meqë edhe kjo parti është kundër ndarjes së Kosovës. Në të gjitha situata të tjera, mendoj se LDK-ja duhet të rrijë sa më larg Qeverisë dhe këtij farë ekipi të bisedimeve. LDK-ja në asnjë situatë nuk duhet të luajë ndonjë rol të ngjashëm me PSD-në, e cila po ia mundëson Hashim Thaçit realizimin e planit serb për copëtimin e Kosovës”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.
Qarri: Hashim Thaçi është përçarësi më i paskrupullt i të gjitha kohëve
“Kryekuislingu i vendit dhe tradhtari më i madh i të gjitha kohëve, Hashim Thaçi, po përjeton momentet më të rënda dhe pasigurinë më të madhe, të cilat e kanë vënë atë me shpatulla për muri dhe panikun më të thellë të deritanishëm, qysh kur ka ardhur në pushtet, ndaj dhe po përpiqet në çdo mënyrë, që për ta realizuar projektin e tradhtisë së tij më të madhe, për copëtimin e Kosovës, ta marrë me çdo kusht edhe LDK-në në krahun e vet.
Duke pasur parasysh faktin se Hashim Thaçi është përçarësi më i paskrupullt i të gjitha kohëve dhe nuk ka qenë kurrë figurë unifikuese në vend, pikësëpari do të duhej që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta shkarkonin në mënyrë të menjëhershme nga pozita e presidentit dhe të merrnin urgjentisht të gjitha kompetencat sa u takon bisedimeve me Serbinë.
LDK-ja, e cila u mashtrua në mënyrën më të pandershme, jo vetëm herën e fundit nga vetë Hashim Thaçi,nuk duhet të lejojë më në asnjë mënyrë që pikërisht ajo,të bëhet precedent i radhës dhe me vetëdije të vihet sërish në shërbim të Thaçit, si satelit i tij, për ndarjen e Kosovës, në vend se të pozicionohet sa më fuqishëm në mbrojtje të shtetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës,për të mos rrëshqitur edhe ajo vetë në tradhti.
Ndaj, po qe se LDK-ja do ta irritojë përsëri elektoratin e vet, duke u vendosur sërish në shërbim të kuislingut Hashim Thaçi, i cili të mërkurën mbrëma i shkoi ne shtëpi kreut te LDK-së, Isa Mustafa, gjoja për të biseduar lidhur me vizitën e delegacionit amerikan, të cilin Mustafa e takoi edhe vetë, të enjten, kësaj radhe LDK-ja do të bëjë vetëvrasje përfundimtare politike, nga e cila vështirë se mund të rehabilitohet më”, tha Qarri për “Kosova Sot”.
Haradinaj mund të rrëzohet
Analisti Muhamet Kelmendi megjithatë shpreh dyshimin e vet se edhe këtë herë mund të dalë LDK-ja si mbështetëse e planeve të Hashim Thaçit, për t’i bërë një shërbim të keq Kosovës, sepse praktika e ka dëshmuar këtë edhe në të kaluarën e afërt. “Në skenën politike të Kosovës çdo herë kanë qenë shkaktarë të të këqijave PDK-ja dhe LDK-ja, ku edhe këtu do të ishte dhe do të mbeten bashkëpërgjegjës për dëmet. Tash përsëri po duket se mund të vazhdojë avazi i vjetër, ai i lidhjes midis Thaçit dhe Mustafës, në mënyrë që të krijohet një Qeveri teknike, pa Ramush Haradinajn, në mënyrë që të ecet në rrugën e dëmtimit të shtetit. Vizita e Thaçit te Mustafa këtë qëllim e kishte.
Pra, bashkimin për Qeveri, për të bërë marrëveshje me shtetin kriminal serb. LDK-ja dhe PDK-ja edhe në të kaluarën kanë dalë kundër elektoratit të vet”, shpjegon ai.“Mendoj se këtu, nëse realizohet Qeveria teknike PDK dhe LDK, përsëri PSD-ja do të shkojë pas tyre, vetëm e vetëm që mos të shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet për partinë e Shpend Ahmetit janë fatale. Ata do të fshihen nga skena politike”, tha Muhamet Kelmendi. Ndërsa publicisti Ramiz Bojaj thekson se nëse LDK-ja i ribashkohet PDK-së, në procesin final të ndarjes së Kosovës, ky është rreziku më real dhe më fatkeq për shtetin tonë, realizim final i planit serbo-rus të presidenteve Thaçi-Rama-Vuçiq.
“LDK-ja u tregua bashkëfajtore në shumë procese shkatërrimtare për shtetndërtimin e Kosovës, duke përfshirë edhe rastin e Kullës dhe Çakorrit, por edhe në aktin e marrëveshjes antikushtetuese për ASK-në, qe doli të jetë ‘Republika srpska’ brenda Kosovës. LDK-ja, e cila ‘betohet’ në kokën e liderit historik dr. Ibrahim Rugovës, për shtetndërtimin e Kosovës, nuk duhet të hyjë në pazarin e madh të shtetshkatërrimit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka shijuar ‘ortakërinë’ me PDK-në, bashkëpunimin dhe ‘divorcin’ me këtë parti, duke u ndrydhur e shtrydhur në momente delikate, për t’u hedhur pastaj si e fyer dhe e poshtëruar. Hashim Thaçi ka mundur ta takojë kur të dojë Isa Mustafën, jo të bëjë vizita në panik, që shtojnë shumë dyshime për joshje të mëdha për t’iu bashkuar pazarit të madh”, vlerësoi ai.
Image
Zeqa: Familjarizimi i gjatë i PDK-së me LDK-në ka krijuar lidhje të fuqishme biznesore
Sipas analistit Florim Zeqa, shkuarja të mërkurën mbrëma e presidentit Thaçi në shtëpinë e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, duhet shikuar në dy rrafshe.
“E para, ka të bëjë me dialogun e Brukselit, ku Hashim Thaçit i mungon mbështetja për ratifikimin e cilësdo marrëveshje të mundshme në Parlament. E dyta, ka të bëjë me rikonfigurimin e ri të skenës politike për shkarkimin e kryeministrit të ‘rebeluar’ Ramush Haradinaj, i cili i është bërë pengesë kryesore e Hashim Thaçit në çuarjen tutje të planit serb për ndarjen e Kosovës. Mbase është e vështirë të flitet në mënyrë hipotetike, se a do ta tradhtojë sërish LDK-ja elektoratin e saj, por bazuar në raportet e shkëlqyera dhe miqësore të binomit Thaçi-Mustafa dhe jo vetëm, gjasat janë reale që LDK-ja ta tradhtojë përsëri elektoratin e saj, që ta mbështesë presidentin Thaçi në aventurat e tij politike në dëm të Kosovës”, u shpreh ai.
Badallaj: Hashim Thaçi në konakun e Isa Mustafa ka shkuar me hile
Ndërsa analisti Reshat Badallaj thotë se dredharaku Hashim Thaçi në konakun e Isa Mustafa, ka shkuar me hile për t´ia zënë bishtin me derë Ramush Gjoko Haradinajt, rebelit që nuk po i bindet këtij despoti. “Këtu lidhen dy interesa.
E para, Ramush Haradinaj me çdo kusht mundohet të mbajë gjallë bandën e tij, Qeverinë hajdute që e sakatoi buxhetin e shtetit dhe e dyta, Hashim Thaçi ka shkuar atje te banda më tradhtare në tërë rruzullin tokësor me ujë e me tokë, qe quhet LDK për ta futur në lojë dhe të shkapërderdhë Qeverinë e Ramushit dhe kinse për t´i hapur rrugë vendit”, u shpreh ai. “Dhe, sa të bëjnë martesën këto dy banda, atëherë do të vdesin banda e prorusit Pacolli dhe ajo banda e Shpend Jahtit,sepse nuk iu nevojitet më argati i tyre”, theksoi Badallaj.
Qytetarët apelojnë LDK-në
Edhe qytetarët e anketuar e vlerësojnë të dëmshëm ndërrimin e kursit të tanishëm që ka zgjedhur LDK-ja. Kështu tha për “Kosova Sot” qytetari Avdullah Tërnava. “Unë besoj që do ta bënte nga gabim të madh nëse LDK-ja tani ndërron qëndrim dhe i bashkohet agjendës së Thaçit, edhe pse deri më tash ka bërë disa gabime, por tash për tash kisha thënë që është koha e fundit që të mos i përulet Thaçit as LDK-ja dhe as VV-ja, që nuk duhet t’i bashkëngjiten këtij procesi të bisedimeve të filluara nga Hashim Thaçi”, u shpreh ai. Këtë qëndrim ka edhe qytetari Hysen Pireva.
“Nëse ndodh ky gabim dhe LDK-ja i bashkëngjitet këtij projekti dhe kësaj platforme për të cilën po angazhohet Hashim Thaçi, kjo do të jetë një tradhti e madhe ndaj elektoratit dhe gjithsesi në dëm të LDK-së. Dihet mirëfilli që edhe në të kaluarën përvoja e LDK-së në koalicion me PDK-në nuk ka qenë e mirë, prandaj ata duhet të kenë marrë mësim dhe të mos mashtrohen përsëri, sepse është treguar nga e kaluara gjithmonë që PDK-ja është parti mashtruese dhe nuk u zihet besë. Unë mendoj që e mira e së mirës është që përfundimisht LDK-ja të mbetet në opozitë edhe në këtë proces”, theksoi Pireva për “Kosova Sot”.
Sipas tij, LDK-ja mund të ketë presion edhe nga ndërkombëtarët, ngjashëm sikur që ka pasur për kufirin me Malin e Zi, por do të ishte gabim i pafalshëm nëse falë këtij presioni ndryshohet kursi dhe mashtrohen nga Thaçi.
(Kosova Sot)


