Fundamenti

Gjithçka për “vëllaun” Erdogan

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arbana Xharra – Tre vjet më parë, Rexhep Taip Erdogan kur u takua me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti vëlla. Bile, kryeministri i Kosovës shkoi për të falur drekën në xhamin e Prishtinës, bashkë me “vëllain” e tij, edhe pse zor që di Thaçi ndonjë lutje, ai ngriti duart dhe bënte sikur falej.

Nuk kaloi shumë dhe kompania që udhëhiqet nga dhëndri i kryeministrit turk, Berat Albayrak “Calik Holding”, e cila është në konzorcium me “Limak Holding u shpall fituese e tenderit për blerjen e distribucionit të KEK-ut,”. Pra, vëllezëria turke e cila kohë më parë mori në dorë Aeroportin e Prishtinës për 20 vjetët e ardhshme, tani iu dha distribucioni për vetëm 26 milionë euro.

Pushtetarët tanë e bënë pronar të Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike familiarin e kryeministrit të Turqisë, goxha një relacion i afërt, ky mes dy qeverive. Erdogani nuk hezitoi ndërkohë të japë deklarata të mëdha kundër Serbisë dhe pro “vëllezërve” të tij.

Turqia tashmë mori në dorë dy asete strategjike, dhe jo vetëm kaq, atyre iu mundësua që të kenë shtrirje me monopol në treg. Zyrtarët e qeverisë të caktuar të përfundojnë këtë proces me në krye shefin, e kanë mbajtur nën kontroll të plotë, pa transparencë gjithë procesin edhe përkundër reagimeve të ashpra, ata ecën tutje duke realizuar kështu planet e tyre.

Kanë mbetur edhe pak javë dhe Distribucioni i dorëzohet konzorciumit turk, dhe ende kosovarët, punëtorët e KEK-ut dhe shumë të tjerë nuk janë njoftuar në detaje se çka do të marrë në duar kjo kompani, për vetën 26 milionë euro.

Protestat kundër hajnisë janë duke vazhduar çdo javë, ato nisën me faturat e fryera të KEK-ut, duke kërkuar shkarkimin e menaxherëve të saj përballë objektit kryesor në Prishtinë, atë të “Elektrokosovës”. Qeveria reagoi atëherë kur protestat nisën të drejtohen nga zyrat e tyre, kur Sheshi u mbush përplot, dhe ku pjesëmarrës të saj ishin komuniteti jo me pak ndikim.

Mobi Casa

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, bashkë me shefat e tij në krye, iu konvenonte të shihnin protestues me pankarta në duar kundër menaxhmentit të KEK-ut, sepse ky ishte edhe qëllimi i tyre, të largonin vëmendjen nga shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje. Janë po këta zyrtarë qeveritarë të cilët pa fije tranparence dhanë distribucionin e KEK-ut, dhe ku sot e asaj dite, jo vetëm punëtorët e saj por edhe qytetarët aset i të cilëve është kjo ndërmarrje, shoqëria civile dhe partitë opozitare nuk janë në dijeni se krejt çfarë i është dhënë kompanisë turke nga kjo shtije.

Në secilin debat rreth çmimit degradues të këtij privatizimi, përfaqësuesit e qeverisë u ikin pikave kyç, ku ata janë pjesë të këtij procesi. Sepse jo vetëm objekti kryesor i “Elektrokosovës” në Prishtinë, do t’iu jepej turqve, por gjithsej shtatë objekte të tilla gati në secilën qendër të Kosovës. Vetëm objekti në Prishtinë, ka mbi 10 mijë metra katrorë, dhe 34 arë tokë, e sa e sa kanë objektet tjera nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Limak, në kuadër të këtyre objekteve do të marrë edhe 19 objekte të tjera si nëndistrikte, depo në Zonën Industriale në Prishtinë, me mbi 4 hektarë e mijëra trafo dhe 1000 automjete të distribucionit. Qeveria e Kosovës dalëngadalë është duke i dhënë në duar fuqinë ekonomike kompanive turke. Dhe normalisht që më këtë fuqi, ata marrin edhe guximin që të kërkojnë ndërrimin e historisë nëpër libra shkollorë. Sepse vetëm një relacion i ngushtë, interes financiar, i cili ua mbushë gushën zyrtarëve tashmë të dëshmuar, se janë deri në fyt të korruptuar, nuk e kanë problem ta ndryshijnë as historinë, apo ta kthejnë pushtimin osman, si bashkëjetësë paqësorë dhe e lumtur.

Kur janë në gjendje të shesin pa mëshirë asetet e qytetarëve të këtij vendi, ata të zhveshur nga çdo ndjesi, disa miliona i mishërojnë lehtë me vëllezërit turq. E Turqia nga ana tjetër me taktika shumë të mira është duke e shtrirë fuqinë e saj në Kosovë, përmes strategjive të cilat do të kenë ndikim të fuqishëm në përditshëmrinë tonë. Fillimisht duke e ditur terrenin e përshtatshëm, situatën e ndjeshme politike, dhe stagnimin në masë të madhe ekonomik, ata kanë zgjedhur format më efikase të shtrirjes së tyre në Kosovë.

I kanë lojtarët e tyre, të cilët janë në gjendje jo vetëm të bëhen sikur po falen në xhami, por edhe të bien në dy gjunjtë përpara Erdoganit, për interesin e tyre financiar, sepse me gjermanët e austriakët nuk mund t’i futen këtyre lojërave. E qytetarëve të Kosovës, të cilët mbajën së paku shpresë se mund të gjejnë ndonjë vend në Distibucionin e KEK-ut apo në Aeroport, u sygjeroj qysh tani të nisin ta mësojnë turqishten!