RCCOLA

Gjithçka gati për balotazh

/ 4 minuta lexim

Pas një jave të fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, subjektet politike dhe kandidatët e tyre për kryetar komunash, sot janë në heshtje zgjedhore. Ndërkohë, të gjitha organet dhe instancat përgjegjëse janë shprehur të gatshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhje tashmë ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë në 25 komuna. Votime do të ketë edhe në Zveçan, ku do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime.

Presidentja Atifete Jahjaga tha sot se gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit institucionet e drejtësisë u treguan efikase dhe të mobilizuara për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Këto komente, presidentja i bëri në Konferencën e Tretë Vjetore të Gjyqësorit të Kosovës.

Jahjaga tha se pjesa tjetër e testit ka mbetur që të dëshmohet në votimet e balotazhit më 1 dhjetor.

Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se plani operacional parasheh krijimin e kushteve normale të sigurisë gjatë gjithë procesit.

“Prioritetet e këtij operacioni policor janë: Nën një, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në vend para gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve të balotazhit, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunalë të zgjedhjeve, i depove komunale, Qendrës së Numërimit dhe depos qendrore”.

“Nën dy, përcjelljen e sigurt dhe sigurimin e gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit dhe nën tre, të ndërmerren masat e nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme destruktive dhe kundërligjore ndaj këtij procesi”, bëri të ditur Kelani.

Mobi Casa

Balotazhi do të mbahet më 1 dhjetor edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në atë pjesë, Policia e Kosovës do të bashkërendojë masat dhe veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit”, deklaroi Kelani.

Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar të komunave të Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.

Një numër të caktuar vëzhguesish do të kenë edhe ENEMO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Driton Selmanaj nga ky koalicion tha për Radion Evropa e Lirë se vëzhguesit e këtij koalicioni do të jenë në të gjitha qendrat e votimit më 1 dhjetor.

“Përsëri jemi pjesë e procesit, si koalicion i OJQ-ve, ‘Demokracia në Veprim’. Kemi 1.600 vëzhgues të cilët do të jenë në të gjitha qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve deri në fund të procesit të numërimit në qendrat e votimit, në vendvotime e më pas edhe në Qendrën e Numërimit deri në certifikimin final të rezultateve”, tha Selmanaj.

Numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në raundin e dytë është mbi 1 milion e 370 mijë votues. /REL/