Uji Dea

Gjinjtë lakuriq, jashtë gazetës!

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Shoqata e skauteve të Britanisë, “Girlguiding”, e cila numëron rreth gjysmë-milion vullnetare, ka shtuar zërin e saj në një fushatë për të bindur gazetën britanike “The Sun” për të hequr një rubrikë të saj në faqen 3, ku në çdo numër botohet fotografia e një femre gjokszbuluar.

“Girlguiding” e ka nënshkruar një peticion, nëpërmjet të cilit i bëhet thirrje kryeredaktorit të tabloidit “The Sun”, Dominic Mohan, që “më në fund t’i heqë cicat lakuriq nga ‘The Sun’”.

Shoqata e skauteve e ka nënshkruar peticionin kundër faqes 3 të “The Sun” pas një votimi të anëtareve.

“Unë besoj se është e gabuar që femrat të paraqiten si objekte seksuale në një gazetë familjare”, ka thënë vullnetarja Katie Wormald, 17-vjeçare, e cila ka dhënë idenë për të votuar.

Votimi në internet, i mbi 2.000 vullnetareve të “Girlguiding”, të moshave ndërmjet 16 dhe 25 vjeçare, është bërë muajin e kaluar.

Tetëdhjetë e tetë për qind e tyre kanë votuar për heqjen e rubrikës tradicionale të femrave gjokszbuluar në faqen 3, që ekziston që nga nëntori i vitit 1970.

“Fëmijët nuk duhet që të rriten duke menduar se kjo është normale dhe se kjo është e drejtë. Vajzat e reja nuk duhet që të rriten duke menduar se do të arrijnë më shumë duke u bërë objekte seksuale”, ka shtuar Katie.

Fundamenti

“Ky është gjithashtu një hap i qartë drejt reduktimit të seksizmit në shoqërinë tonë”, është shprehur adoleshentja britanike, e cila bën pjesë në një grup vullnetaresh që i ndihmojnë shoqatës që të vendosë se si t’i qaset më së miri çështjeve që prekin jetët e tyre.

Në një letër që i ka dërguar kryeredaktorit të “The Sun”, Mohan, nëpërmjet postës elektronike, shoqata “Girlguiding” ka shkruar: “Ne e dimë se ‘The Sun’ është një gazetë familjare. Kushdo mund ta blejë atë dhe ta shikojë faqen 3, dhe të mendojë se është normale që femrat e reja të trajtohen si objekte. Ne jemi të mendimit se kjo është thjesht e gabuar dhe duhet të ndërpritet”.

Aktivistja Lucy-Anne Holmes, e cila drejton fushatën dhe peticionin kundër faqes 3 të “The Sun”, ka thënë se “është gjë shumë e mirë që anëtaret e reja të ‘Girlguiding’ kanë votuar për të mbështetur fushatën tonë për t’i dhënë fund elementit më ikonik të seksizmit në shtypin tonë”.

“Ne kemi dëgjuar shumë raste se si faqja 3 ka ndikuar negativisht te femrat dhe vajzat e reja, ose për shkak të reagimeve të djemve ndaj fotografive, ose për shkak të vetë ndjenjave të femrave për trupin e tyre, të cilat i shkakton shikimi i një përcaktimi aq të ngushtë të bukurisë çdo ditë”.

Para se “Gilrguiding” të mbështeste fushatën kundër faqes 3 të “The Sun”, peticioni kishte marrë rreth 90.000 nënshkrime. Mbështetja e skauteve pritet t’i japë atij një shtytje të konsiderueshme.

Një zëdhënëse e gazetës, e cila shet rreth 350.000 kopje në ditë, ka thënë se ajo aktualisht nuk ka në plan që t’i përgjigjet letrës.

Por, pronari i gazetës, Rupert Murdoch, në shkurt ka sinjalizuar se rubrika e femrave gjokszbuluar mund të zëvendësohet me një rubrikë më të moderuar. (BBC)