KKGJILAN

Gjini: LVV nuk duhet të sillet sikur të gjithë qytetarët e kanë votuar Albinin për kryeministër

/ 4 minuta lexim

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini në një intervistë për “Përballje ditore”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka folur për vonesat e krijimit të qeverisë së re, bisedimet që po bëhen mes LVV-së dhe LDK-së për arritjen e koalicionit qeverisës, kërkesën e të deleguarit të presidentit të SHBA-vë, Richard Grenell për heqjen e taksës 100 për qind si dhe arritjen e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Gjini ka thënë se problemet do të jenë serioze nëse vazhdohet me vonimin e institucioneve.

“Besoj askush nuk e ka pritur që do të kemi aq shumë kohë pa formalizim të institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Është e qartë se fillimisht kemi pasur një vonesë për shkak të certifikimit të rezultateve, pak vonesë në konstituimin e Kuvendit, tani kemi pak vonesë në themelim të Qeverisë, por sidoqoftë jemi në fazën kur ditët ecin, kur nuk kemi më bllokadë totale. Mendoj që partia e cila i ka fituar zgjedhjet duhet ta gjejë mënyrën për t’i krijuar institucionet , mundemi me pas probleme jashtëzakonisht të mëdha nëse vonohet krijimi i institucioneve, dhe këto probleme do të na përcjellin jo vetëm gjatë gjithë vitit 2020, por do të në përcjellin edhe në vitin 2021, sidomos sa i përket buxhetit, prokurimit, investimeve kapitale do të kemi probleme edhe në komuna edhe në Qeveri”, ka pohuar ai në intervistë për Telegrafin.

Duke komentuar situatën politike në vend, Gjini deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje po sillet sikur t’i ketë fituar të gjitha votat.

“Koalicioni i shpresës janë fraza që përdoren në zgjedhje për me fitu më shumë vota, por janë të kuptueshme, sidoqoftë mendoj se njerëzit duhet t’i shohin disa elemente që janë tepër të qarta. E para punës, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet po e ka fitu çerekun e votave të qytetarëve, nuk i ka fitu të gjitha votat. Diku ¾ e qytetarëve të Kosovës nuk e kanë votu LVV-në, të njëjtën kohë Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fitu po thuajse numrin e njëjtë të votave, bashkë munden me pas Qeveri të pastër pa asnjë dilemë, por duhet të kenë kujdes që të mos sillen thuajse secili qytetar ka votu për Albin Kurtin kryeministër, dhe se tani duhet t’i kenë të gjithë”, ka theksuar ai.

Fidanishtja

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini gjatë intervistës për “Përballje ditore” me Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com

Nënkryetari i AAK-së, vlerëson së në rrethanat e tanishme, fituesi i zgjedhjeve duhet të jetë i aftë që të krijojë koalicionin dhe t’i ofrojë Kosovës institucionet që duhet me i pas.

Kurse sa i përket mundësisë që AAK të jetë pjesë e një qeveri të ardhshme të re, Gjini tha se kjo parti është e përgatitur për të qëndruar në opozitë.

“AAK është bërë gati që të mbetet në opozitë, kemi shpresuar që partia që ka fituar ta kryejë koalicionin dhe të themelojë institucionet me partinë që ka preferuar të qeverisë. Do të ishte mirë që populli ta sheh një Qeveri, e cila po thotë ndryshe. Kam dëshirë që qytetarët ta shohin një Qeveri e cila ka premtuar shumë”, tha ai.

Lidhur me kërkesën e Richard Grenell, të dërguarit special të Donald Trumpit, për heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, Gjini tha se kjo masë duhet larguar vetëm kur të ketë një afat lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, ku do të arrihet marrëveshja me njohje reciproke. /Telegrafi/