Mobi Casa

Gjimnazi “Zenel Hajdini”shënon 67 vjetorin

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Gjimnazi, me të drejtë mund të thuhet se është krenaria e arsimit kosovar ka thënë Qemajl Mustafa.

Gjimnazi “Zenel Hajdini” ka shënuar 67 vjetorin e themelimit. Në përvjetorin e saj kanë marrë pjesë personalitete politike,arsimore,mësimdhënës,nxënës etj.

Qemajl Mustafa duke përgëzuar këtë përvjetor tha se me të drejtë mund të thuhet se Gjimnazi është krenaria e arsimit kosovar.”Nga kjo shkollë kanë dalur figura të spikatura arsimore,intelektuale e shkencore. Kjo shkollë ka punuar intensivisht duke treguar disiplinë dhe duke organizuar aktivitete të shumta kulturore” tha Mustafa.

Edhe, Bujar Nevzati drejtor arsimit tha se Gjimnazi është një shkollë elitare e cila po tregon se ka kuadro të mira për ta shndërruar këtë shkollë në një institucion arsimor bashkëkohor.

Kurse duke folur për historikun e shkollës drejtori Mehmetali Rexhepi ka thënë se Gjimnazi, sikurse në tërësi populli ynë, kapërceu sprova që na dukeshin të pakalueshme. “Por shtytjet liridashëse i përballuan sprovat e kthesave të forta: përçarjen e kuadrit edukativ – arsimor të përkatësisë shqiptare, përmes diferencimit namkeq, ideopolitik të LKJ-së fantome, kanosjen e identitetit kombëtar, mbylljen nën dry dhe, mbledhjen e forcës për gatitjen e luftës për thyrje të dryrëve e, hapjen e dyerve për hapërime me të tjerët”.

Rexhepi ka thënë se interesimi dhe mësymjet për tu regjistruar në gjimnaz, kanë kushtëzuar rritjen e sasisë së nxënësve dhe, kjo rrethanë lidhet me zhvendosjen e popullatës malore e të fshatrave përreth, sidomos pas luftës në Kosovë. Po ashtu, ka ndikuar edhe ardhja, si pasojë e trysnive politike, e shqiptarëve të trevave të Preshevës, të Bujanocit e të Medvegjës në Gjilan. Andaj, disa nga kabinetet e mësimit është dashur të përdoren si klasa mësimi.

Sipas tij regjistrimi i nxënësve në gjimnaz sipas kërkesave të kriterit, gjatë këtyre tri viteve të fundit ka sjell cilësi. Cilësia është e dukshme, e prekshme e konkurrente, qoftë në fakultetet e UP-së, në Mjekësi, në Shkencat e Natyrës, në Shkencat Kompjuterike, në Shkencat e Shoqërisë, e tjera. Kësisoj, mund të pohojmë rritjen prijatare në Kosovë të nxënësve të gjimnazit të Gjilanit.

Uji Dea

Rexhepi tha se nxënësit e gjimnazit në garat e Olimpiadës së Matematikës, dëshmuan zgjuarsi dhe aftësi konkurruese, ndërsa në ato të sporteve shpërfaqën shkathtësitë, dinamikën dhe talentin e shquar rinor. Depërtimi i cilësisë mendore të nxënësve tanë arriti në Evropë dhe në SHBA.

Gjimnazi aktual ka gjithsej 2634 nxënës. Nga ky numër nxënësish 1396 janë femra, ndërsa 1234 janë meshkuj. Mësimi mbahet me orë bllok, në tre ndërrime, nga ora 7:00 deri më 18:45. Mësimi është profilizuar në pesë drejtime. Konkurrenca më e madhe e nxënësve shfaqet në drejtimin e Shkencave të Natyrës.

Kuadrin arsimor në gjimnaz e përbëjnë 120 arsimtarë. Pothuajse, pos fakulteteve përkatëse, të gjithë mësimdhënësit kanë ndjekur dhe vijojnë të ndjekin trajnime, të gradohen në funksion të mësimdhënies bashkëkohore.

Vitin e kaluar shkollor, në testin e maturës 2010-2011, nxënësit e gjimnazit kanë arritur një kalueshmëri deri në 80 %, nga kjo përqindje pa e kryer mbetën 45 nxënës.

Përkundër sukseseve Rexhepi ka kërkuar nga përgjegjësit e arsimit për të ndërhyrë në rregullimin e termo – izolimit dhe ndërrimi i sistemit krejtësisht të vjetruar të nxemjes.

Për ta kultivuar një gjimnaz elitar doemos duhet zvogëluar numri i nxënësve në klasa, deri në 32 ose 30 sish. Të mbrohet kriteri i shpallur me konkurs dhe, të mos i mbetet barrë mbrojtja e kriterit vetëm drejtorisë së gjimnazit, por ai të jetë i drejtë, i rreptë dhe të mbrohet nga të gjithë; gjithsesi për t`i shërbyer cilësisë. Ky parim do t`iu shërbejë, si për sasi edhe pasjes së cilësisë, shkollave tjera të mesme të larta profesionale ka thënë Rexhepi ./rajonipress/