Gjilani shpërndan 200 tonë farë gruri dhe 140 tonë pleh artificial për 1,084 fermerë
Gjilan – Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, ka realizuar shpërndarjen e farës së grurit dhe plehut artificial për 1,084 fermerë përfitues, në kuadër të programit të mbështetjes për sektorin e bujqësisë. Nga kjo skemë subvencionimi synohet të mbulohen rreth 800 hektarë tokë bujqësore.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit, gjatë kësaj shpërndarjeje janë ndarë gjithsej 200 tonë farë gruri dhe 140 tonë pleh artificial, me qëllim të mbështetjes së fermerëve në procesin e mbjelljeve vjeshtore dhe lehtësimit të kostove të prodhimit bujqësor.
Përmes këtij subvencionimi, 1,084 fermerë do të kenë mundësi të sigurojnë një pjesë të inputeve të nevojshme për kultivimin e grurit, ndërsa sipas planifikimit komunal, mbështetja pritet të mundësojë mbjelljen e rreth 800 hektarëve tokë bujqësore.
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se mbështetja e fermerëve dhe fuqizimi i sektorit të bujqësisë mbeten ndër objektivat e saj, duke synuar krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e prodhimtarisë vendore.
Shpërndarja e farës dhe plehut artificial paraqet një formë të mbështetjes direkte për fermerët, në një sektor që ka rëndësi për ekonominë lokale dhe sigurinë ushqimore.
Megjithatë, shpërndarja e këtyre inputeve më 26 nëntor vjen pas afatit optimal të mbjelljeve të grurit, çështje kjo që ka ngritur edhe shqetësime në Kuvendin Komunal të Gjilanit lidhur me kohën e realizimit të subvencioneve bujqësore./rajonipress/

