Gjilani përfiton 2 milionë e 30 mijë euro për banim social, do të realizohen 33 njësi banimi
Gjilan – Komuna e Gjilanit do të përfitojë 2 milionë e 30 mijë euro në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat, me qëllim rritjen e kapaciteteve të banimit social dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.
Marrëveshja e grantit është nënshkruar sot nga ministrja Fitore Pacolli dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, duke i hapur rrugë realizimit të investimeve të planifikuara në sektorin e banimit social.
Sipas ministres Pacolli, fondi prej 2.03 milionë eurosh do të mundësojë realizimin e gjithsej 33 njësive të banimit në Gjilan. Nga ky numër, 25 do të jenë njësi të reja të banimit social, ndërsa parashihet edhe renovimi i dy shtëpive private dhe rindërtimi i gjashtë shtëpive.
Investimi synon të adresojë nevojat e familjeve të cilat përballen me vështirësi në sigurimin e një banimi të përshtatshëm, duke krijuar mundësi për strehim më të qëndrueshëm dhe kushte më dinjitoze jetese.
Ministrja Pacolli e ka cilësuar këtë investim si një hap konkret në drejtim të rritjes së stokut të banimit social dhe forcimit të mbështetjes institucionale për kategoritë më të cenueshme.
“Ky investim është një hap konkret për të rritur stokun e banimit social dhe për t’u ofruar kushte më të mira familjeve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, ka deklaruar Pacolli.
Projekti për Gjilanin pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e mundësive për strehim social, duke kombinuar ndërtimin e njësive të reja me ndërhyrjet në objektet ekzistuese të banimit.
Nënshkrimi i marrëveshjes përfaqëson një tjetër investim të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe Komunës së Gjilanit, me fokus në përmirësimin e mirëqenies sociale dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme të banimit për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje publike./rajonipress/


