UBT

Gjilani përballet me uzurpim të pronës bujqësore

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Problemet me të cilat ballafaqohet zhvillimi rural në komunën e Gjilanit mbeten: uzurpimi (ndërrimi i destinimit) të tokave bujqësore, struktura e fermave, djegia e pyjeve gjatë verës, e shumë probleme të tjera – u shpreh eksperti i bujqësisë, Adem Isufi nga VV.

Drejtuesit e Nënkomitetit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në kuadër të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, organizuan një diskutim publik me temë: “Bujqësia dhe zhvillimi rural në komunën e Gjilanit”. Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të këtij nënkomiteti, ekspertë të bujqësisë dhe dhjetëra fermerë, bujq, pemëtarë, përpunues të produkteve blegtorale dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

“Bujqësia, blegtoria e pemëtaria në komunën tonë ka mundësi të jenë promotorët e zhvillimit ekonomik dhe rural, por kjo nuk po ndodh sa duhet dhe si duhet. Le të përmendim që vetëm në sektorin e pemëtarisë, mund të shtohet sipërfaqja e objekteve të mbrojtura (serrat), apo në kulturat lavërtarë, si drithërat dhe foragjeret, por nuk investohet dhe s’ka vullnet politik. Problemet me të cilat ballafaqohet zhvillimi rural në komunën e Gjilanit mbeten: uzurpimi (ndërrimi i destinimit) të tokave bujqësore, struktura e fermave, djegia e pyjeve gjatë verës, e shumë probleme të tjera” – u shpreh eksperti i bujqësisë, Adem Isufi, njëherazi anëtar i nënkomitetit.
Ai shfaqi sfidat e përgjithshme me të cilat përballet sektori i bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë, lavërtarisë, pylltarisë dhe fushat e tjera të zhvillimit rural, në kontekstin e komunës së Gjilanit, si dhe në fund paraqiti përmes fotografive gjendjen e rëndë në terren të zhvillimit rural në komunë.
Sali Salihu, drejtues i Komitetit për Bujqësi në Lëvizjen VV, prezantoi projekt-konceptin zhvillimor të hartuar në kuadër të programit qeverisës të Lëvizjes, i cili është miratuar në parim në shtator të 2012-tës.

“Problemet me të cilat ballafaqohet bujqësia në Kosovë: buxheti i vogël për bujqësi dhe mungesa e investimeve kapitale për bujqësi, mungesa e institucioneve kredituese me kamata të volitshme dhe afatgjate, mungesa e investitorëve, struktura e fermave në Kosovë (parcializimi i tokave), fokusimi më shumë në prodhim sesa në planifikim, vështirësia për të siguruar plasmanin e prodhimit, sidomos jashtë vendit; mungesa e infrastrukturës bujqësore (mekanizmi bujqësor i stërvjetruar), mungesa e shërbimeve këshillimore për fermerë, e shumë vështirësi të tjera” – theksoi Salihu.

Mobi Casa

Lidhur me masat që duhet të ndërmarrë Komuna për minimizimin e pengesave të zhvillimit rural, u përmend ndalja e betonizimit të tokave bujqësore dhe krijimi i tokave të reja të punës, rritja e investimeve buxhetore në bujqësi dhe zhvillim rural, hapja e fabrikave bujqësore, ngritja e kapaciteteve përpunuese, shtimi i fondit blegtoral, nxitja e zhvillimit të turizmit rural (agroturizmit).

Po ashtu u theksuan dhe hapa të tjerë tepër të rëndësishëm që duhen ndërmarrë në këtë drejtim siç janë, ndalimi i shkatërrimit të lumenjve, krijimi i pikave grumbulluese dhe të depove për ruajtjen e prodhimeve, planifikimi dhe orientimi i prodhimit, subvencionimi i prodhimeve bujqësore, krijimi i kushteve për eksport, lidhja e institucioneve publike me prodhuesit vendor (FSK, policia, burgjet etj.), heqja e akcizës për naftë.

Ndërsa në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm u paraqitën si mundësi, krijimi i një tregu të integruar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, lidhja e institucioneve shkencore me Ministrinë e Bujqësisë dhe prodhuesin si dhe krijimi i farave vendore. /rajonipress/