Gjilani nis rindërtimin e stadiumit të qytetit – kosto 6 milionë euro

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve “Drita” dhe “Gjilani”, kanë vënë sot gurthemelin e rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Kryetari i Gjilanit tha se rindërtimi i stadiumit i dedikohet “Gjilanit” dhe “Dritës”, përkatësisht “Intelektualëve” dhe “Skifterave”.

“Ky stadium i destinohet “Intelektualëve” dhe “Skifterave” dhe dy klubeve të qytetit, të cilat tashmë janë në elitën e futbollit dhe shpresoj shumë që të jenë edhe në gara ndërkombëtare. Rindërtimi i stadiumit po bëhet në këtë vend, në të cilin është vendosur nga baballarët tanë. Nuk kam dashur ta ndërroj vendin, zemrën e qytetit, e cila i dedikohet sportit”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri ka falënderuar legjendat e futbollit për kontributin e madh që sporti të mos shuhet kurrë, përderisa ka thënë se stadiumi po rindërtohet sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.

“Ky stadium është i kategorisë së katërt sipas standardeve të FIFA dhe UEFA. E falënderoj kryetarin Vokrri që ekspertët e UEFA e kanë licencuar projektin sepse është dashur të kalohet në procedurë për t’i plotësuar të gjitha kërkesat. Ky stadium i plotëson të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për të gjitha grupmoshat. Ne i falemi kujtimit të punës së veteranëve të futbollit”, tha Haziri.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se është i kënaqur dhe i privilegjuar që ka filluar rindërtimi i këtij stadiumi.

“Sipas kërkesës së kryetarit Haziri dhe dy klubeve, sigurisht se do të jemi krah i fortë i dy klubeve dhe i futbollit të Gjilanit. Ju faleminderit dhe e gëzofshi”, është shprehur Vokrri.

Pronarët e klubeve të futbollit “Drita” e “Gjilani” kanë falënderuar Komunën e Gjilanit për fillimin e këtij projekti të madh, përderisa kanë kërkuar nga kryetari Lutfi Haziri që të ndalohen tubimet politike në stadium, pasi siç thanë ata, do të dëmtohej drenazha.

E kryetari Haziri i është përgjigjur kërkesës së klubeve.

“Përkundër përgatitjes dhe vullnetit tonë, si kandidat i këtij qytetit për kryetar komune, ju siguroj nuk do të mbajmë tubim politik në stadium, në mënyrë që t’ua lëmë këtë hapësirë futbollit dhe të mos e dëmtojmë. Për partinë tjetër unë e kam bërë aprovimin, por është vlerësim i tyre. Unë e respektoj kërkesën e dy klubeve”, është shprehur kreu i Gjilanit.

Përndryshe, vlera e rikonstruimit të stadiumit është 6 milionë euro, ndërkaq deri tani janë të siguruara e të kontraktuara 3.2 milionë euro./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).