United Hospital

Gjilani nën presionin e qenve endacakë dhe lypsarëve me dokumente të dyshimta – qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve

Gjilani nën presionin e qenve endacakë dhe lypsarëve me dokumente të dyshimta – qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve

Gjilan – Qendra e Gjilanit po përballet me një situatë gjithnjë e më shqetësuese, ku prania e qenve endacakë, disa prej të cilëve paraqesin rrezik për sigurinë e qytetarëve, dhe personave që kërkojnë para përmes dokumenteve e dëshmive të dyshimta, po krijon një atmosferë pasigurie dhe pakënaqësie. Qytetarët kërkojnë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse, duke shprehur habinë se si këto dukuri vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në hapësirat më të frekuentuara të qytetit.

Pothuajse e gjithë qendra e qytetit të Gjilanit është shndërruar në një hapësirë ku qytetarët, krahas lëvizjeve të tyre të përditshme, përballen me dy shqetësime të vazhdueshme: qentë endacakë dhe personat që kërkojnë lëmoshë, duke u prezantuar me dokumente, letra dhe vërtetime të cilat ngrenë dyshime për autenticitetin dhe qëllimin e tyre.

Prania e qenve endacakë, veçanërisht në zonat me qarkullim të madh të këmbësorëve, përbën shqetësim serioz për sigurinë publike. Frika bëhet edhe më e madhe kur në mesin e qytetarëve që frekuentojnë këto hapësira janë fëmijët, të moshuarit dhe personat e tjerë që mund të jenë më të ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme.

UBT KOSOVE

Në anën tjetër, shqetësim po shkakton edhe mënyra e organizuar e kërkimit të parave nga persona të ndryshëm, të cilët pretendojnë se mbledhin mjete financiare për njerëz në nevojë, duke u mbështetur në dokumente dhe letra me vula, autenticiteti i të cilave vihet në pikëpyetje. Dyshimet për keqpërdorim të ndjenjës së solidaritetit qytetar kërkojnë verifikim nga organet kompetente, në mënyrë që të parandalohet çdo formë e mundshme e mashtrimit dhe manipulimit të qytetarëve.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë, sipas qytetarëve, është fakti se këto dukuri zhvillohen në hapësira publike shumë të frekuentuara, madje edhe në afërsi të objekteve të institucioneve të sigurisë. Për këtë arsye, ata shtrojnë pyetjen se pse nuk ndërmerren masa parandaluese dhe pse duhet të pritet deri në momentin kur qytetarët mund të pësojnë pasoja.

Qytetari Milazim Selmani vlerëson se pamjet e tilla, përveçse janë shqetësuese në aspektin e sigurisë dhe rendit publik, përbëjnë edhe një imazh të zymtë për një qytet që, sipas tij, duhet të karakterizohet nga kultura qytetare, sjelljet evropiane dhe respektimi i hapësirave publike.

Ai kërkon që Policia dhe institucionet përgjegjëse të mos qëndrojnë vetëm në rolin e vëzhguesit, por të ndërmarrin veprime konkrete para se situata të prodhojë pasoja për qytetarët.

“Policia duhet të veprojë dhe të mos e presë fundin, kur mund të dëmtohen qytetarët. Edhe qytetarët duhet të kenë kujdes dhe të mos bien viktimë e këtyre keqpërdoruesve dhe manipuluesve”, ka deklaruar Selmani.

Edhe qytetari tjetër, Bislim Ejupi, shpreh shqetësimin e tij për praninë e qenve endacakë në qendër të qytetit, duke e cilësuar situatën si një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve. Ai thotë se mungesa e ndërhyrjes institucionale po e thellon ndjenjën e pasigurisë, ndërsa rreziku nuk është më vetëm perceptim, por po shoqërohet edhe me raste konkrete të sulmeve.

“Qentë endacakë po shndërrohen në vrasës të heshtur dhe kjo po ndodh para syve të njerëzve të institucioneve. Nuk e di si nuk kanë aspak turp e ndjenja njerëzore këta pushtetarë. Hiq më larg se para dy ditësh, një fëmijë u sulmua nga një qen endacak në praninë e nënës, e cila sigurisht se do të pësojë trauma nga ajo skenë”, është shprehur Ejupi.

Shqetësimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me praninë fizike të këtyre dukurive, por edhe me mungesën e një reagimi të dukshëm dhe sistematik institucional. Sipas tyre, siguria në hapësirat publike nuk duhet të trajtohet si çështje dytësore dhe as të ndërhyhet vetëm pasi të ndodhë ndonjë incident me pasoja të rënda.

Në këtë drejtim, kërkohet që Policia e Kosovës të shtojë patrullimet dhe kontrollet në qendër të qytetit, të identifikojë personat që dyshohet se kërkojnë para përmes dokumenteve të falsifikuara ose mashtruese dhe të ndërmarrë veprimet ligjore në rastet kur konstatohen shkelje.

Njëkohësisht, institucionet komunale duhet të trajtojnë me prioritet problemin e qenve endacakë, përmes masave të qëndrueshme dhe humane për menaxhimin e tyre, duke garantuar mbrojtjen e qytetarëve dhe mirëqenien e kafshëve.

Gjilani nuk ka nevojë për një qendër qyteti ku qytetarët ecin me frikë, ku prindërit shqetësohen për sigurinë e fëmijëve dhe ku solidariteti njerëzor rrezikon të shndërrohet në objekt manipulimi. Ka nevojë për rend, siguri, përgjegjësi institucionale dhe hapësira publike që u shërbejnë qytetarëve.

Sepse siguria nuk matet me praninë e institucioneve, por me aftësinë e tyre për t’i mbrojtur qytetarët. Dhe solidariteti nuk duhet të jetë kurrë pre e atyre që mundohen ta keqpërdorin humanizmin për përfitime personale./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.