Gjilani në kohë pandemie pa ujë, qytetarët kërkojnë të kthjellet qeverisja komunale

Gjilan – Vaj halli për ne në këto ditë të nxehta që po vijnë, e të cilat me gjithë pandeminë do të na bëhen ditë ferri neve qytetarëve, që as pas 21 viteve liri nuk po e gëzojmë të drejtën e një jete me rregullimin në tërësi të ujërave të ndotura, e tash së fundi as të drejtën elementare të furnizimit me ujë të pijes! Kthjelluni qeverisje, sepse dita ditës po ju braktisin edhe këta banorë që janë në rënie e sipër ka shkruar Arba Aliu.
Lexojeni postimin e plotë të Arba Aliut
Është ora 22:00 e natës, marr hapin për të pastruar enët e drekës dhe të darkës nuk ka ujë!
Shishet plastike një litërshe dhe bidonët me ujë kanë vërshuar qoshet e banesës sime 90 m2 që nga muaji nëntor i vitit 2019, e cila gjendet në lagjen Deremahalla, kështu po e quajnë ( qendra e qytetit) në Gjilan. Numri i madh i ndërtesave përreth kësaj lagjeje të banuara është në rritje e sipër dhe nuk e di kah po e marrin vullnetin njerëzit të blejnë e të ndërtojnë në këtë kohë gati 4 muaj pa ujë. Eh, ajo që po më çuditë mua dhe mijëra banorë të kësaj lagjeje, është fakti se pse nuk po konsiderohet kjo si çështje e rëndësishme nga qeverisja aktuale. Ne banorët çdo ditë po presim në këtë kohë pandemie, të marrim ndonjë lajm se po punohet që kjo gjendje të zgjidhet brenda ca ditëve apo muajve, duke e ditur faktin se vera po afrohet e tendenca për të mos pasur fare ujë veç po rritet dita ditës.
Nuk e di çfarë ndihme më të rëndësishme ka nga qeverisja komunale dhe ajo qendrore në këtë kohë pandemie, se sa të ofrohet të paktën 5 orë në ditë ujë i pijshëm për banorët e Gjilanit, veçmas kur bëhet thirrje që të pastrohen duart çdo orë, e të pastrohet hapësira e banimit më shpesh.
Me çfarë t’i lajmë duart unë dhe vajza ime 5 vjeçe o të nderuar!
Me çfarë t’i lajnë duart mijëra banorë të ndërtesave kolektive fëmijë, gra e pleq!
Ne si qytetarë të devotshëm të këtij qyteti, lutemi që të merren hapa konkretë nga qeverisja lokale e qendrore, të na bëhet zgjidhje afatshpejtë qoftë me ofrimin e rezervave në ndërtesa kolektive ose në mundësinë e furnizimit si prioritet për këto ndërtesa, banorët e të cilave e kanë të pamundur të hapin puse në to, krahas shtëpive në prona private.
Vaj halli për ne në këto ditë të nxehta që po vijnë, e të cilat me gjithë pandeminë do të na bëhen ditë ferri neve qytetarëve, që as pas 21 viteve liri nuk po e gëzojmë të drejtën e një jete me rregullimin në tërësi të ujërave të ndotura, e tash së fundi as të drejtën elementare të furnizimit me ujë të pijes!
Kthjelluni qeverisje, sepse dita ditës po ju braktisin edhe këta banorë që janë në rënie e sipër ka shkruar gazetarja Arba Aliu.
Edhe Besim Salihu e ka përshkruar gjendjen të mjerueshme.
Gjilani ne mungese te ujit ne #Pandemi
Jemi ba me keq se delet, qe 1 vit prej ora 8 mëngjes deri në mbrëmje s`ka ujë në qytet, dhe askush nuk proteston…
Rekomandimet kryesore, pastroni duart dhe ambientet për rreth, por udheheqesia jonë nuk qan kryet për këtë muhabet ka shkruar Salihu./rajonipress/