KKVITI

Gjilani në enciklopedinë KÂMÛS AL – ALÂM të Sami Frashërit

/ 13 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Naim Musliu- Gjilani ishte qytet, qendër kazaje në sanxhakun e Prishtinës të vilajetit të Kosovës pranë një lumit që derdhet në Moravë. Sipas Sami Frashërit, ky qytet ndodhet 35 km në juglindje të Prishtinës, e cila ka 4500 banor. Gjilani ka 2 xhami, 1 kishë, 2 shkolla fillore.

Rilindja Kombëtare Shqiptare dha shumë personalitete të shquara. Në mesin e shumë figurave të ndritura të Lëvizjes Kombëtare është edhe Sami Frashëri, i cili ishte udhëheqës dhe formues i shumë komiteteve, klubeve e revistave dhe udhërrëfyes i çështjes kombëtare.

Sami Frashëri lindi në fshatin Frashër të Përmetit në Shqipëri, më 1 qershor të vitit 1850, në moshën nëntë vjeçare i vdes i ati kurse dy vite më vonë edhe e ëma dhe mbeti pa prindër. Vëllai i madh ishte Abdyli, sipas traditës atij i mbeti përkujdesja e familje. Ata ishin gjashtë vëllezër dhe dy motra.

Sami Frashëri mësimet e para i mori në fshatin e tij tek myderrizi Mahmut Efendi Tetova. Vëllai i tij, Abdyli nuk pa të ardhme në fshatin e lindjes ngase ishte vend malor dhe u largua drejt Janinës, qendër e vilajeti me të njëjtin emër me qëllim që t’i shkolloj vëllezërit e tij. Në vitin 1861 vendosen në Janinë dhe autori fillon t’i ndjek mësimet e gjuhës osmane, arabe dhe persiane tek myderrizi Jakup Efendiu.

Me të vëllanë Naimin u regjistruan në gjimnazin grek Zosimea të Janinës të cilën e përfundoi brenda shtatë viteve, pra në vitin 1868, një vit më herët se siç ishte e paraparë me plan-program.

Samiu gjatë shkollimit të tij kishte fituar njohuri të tjera, kishte mësuar greqishten e vjetër dhe të renë, frëngjishten, italishten, latinishten, si dhe kishte njohuri për gjeografinë e historinë, matematikën, kozmografinë, historinë e natyrës dhe anatominë. Pas përfundimit të shkollimit, ai në vitin 1872 u largua drejt Stambollit ku veproi për 33 vjet deri në vdekje.
Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll ai u aktivizua në veprimtarinë e gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike osmane. Ishte njëri ndër organizatorët kryesor të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” dhe u zgjodh kryetar i “Shoqërisë së Shtypit Shkronja Shqip” në vitit 1879.

Sami Frashëri drejtoi dy revistat, e para në gjuhën shqipe “Drita” e pastaj “Dituria” (1884 – 1885). Gjithashtu për nevojat e shkollës shqipe botoi “Abetaren e gjuhës shqipe” më 1886, “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe” (Gramatikë, 1886), dhe “Dheshronjë” 1888, gjithashtu e botoi edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e botuar në Bukuresht në vitin 1899, e cila ishte njëri ndër programet më përparimtare të Lëvizjen Kombëtare.

Vepra të tjera ishin Kamus-i turk i vitit 1901, shkroi disa fjalor turqisht – frëngjisht, e anasjelltas dhe arabisht – turqisht. Vepra më e madhe për ka rëndësia dhe trashësia prej 4830 faqeve ishte vepra Kâmûs Al – Alâm e botuar në vitin 1898 në gjashtë vëllime.

Për shkak të veprimtarisë atdhetare Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Samiun duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndalur të dilte nga shtëpia. Vdiq në Stamboll 1904.
Vështrim i përgjithshëm i enciklopedisë Kâmûs Al-A’lâm

Është njëra ndër veprat më të mëdha të Sami Frashërit, e cila është enciklopedia e parë shqiptare që shkruhet nga një autor shqiptarë. Ishte shkruar në gjuhën osmane me alfabet arab e cila përmban 4830 faqe e përfshirë në 6 vëllime.

Kjo vepër është një nga enciklopeditë historiko – gjeografike titulli i së cilës ishte shkruar në gjuhën frënge DICTIONNAIRE UNIVERSAL D’HISTORIE ET DE GEOGRAPHIE. Sami veprën e tij e kishte botuar gjatë viteve 1889 – 1898.

Vëllimi i parë hapet me fjalët e botuesit Mirahor Matbasi i cili theksonte rëndësinë e këtij libri. Faqet në vazhdim vinë fjalët e autorit për rëndësinë, vështirësitë dhe vlerat që i posedon libri i tij që është edhe enciklopedia e parë nga një autorë shqiptarë. Ai theksonte rëndësinë e këtyre dy shkencave, pra të historisë dhe gjeografisë, gjithashtu tregon për vështirësitë që i kishte hasur gjatë zgjedhjes së lëndës dhe arsyet pse e kishte shtyrë të shkruante këtë vepër.

Në parathënien e Kâmûs Al – Alâm, Samiu thotë: “Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e vetë…” pastaj shton: “Historia dhe Gjeografia janë nga shkencat më tërheqëse. Në të vërtetë njeriu ka dëshirë të dijë për gjendjen e planetëve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilën jeton? Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash do të jenë; më tej, si të mos dijë për gjyshërit, stërgjyshërit e tij dhe popujt e ndryshëm që jetojnë në planetin Tokë. Ja pra dy gjëra, e para mësohet me gjeografinë kurse e dyta me historinë.

Arriti të lidhë historinë dhe gjeografinë aq mirë dhe të argumenton: “Historia është koha, gjeografia është vendi, kurse lidhja që ka koha me vendin është e qartë. Koha është gjithmonë po ajo kohë edhe vendi përveç disa ndryshimeve që ndodhin në mënyrë të ngadalshme ”.

Duke ia treguar vendin këtyre dy shkencave autori argumentonte edhe më tej duke thënë: “Për të mësuar gjendjen e tanishme dhe të kaluar të njerëzve që janë e që kanë qenë në rruzullin tokësorë, mund t’u drejtohemi vetëm shkencës së historisë dhe gjeografisë. Këto rrethana nga aspekti kohorë i mësojmë prej historisë e nga aspekti vendit i mësojmë prej gjeografisë, e nga aspekti i përbashkët kohës dhe vendit prej gjeografisë historike si shkencë ndërdisiplinore”.

Përveç ngjashmërive autori jep edhe dallimet e këtyre shkencave, ai thotë se: “Historia është më e gjerë se gjeografia…, Në histori kundërthëniet janë më të shumta…,Një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë, e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përkohshme merret si e vërtetë. Historia është e pushtuar nga ana e popujve të ndryshëm. Sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshëm është edhe interpretimi. Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim e herë gabimisht, ashtu që vështirë është të gjendet në mesin e tyre të vërtetën”.

Në parathënien e tij tregon arsyet që e kishin shtyrë për të shkruar këtë vepër siç pohonte: “Ka dallim të madh mes botës islame dhe asaj perëndimore. Fjalorët gjeografik e historik në gjuhët evropiane bëjnë fjalë gjerësisht për personalitetet dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islamike shkruajnë shkurtimisht. Përkthimi nga këto gjuhë nuk i plotëson nevojat tona. Për të përgatitur një fjalor historik a gjeografik për nevojat tona duhet mbledhur vepra të tilla, të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët islamike, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga të gjithë. Sikurse evropianët që u kanë dhënë më shumë rëndësi çështjeve që u interesojnë atyre e që i kanë lënë në rend të dytë ato që na interesojnë neve, natyrisht, edhe ne do të kujdesemi më shumë për personalitetet dhe vendet islamike e osmane dhe do t’i trajtojmë në shkallë të dytë ato të tyre”.

RCCOLA

Ai kishte parë një përbuzje ose mos interesim nga evropianët për shtetet islame dhe kjo e shtyri që të filloj hartimin e një enciklopedie për personalitetet dhe vendet e Perandorisë Osmane në një pjesë më të madhe kurse nuk i la anash as pjesët tjera të botës dhe personalitetet botërore.

Gjatë hartimit të veprës hasi edhe në shumë vështirësi për zgjedhjen e lëndës. Ai vete ia parashtro disa pyetje si: Çfarë lënde të zgjedh? Cilën pjesë të merrte nga një mal veprash historiko gjeografike në gjuhën arabe, megjithatë theksonte “Të shkruash për personalitetet dhe ngjarjet historike të kohës së Perandorisë Osmane është një punë e vështirë, sepse nuk është e lehtë të nxjerrësh e të gjesh atë që kërkon nga disa libra historikë dhe të gjesh histori të rregulluara të kësaj kohe”.

Pra, kishte problem me zgjedhjen se çka të shkruante më parë ose çka është më e rëndësishme të merrej nga ajo literaturë e gjerë.

Në vitin e parë kishte botuar dy vëllimet kurse vëllimet tjera çdo dy vite, përveç vëllimit të 4 që kishte zgjatë tri vite për shkak të vështirësive që kishte hasura.

Autori jep edhe shpjegime se si është hartuar kjo enciklopedi e madhe si:
1. Emrat që janë marrë nga gjuhët e huaja, për t’u lexuar dhe për t’u shkruar drejt, janë shkruar edhe me shkronja latine, po edhe emrat arabë, osman dhe persianë janë në gjuhën përkatëse për t’i ikur luhatshmërisë dhe dyshimit nga lexuesi. Edhe emrat nga gjuha greke janë shkruar edhe me alfabet grek.
2. Radhitja e lëndës është bërë sipas alfabetit, ashtu si është i njohur personaliteti ose vendi, e në kllapa janë dhënë ato shpjegime si: emri, mbiemri, pseudonimi etj.
3. Te biografitë dhe te ngjarjet islame përdoret data sipas hixhretit (kalendari islam), kurse te të tjerat përdoret data sipas kalendarit miladi (kalendari gregorian). Kjo ishte bërë për ta larguar dyshimin dhe e thekson se për cilën datë bënte fjalë: hixhri apo miladi.

Në vëllimin e parë është përfshirë shkronja arabe alif. Fillon me Aa që në gjuhën kelte do të thotë ujë, dhe Ab që gjithashtu në gjuhen perse do të thotë ujë. Në këtë vend ai përshkruante edhe disa lumenj të botës, emri i të cilëve paraqet një kompozitë të formuar me anë të fjalës ujë dhe ndonjë emri tjetër, si: Penxhab, Mergab, etj. Dhe përfundon me Ahvas Abdullah poet arab i njohur si poet satirik.

Vëllimi i dytë vazhdon me shkronjën alif. Këtu gjenden emrat që fillojnë me U, O dhe Y, si: Uskotët, Ulqini, Ostrogotët, Orikumi etj. Ky vëllim përfundon me shkronjën P. Këtu përshkruhen vendet: Iliria, Berati, Beogradi, Peja, Prishtina, Presheva etj.

Vëllimi i tretë fillon me shkronjën T dhe vazhdon deri te shkronja R dhe janë paraqitur Tërgovishta, Tirana, Durrësi, Dishnica, Rioli etj. Përfundon me përshkrimin e një krahine të Argjentinës.

Vëllimi i katërt përmban shkronjat Z deri në shkronjën A, në të cilën përshkruhen: Zagora, Zadrima, Semerkandi, Shijaku, Toskëria, Dangëllia etj.

Vëllimi i pestë vazhdon me shkronjën A, pas së cilës vijojnë shkronjat deri te L. Në vëllimin e pestë janë përshkruar: Kaçaniku, Kavaja, Kosova, Kolonja, Kërçova, Kraja, Tetova, (Kalkandelen), Frashëri, Filati, Korça, dhe shumë vende e personalitete të tjera të rëndësishme. Ky vëllim mbyllet me përshkrimin e lumit Loire në Francë, po shkronja L do të vazhdojë edhe në vëllimin e gjashtë.

Vëllimi i gjashtë vazhdon me shkronjën L e deri në shkronjën e fundit J. Me këtë shkronjë përfundon Kamus al-a’lam. këtu, përveç tjerash, paraqiten Luma, Lushnja, Manastiri, Myzeqeja, Mirëdita, Novo Brda, Nikshiqi, Mosuli, Vlora, Novi Pazari, Janina etj.
Viset shqiptare në Kâmûs Al-a’Lâm

Në këtë vepër janë të përshkruara të gjitha viset shqiptare të renditura me alfabet, këtu në këtë punim janë të përshkruara këto vende: Shqipëria, Apolonia, Arbania ose Arbëria, Ajdonati, Akova, Alasonja, Albani, Arbëria, Berana, Bilishti, Buna, Butrinti, Çamëria, Dagestani, Dangëllia, Dardania, Dardanie, Dasareti, Delvina, Delvinaçi, Devolli, Dëshinca, Dibra, Dibra e Poshtme (Peshkopia), Dodona, Drini, Drino ose Dropulli, Durrësi, Egnatia, Elbasani, Emantia, Epiri, Etruria, Filati, Frashëri, Frigjia, Fusha e Kosovës, Gora, Gostivari, Gramozi, Gruda, Gucia, Gjakova, Gjilani, Gjirokastra, Hidra, Himara, Horpishta, Iliria, Janina, Kalabria, Kalamasi, Kampania, Kanina, Karpensi, Kavaja, Kërçova, Kolashini, Kolonja, Konica, Koversano, Kosova, Kozenca, Kraja, Kretova, Kruja, Kumanova, Kurshumlia, Leskoviku, Lezha, Liqeni i Janinës, Liqeni i Ohërit, Liqeni i Prespës, Liqeni i Shkodrës, Lisimakia, Loros, Luma, Lushnja, Malet e Akrokeramunit, Manastiri, Maqedonia, Margëlliçi, Marmara, Mati, Mirdita, Mitrovica, Molosia, Myzeqeja, Narta, Naseliqi, Ohri, Opari, Parga, Pashalimani, Novipazari, Peja, Pela, Peqini, Peristeri, Përmeti, Piana, Greçi, Pidna, Pierie, Plaçkavica, Pelagonia, Plasa, Plava, Podgorica, Pogoni, Pojani, Prespa, Presheva, Priepolje, Prilepi, Prishtina, Prizreni, Pulati, Radovishta, Rekat, Reshnja, Riberas, Rrjolli, Salamina, Sazani, Semani, Sefixhe, Skrapari, Starja, Struga, Suli, Sharri, Shatista, Shijaku, Shkodra, Shkumbini, Shkupi, Shpuza, Shtipi, Tashlixhe, Teba, Tepelena, Tetova, Tërgovishta, Tirana, Tivari, Tomori, Tomorica, Toskana, Troja, Thesalia, Thesprotia, Thrakia, Ulqini, Vlora, Vjosa, Vodina, Voterra, Vuçitërna, Xhumaja, Zadrima, Zagora, Zeta.

Përshkimi i Gjilanit sipas enciklopedisë Kâmûs Al – a’Lâm

Gjilani ishte qytet, qendër kazaje në sanxhakun e Prishtinës të vilajetit të Kosovës pranë një lumit që derdhet në Moravë. Sipas Sami Frashërit, ky qytet ndodhet 35 km në juglindje të Prishtinës, e cila ka 4500 banor. Gjilani ka 2 xhami, 1 kishë, 2 shkolla fillore.

Kazaja e Gjilanit kufizohet nga juglindja me kazanë e Prishtinës, në veriperëndim me sanxhakun e Shkupit dhe në verilindje me Serbinë. Së bashku kazaja ka rreth 190 fshatra me 30000 banor.
Në territorin e saj shtrihen fushat pjellore dhe e rrethuara me vargmale të Malit të Zi (Karadakut) që përbën kufirin juglindor, në kufirin me Serbinë gjendet mali Goljak (Gollaku), kurse në anën perëndimore shtrihen malet e Zagovcit (Zhegocit) dhe Koniça.

Nga këto male zbresin lumenjtë që formojnë Moravën dhe nëpër kazanë e Gjilanit zbret në Serbi ku derdhet në Detin e Zi. Kjo kaza është e njohur për ujëra minerale dhe për disa kisha e kala e sidomos për kalanë e Novobërdës e cila gjendet në pjesën veriore të kazasë.

Pra, Gjilani zuri një vend të rëndësishëm më enciklopedinë e njohur dhe të parën nga një autor shqiptar siç ishte Sami Frashëri.