Gjilani në ditën e dhjetë të territ: heshtje institucionale përballë një qyteti që kërkon dritë
Gjilan – Ka hyrë në ditën e dhjetë pa ndriçim publik në Gjilan dhe në disa prej fshatrave përreth, ndërsa përballë kësaj situate, qytetarët ende nuk kanë marrë një shpjegim publik të qartë nga institucionet përgjegjëse.
Mungesa e ndriçimit nuk është thjesht një çështje komoditeti. Në orët e mbrëmjes, rrugët e errëta prekin drejtpërdrejt perceptimin dhe kushtet e sigurisë për këmbësorët, familjet, të moshuarit dhe të gjithë ata që lëvizin nëpër qytet e në zonat rurale.
Ajo që bie në sy, krahas mungesës së dritave, është edhe mungesa e komunikimit institucional. Deri më tani, sipas reagimeve publike të qytetarëve të cituara në rrjetet sociale, nuk është parë një sqarim i gjerë publik që do t’u tregonte qytetarëve se cili është shkaku i ndërprerjes, sa pritet të zgjasë dhe cilat masa po ndërmerren për rikthimin e shërbimit.
Publicisti Ardian Azemi e ka ngritur publikisht këtë çështje, duke iu drejtuar kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, me pyetjen: “Kryetar Alban, pse s’ka ndriçim publik në Gjilan?”
Azemi ka argumentuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë pse qyteti është lënë në terr dhe e ka lidhur mungesën e ndriçimit me çështjen e sigurisë publike dhe përgjegjësisë institucionale. Në reagimin e tij, ai ka përdorur edhe një dozë ironie, duke shkruar se qytetarët fillimisht përballen me problemin e qenve endacakë, ndërsa tash edhe me mungesën e ndriçimit.
Reagime të tjera janë shfaqur në rrjetet sociale, ku qytetarë e kanë përshkruar situatën si shqetësuese dhe me pasoja potenciale për jetën e përditshme. Megjithatë, një pjesë tjetër e qytetarëve ka zgjedhur të mos reagojë publikisht.
Kjo heshtje qytetare, përtej bindjeve politike, ngre një pyetje tjetër: a është normalizuar aq shumë mungesa e shërbimeve publike sa qytetari tashmë e pranon edhe terrin si pjesë të përditshmërisë?
Në anën tjetër, përgjegjësia për një shërbim publik nuk përfundon te mirëmbajtja teknike. Ajo përfshin edhe komunikimin me publikun. Kur një qytet mbetet pa një shërbim për ditë të tëra, qytetarët presin të paktën një shpjegim: çfarë ka ndodhur, kush po merret me problemin dhe kur pritet zgjidhja.
Nëse institucionet kanë një arsye teknike, administrative apo kontraktuale për këtë situatë, ajo duhet t’i komunikohet qartë publikut. Nëse ekziston një afat për rikthimin e ndriçimit, qytetarët kanë të drejtë ta dinë.
Sepse një qytet nuk matet vetëm me projektet që inaugurohen, por edhe me mënyrën se si institucionet reagojnë kur një problem prek jetën e përditshme të qytetarëve.
Gjilani meriton shërbime, transparencë dhe përgjegjësi institucionale – jo heshtje./rajonipress/


