RCCOLA

Gjilani mobilizohet maksimalisht për pastrimin e ambientit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Këshilli Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Gjilan, që përbëhet prej dhjetëra organizatave rinore, ka filluar fushatën për pastrimin e qytetit dhe fshatrave të Gjilanit, për aksionin e madh që do të zhvillohet këtu më 24 maj.

Mensur Morina, koordinator i projektit, ka thënë të martën se iniciativa për pastrimin e Gjilanit po përkrahet fuqishëm edhe nga qeveria komunale dhe drejtoritë e saj, nga Bashkësia Islame, Bashkësia “Ringjallja”, FSK, nxënësit, studentët, shoqëria civile, kompania publike “Higjiena”, pastaj nga kompani të ndryshme private dhe të tjerë, të cilët kanë vënë në funksion të këtij aksioni tërë mekanizmin dhe potencialet e tyre.

Drejtoria e Inspekcionit i ka ofruar hartat e deponive ilegale të mbeturinave, Drejtoria e Kulturës ka aktivizuar klubet sportive, ansamblet kulturore, punëtorët e Teatrit, Drejtoria e Bujqësisë ka ofruar mundësinë e mbjelljes së shumë fidanëve dhe luleve, më 24 maj, kurse Drejtoria për Arsim ka ofruar një numër të nxënësve në këtë aksion për pastrimin e Gjilanit, ka thënë Morina.

Të gjithë këta, sikurse edhe qytetarët, të cilët pritet t`i bashkohen aksionit në numër të madh, duan që Gjilani i tyre, në çdo pëllëmbë të tij, të jetë qytet evropian, pavarësisht se edhe deri tani ka qenë komuna më e pastër në Kosovë.

Organizatori u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të kësaj komune, organizatave joqeveritare, institucioneve publike, nxënësve, studentëve, pensionistëve dhe gjithë të tjerëve që kanë gatishmëri për të ndihmuar në pastrimin e ambientit në lagjen e tyre, në fshat dhe qytet, t`i bashkëngjiten aksionit të madh ‘Ta pastrojmë Gjilanin’.

Mobi Casa

Morina është optimist se më 24 maj, qyteti i Gjilanit dhe fshatrat e tij do të pastrohen nga çdo mbeturinë, duke filluar në mënyrë të organizuar nga hapësira para Teatrit të Qytetit dhe për të vazhduar tutje drejt lagjeve, vendbanimeve, lumenjve dhe hapësirave tjera.

Ardit Ajvazi nga KVRL ka thënë se aksioni do të zhvillohet në njëzet lokacione. Në qytet përfshihen tetë lokacione, ndërsa jashtë tij, fshatrat Përlepnicë, Dobërçan, Pogragjë, Malishevë, Zhegër, Livoç, Cërnicë, Bresalc, Llashticë, Uglar, Kmetoc, Kishnapole.

Janë caktuar edhe koordinatorët e lagjeve, të cilët do të pajisen me mjetet e nevojshme për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion, kurse mekanizimin për bartjen e mbeturinave, do ta sigurojë kompania “Higjiena”. Në disa vende të caktuara do të përfshihet edhe FSK-ja.

Organizatori pret që më 25 maj, Gjilani të gdhijë shumë-shumë më i pastër, ndërkohë që kërkon nga qytetarët që të vazhdojnë ta ruajnë nivelin e pastërtisë, i cili do të arrihet nga ky aksion i madh, të cilin pritet ta inkurajojë me pjesëmarrjen e saj edhe këngëtarja Genta Ismajli, pasi që Gjilani është qyteti i saj i lindjes. /rajonipress/