Gjilani ia ka ngritur imazhin Hashim Thaçit
Gjilan – Nëse dikush ia ka ngritur imazhin dhe fytyrën Hashim Thaçit atëherë ajo është Komuna e Gjilanit thotë kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa.
Qemajl Mustafa disa herë ka ngritur shqetësimin dhe alarmin rreth investimeve të pakta që po ndodhin në regjionin e Gjilanit. Tashmë ,Mustafa njihet për qëndrimin e tij se në mënyrë të padrejtë po anashkalohet kjo komunë, e cila megjithatë me një buxhet të kufizuar ka bërë punë të mëdha.
Qemajl Mustafa për rajonipress thotë se Gjilani është anashkaluar me vite të tëra dhe për këtë kemi pak rrugë të asfaltuara. “Arsyet pse nuk po investohet në Anamoravë janë të pashpjegueshme dhe të paqëndrueshme. Por nëse dikush ia ka ngritur imazhin dhe fytyrën Hashim Thaçit atëherë ajo është Komuna e Gjilanit” shprehet Mustafa.
Mustafa tha se nuk e ka të qartë pse Qeveria ka vendosur një tretman më ndryshe për komunat tjera,derisa Gjilani ka nisur me projekte shumë ambicioze dhe kapitale,por që mund të vonohen ose edhe të mos realizohen nëse Qeveria nuk alokon mjete.
Mustafa është kritik edhe ndaj deputetëve të rajonit të Anamoravës. “Deputetët e rajonit të Anamoravës fatkeqësisht nuk po i përfaqësojnë interesat e gjilanasve dhe të atyre që ua kanë marrë votat,por po përfaqësojnë interesat e familjeve të tyre”.
Mustafa tha se ata kanë paga të majme dhe po bëjnë një jetë të rehatshme, pa e qarë kokën për problemet dhe vështirësitë që kanë komunat e tyre në mungesë të investimeve nga qendra.
Sipas Mustafës po të realizohej koncepti i tij programor dhe i PDK-së dhe po të kishte investime përcjellëse , Gjilani do të ishte njëra nga komunat më të avancuara në infrastrukturë. “Nëse i shikoni dy rrugët kryesore Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Bujanoc, por edhe Gjilan-Prishtinë e shihni se fare pak është shtruar asfalt ose është intervenuar në këto rrugë./rajonipress/