Gjilani e nis me fitore kampionatin
Gjilan – Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Shënues. Sermaxhaj ’18 (pen), Haliti ‘61 –Be. Emini ’23 (pen). Gjyqtarë:B. Batalli, F. Berisha, B. Morina. Kartoni i verdhë: Uka (Gjilani) – Emini, Sylejmani, Ibishi, Namani (Llapi). Gjilani – Llapi 2:1 (1:1).
Gjilani: Ajdini, Hyseni, Kastrati (Arifi), Murseli, Uka (Maliqi), Shaqiri, Morina, Sermaxhaj, Haliti, Ferati, Selmani (Aliu).
Llapi: Elezi, Mehmeti, A. Sylejmani (Zeqiri), Blakqori, Zeqiri, B. Emini, Zhjeqi, Bl. Emini, Namani, Al. Sylejmani (Qerimi), Ibishi (Zeka).
Futbollistët e Gjilanit me fitore e kanë nisur stinorin në Ligën e Parë të Kosovës, duke e mundur me mjaftë vështirësi skuadrën e re nga Podujeva. Ndeshja ka kaluar me dy pjesëlojë të ndryshme. Derisa në pjesën e parë skuadra vendase ka dominuar dhe pati posedimin e topit më shumë në këmbët e tyre, pjesa e dytë i ka takuar plotësisht mysafirëve, e sidomos pas pësimit të golit në minutën e 61.
Deri në minutën e 17, skuadrat më shumë janë orientuar të mbrojnë portën e tyre sesa të sulmojnë për të shënuar dhe në këtë minutë shohim rastin e parë për Gjilanin. Blerim Emini brenda zonën së 16 metërshit ka ndalur Selmanin që ishte i vetmuar para portierit Elezi dhe gjyqtari Batalli që ishte afër ka treguar në pikën e bardhë, që në gol e ka shndërruar Sermaxhaj që godet këndin e poshtëm të djathtë të Elezit.
Nuk kanë kaluar as gjashtë minuta të plotë, mysafirët organizojnë sulm nga e majta përmes mbrojtësit Blakqori që tenton të harkojë për bashkëlojtarët e tij, topi në fluturim ka prekur Ukën së pari në trupin e tij e pastaj edhe ka prekur dorën e tij dhe gjyqtari përsëri ka treguar në pikën e bardhë, ndërsa në gol e ka konkretizuar Benamin Emini dhe ka barazuar rezultatin në 1:1.
Rastin e fundit për shënim për vendasin në pjesen e parë e kishte Selmani nga një pozitë ballore ka gjuajtur drejt në portierin Elezi.
Në pjesën e dytë është inkuadruar Yll Maliqi që ka ngjallur lojën e vendasve, sidomos në fillim të këtij 45 minuta dhe me disa aksione vetanake ka rrezikuar seriozisht portën e mysafirëve. Kështu në minutën e 59, nga një pozitë ideale nga 5-6 metra i vetmuar me kokë ka gjuajtur drejt në portierin Elezi, derisa dy minuta më vonë pasi kalon disa mbrojtës mysafirë, bukur brenda zonës ka gjetur Halitin që me kokë ka shënuar gol të bukur dhe për të dhënë epërsinë Gjilanit në 2:1.
Pas pranimit të golit mysafirët me të gjitha forcat janë orientuar në sulm dhe vetëm fati i ka shpëtuar vendasit që të mos pranojnë gol. Megjithatë përkundër shumë rasteve për barazim ai i minutën 73 ishte më i miri. Nga e majta Zhjeqi kalon mbrojtësin Morina, harkon bukur në zonë deri te Blakqori që ishte i vetmuar, e ndal topin, gjuan këndin e poshtëm të majtë të Ajdinit, por ky me përvojën e tij arrin që me majën e gishtave të prek topin për aq sa ta dëboj jashtë vijës fundore.
Thanë pas ndeshjes:
Muharrem Sahiti, kryetrajner i Gjilanit: Ishte loja e parë dhe e kam ditur se do të kemi vështirësi, pasi kemi pasur para veti një skuadër të re dhe e cila që në fillim ka shprehur hapur aspiratat për inkuadrim në elitë. Edhe lëndimet që patën na detyruar që të bëmë zëvendësime të pa planifikuara gjë që na prishi konceptin e lojës. Megjithatë fitorja në fund besoj se ishte e merituar.
Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: Në të shumtën e kohës ne e patëm posedimin e topit, ndërsa penalltia e akorduar, që për mua nuk ekzistonte na prishi lojën tonë. Referimi nuk ishte në nivel dhe them se ka pas ndikim në rezultatin përfundimtar. Lojtarët e mi i përgëzojë për lojën e treguar./rajonipress/


