Gjilani e Kamenica luten për dasma pa tragjedi

Gjilan – Derisa Nazif Hajrizi komandant në stacionin policor në Kamenicë ka thënë se gjendja e sigurisë në këtë qytet është e qetë,Ismet Hashani nga policia e Gjilanit ka kërkuar nga qytetarët që dasmat t’i bëjnë në mënyrë të qetë e të ndershme, e të mos kthehen në tragjedi.
Duke folur në një emision në radion Premiera, i rikthyeri në krye të stacionit policor të Kamenicës, Nazif Hajrizi e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë dhe ka folur për funksionimin e këtij stacioni.
“Kemi një gjendje të mirë. Unë edhe në të kaluarën e kam udhëhequr stacionin e Kamenicës. Është privilegj, por njëkohësisht edhe sfidë për mua, udhëheqja e stacionit policor të Kamenicës. Kemi staf të mjaftueshëm për detyrat që na dalin përpara. Ka angazhime të mjaftueshme, besoj që qytetarët janë të kënaqur me punën e policisë në komunën tonë.
Unë jam banor i Kamenicës dhe i njoh nga afër problemet e banorëve lokal. Gjatë punës dhe aktiviteteve tona, do të mundohemi që këto probleme t’i zgjidhim. Si polici, do të punojmë pa pushim për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Në Kamenicë i kemi 99 zyrtarë policor dhe 14 zyrtarë të stafit civil që e ndihmojnë punën e policisë”, ka thënë ndër të tjera kapiteni Hajrizi.
Komandanti i stacionit policor në Kamenicë, Nazif Hajrizi, nuk është në dijeni që ndonjë zyrtar policor vozit makinën pa regjistrim, por megjithatë nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Policët, sikurse pjesëmarrësit e tjerë të komunikacionit, duhet t’i nënshtrohen rregullave dhe ligjeve. Ndryshe nga qytetarët e zakonshëm, policët duhet të jenë shembull në këtë drejtim. Unë do të bëjë verifikime nëse ka raste kur policët ngasin veturat pa regjistrim dhe do të marrë masa ligjore”, ka deklaruar Hajrizi.
Kurse Ismet Hashani zëdhënës i policisë në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë në mënyrë të qetë e të ndershme, pa penguar njerëzit e tjerë.
Hashani, ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë atyre që i shkelin rregullat në trafik.
“Në këta muaj, rrugët e rajonit të Gjilanit janë të stërmbushura me vetura për shkak të ardhjes së bashkëatdhetarëve. Është e vërtetë që krijohen tollovi nga kolonat e dasmat, por nëse respektohen rregullat kjo mund të përballohet”.
Hashani në një intervistë për radion Premiera ka theksuar se festimet duke dalë jashtë veturave janë rreptësisht të ndaluara. “Në magjistralen Gjilan-Prishtinë, vitin e kaluar ka qenë një aksident zinxhiror, pikërisht për shkak të daljes së fëmijëve jashtë veturave. Një tjetër problem që po vërehet në këto muaj, janë gjuajtjet me armë nëpër dasma.
“Nëse më lejoni, unë do t’i thërras njerëzit që ahengjet, dasmat t’i bëjnë në mënyrë të qetë e të ndershme, e të mos kthehen në tragjedi”, ka deklaruar zëdhënësi rajonal i Policisë.
Hashani ka folur edhe për situatën e sigurisë në rajonin e Gjilanit, funksionimin e stacioneve të reja policore dhe hetimet në komunën e Ranillukut. “Mund të them se rajoni i Gjilanit është ndër rajonet më të qeta në Kosovë. Secili person i cilitdo nacionalitet mund të lëvizë i qetë dhe i lirë në të gjithë territorin. Duke e ditë që ne e kemi një rajon të gjatë të vijës kufitare, është një sfidë në vete për ne.
Aktualisht nuk kemi probleme të theksuara. E vërteta është që hasim në kontrabandë të mallrave e kafshëve, pra janë probleme të zakonshme që hasen në çdo kufi”, është shprehur ai./rajonipress/