Fidanishtja

Gjilani dhe Presheva dakordohen për të ndërtuar një rrugë të përbashkët

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kufijtë nuk duhet të jenë pengesë për lëvizjen e njerëzve në këtë regjion, të cilët i përkasin një origjine etnike, kanë thënë krerët e këtyre dy komunave.

Gjilani dhe Presheva kanë ndërmarrë nismën për investime të përbashkëta në ndërtimin e rrugës që i bashkon këto dy komuna fqinje nga drejtimi i Pogragjës dhe që do të jetë një projekt me rëndësi të madhe ndërkufitare. Krerët e këtyre dy komunave, Qemajl Mustafa e Ragmi Musatafa janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar, duke thënë se kufijtë nuk duhet të jenë pengesë për lëvizjen e njerëzve në këtë regjion, të cilët i përkasin një origjine etnike.

Mustafa beson se bashkimi i dokumentacionit të rrugës nga të dyja komunat, krijon mundësi për të aplikuar në fonde ndërkombëtare për realizim të këtij projekti ndërkufitar, jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sa i përket pozitës së komunitetit serb në Kosovë, u vlerësua se plani i Ahtisarit u jep të drejta jashtëzakonisht të mëdha atyre, që shkojnë përtej kartave evropiane e ndërkombëtare, por kështu nuk trajtohen edhe shqiptarët në Serbi, ku ata nuk gëzojnë as çerekun e këtyre të drejtave.

RCCOLA

Mustafa tha se ka qenë e pa qëlluar edhe vendosja e taksës. Këtë brengë e kanë ngritur edhe bizneset e Gjilanit, edhe qytetarët, prandaj shpresohet se qeveria e Kosovës do të ulë atë në nivelin e përballueshëm, nëse nuk mund ta heq fare. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës tha ndërtimi i rrugës Gjilan-Preshevë, nga drejtimi i Pogragjës, në një gjatësi mbi 6 kilometra, kërkon një kosto prej rreth 800 mijë euro, por ndikon në përmirësimin e kushteve për qytetarët të qarkullimit për qytetarët e këtyre dy komunave të Malësisë së Karadakut, por edhe për kthimin e të zhvendosurve në trojet e tyre.

Hapja e rrugës në këtë drejtim krijon kushte edhe për zhvillimin e turizmit. Shpresojmë se pas zgjedhjeve në Serbi, të ndryshojnë edhe politikat e këtij shteti ndaj Luginës së Preshevës dhe do të tërhiqet xhandarmëria nga zona kufitare e Kosovës, me ç’rast do të krijoheshin kushte më të mira për zhvillim në të dyja anët, ka thënë Mustafa. Ndërkaq, Zenun Pajaziti, deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se e kanë ngritur çështjen e taksës, që nuk është ndërmarrë ndaj askujt, por është masë reciprociteti me Serbinë. Çështja e këtyre taksave ka ndikuar shumë edhe për sa i përket qarkullimit të automjeteve nëpër këto dy komuna.

Komunitetin shqiptar e ka dëmtuar shumë, pavarësisht ku jeton ai në këtë regjion, qoftë në Bujanoc, Preshevë apo Gjilan, ka thënë Pajaziti, duke nënvizuar se kjo çështje është duke u trajtuar në nivelin më të lartë qeveritar dhe është shprehu optimist se shumë shpejt që do të hiqen këto barriera./rajonipress.com/