Gjilani çdo ditë po zbukurohet dhe po merr pamje tjetër

Gjilan – Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan, me stafin e saj, mbollën 510 drandofile, në rrugën “Molla Idrizi”. Këto lule ishin donacion nga Ndërmarrja “Qendra Kopshtare nga fshati Koretin tha Nazmi Rapuca.
Rapuca tha se vitin e kaluar në këtë rrugë është rregulluar trotuari dhe janë mbjellur drunj dekorativ. “Tani mbollëm edhe lule dhe kjo pjesë e qytetit do të duket shumë bukur.
Këtë aksion e përkrahën edhe qytetarët e asaj lagjeje, të cilët u zotuan se do t`i ujisin bimët e mbjellura dhe do të kujdesen për to. Përndryshe këto ditë po e përmbyllim projektin për gjelbërimin e qytetit-hapësirave publike. Me këtë projekt janë mbjellur rreth 1500 drunj dekorativ të llojeve të ndryshme të cilat në vitet e ardhshme do ta ndryshojnë tërësisht pamjen qytetit dhe hapësirave publike” ka thënë Rapuca.
Sipas tij ky projekt, komunës do t`i kushtojë rreth 100.000,00 (njëqind mijë) €.
“Projekti është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët, të cilët non stop na kanë bërë presion duke kërkuar që projekti të shtrihej edhe në lagjet e tyre. Duhet theksuar se qytetarët kanë treguar një kulturë të lartë sa u përket drunjve dekorativ. Asnjë dru, nuk është dëmtuar me qëllim. Dëme janë shkaktuar nga drejtuesit e automjeteve të cilët qoftë gjatë parkimit të automjeteve të tyre në trotuare ose në rast aksidenti, i kanë dëmtuar me dhjetëra drunj, të cilët janë zëvendësuar prapë”.
Rapuca ka ftuar qytetarët që të kujdesen për ambientin dhe bimët dekoruese, pasi ky aspekt paraqet pasqyrën mbi nivelin kulturor, edukativ dhe qytetërues të një populli./rajonipress/