UBT

Gjilanasit, nuk i importojnë modelet e dhunshme të sjelljes politike

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Veton Nevzadi- Kultura politike si nocion, me ndonjë dallim të vogël, përkufizohet pothuajse njëjtë nga studiuesit e çështjeve politike dhe sociale.

Ajo konsiston në një tërësi qëndrimesh, sjelljesh, vlerash apo bindjesh kolektive të qytetarëve mbi të cilat lind dhe zhvillohet në vazhdimësi jeta publike e një vendi.

Këto komponentë të kulturës politike, me kalimin e kohës etablohen si modele shoqërore të sjelljes së një entiteti politik, pasiqë ato janë të lidhura ngushtë me traditën e një populli, lashtësinë e tij, pozitën gjeostrategjike, dyndjet, madhësinë territoriale, kontestet e ndryshme me fqinjët etj.

Varësisht nga historia të cilën e ka një popull dhe nga mënyra e formësimit politik, krijohen edhe raportet ndërmjet faktorëve të ndryshëm shoqëror të cilët udhëheqin proceset kryesore në një vend. Këto raporte politike dhe shoqërore ndërtohen gradualisht duke determinuar mënyrën e komunikimit të qytetarëve dhe të subjekteve të ndryshme që janë aktive në një hapësirë të caktuar.

Sa i përket kulturës politike, Kosova përgjithësisht nuk dallon edhe aq shumë nga hapësirat tjera shqiptare. Mirëpo, nëse i analizojmë rajonet dhe qytetet ndërmjet veti vërejmë që secili prej rajoneve dhe qyteteve ka një traditë të ndryshme të komunikimit politik dhe të respektimit të vlerave publike të krijuara ndër vite.

Mënyra se si krijohen relacionet politike dhe shoqërore dallon nga komuna në komunë, prandaj themi se një komunikim politik që do të dukej normal në një komunë, për komunën tjetër nuk do të ishte i përdorshëm dhe si i tillë nuk do t’i hynte në përdorim askujt.

Hidromorava

Kjo sidomos vlen për regjionin e Anamoravës dhe veçanërisht për komunën e Gjilanit si një komunë që përgjatë historisë, në secilin nga momentet e rëndësishme të saj, ka dhënë për vendin gjithçka nga vetja dhe ka vuajtur shumë për lirinë e Kosovës.

Kultura politike të cilën e ka kultivuar tradicionalisht qytetari i Komunës së Gjilanit bazohet në një traditë të gjatë të respektit të ndërsjellë mes njerëzve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, ajo përmblidhet në një tërësi të qëndrimeve të dinjitetshme, sjelljeve të kujdesshme si dhe të ruajtjes e të kultivimit të vlerave sublime të kombit.

Këto vlera shoqërore dhe politike përveç se janë shembull për komunat tjera, mund ti shërbejnë si model edhe secilit individ apo subjekt politik të Komunës së Gjilanit, i cili ka problem me rregullat e demokracisë dhe të sjelljes politike në sistemin pluralist.

E rëndësishme është që si qytetarë të kësaj komune t’a shtojmë përkujdesjen ndaj kësaj tradite të krijuar gjeneratë pas gjenerate, ta ruajmë atë me kujdes si një dhuratë të veçantë të bartur nga paraardhësit tanë për shtetin të cilin po e ndërtojmë çdo ditë. Kjo vlen sidomos për ndonjë subjektet politik adoleshent që po mundohet të importojë një kulturë politike konfliktuoze, e cila bie ndesh me mënyrën se si komunikon politikisht shoqëria gjilanase.

Nuk është në traditën familjare dhe kolektive të gjilanasve dhuna, sepse një normë e tillë kurrë nuk i është mësuar askujt, as në familje e as në shkollë. Imitimi i shembujve të këqinjë të komunikimit politik për qëllime të ulëta të politikave ditore po mundohet të dëmtojë punët e mira që po bëhen çdo ditë. Dhuna ndaj institucioneve, mungesa e tolerancës politike dhe e respektit për tjetrin, po provon të godasë këtë traditë të mirë të komunikimit, e cila gjithnjë e ka ndihmuar shtetit tonë në avancimin e proceseve demokratike.

Gjilanasit, nuk i importojnë modelet e dhunshme të sjelljes politike, sepse ato kurrë nuk kanë qenë e as nuk janë të tyre.