Fundamenti

Gjilanasit edhe në Vlorë tregojnë rezultate

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Matematikanët e rinj gjilanas kanë prezantuar denjësisht qytetin e tyre në Olimpiadën mbarëkombëtare në Vlorë, që është mbajtur prej 25 -27 maj në Vlorë.

Në këtë garë mjaft tërheqëse dhe tejet interesante për lëndën ekzakte të Matematikës,Gjilani ka arritur të rrëmbej çmimin e dytë për klasën e tetë dhe tre nxënës tjerë të klasave të nënta janë shpërblyer nga organizatori për suksesin e arritur të tyre.

Doruntina Sylejmani, nxënëse e klasës së tetë të shkollës “Thimi Mitko”, është shpallur nënkampione e Olimpiadës së XVII Mbarëkombëtare në Vlorë, derisa tre nxënës të klasave të nënta, Florent Bajrami, Kestrin Kastrati dhe Euron Shkodra janë shpërblyer me diploma dhe lëvdata nga organizatori për suksesin e mirë të treguar.

Doruntina, e cila edhe në garat komunale në Gjilan, kishte dalë e para me pikë maksimale, ka qenë mjaft e gëzuar që megjithatë në një konkurrencë të denjë, ka dalë e dyta në nivel mbarëkombëtare, duke pas parasysh se aty kanë marrë pjesë rreth 150 garues nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Lugina e Preshevës dhe Mali I Zi.

“Natyrisht se gëzimi më i madh do të ishte po të isha kampione, por edhe ky sukses i arritur për mua është mjaft domethënës, sepse është vetëm një shtytje edhe më e madhe, që në të ardhmen të ngjitem në majën më të lartë të piramidës”, ka thënë Doruntina, e cila sivjet ka qenë mjaft e angazhuar nëpër lloj-lloj garash të ndryshme. Para Doruntinës në Vlorë ka qenë vetëm një moshatar i saj nga Durrësi(Aleksandosr Ruci), derisa ka lënë mbrapa shumë garues të qyteteve tjera të Kosovës, Maqedonisë dhe viseve tjera shqiptare.

Sami Hoxha, zyrtar i lartë në DKA e Gjilanit, dhe njëherësh profesor i Matematikës, ka vlerësuar lart këtë sukses të matematikanëve të rinj gjilanas. Sipas tij, ky sukses është si rrjedhojë e një punë të mirë sistematike e mësimdhënësve të kësaj lënde, dhe gjithsesi edhe e prindërve.

Fidanishtja

“Nxënësit gjilanas kanë dëshmuar një cilësi të lartë të dijes për Matematikë. Është një sukses që duhet mbështetur dhe përkrahur, në mënyrë që në të ardhmen sa më shumë të shtohet numri i triumfuesve”, ka thënë Hoxha, anëtar i eskortës gjilanase në Vlorë.

Për Fehmi Sylejmanin, koordinator i garave në Gjilan, ky sukses veç ka qenë i pritshëm, për faktin se tashmë Gjilani ka qenë kampion dhe vicekampion i Olimpiadave matematikore mbarëkombëtare.

“Me një punë që është duke u bërë viteve të fundit,në radhë të parë të mësimdhënësve, nxënësve , prindërve dhe organeve relevante arsimore, ky sukses veç është pritur dhe kemi prezantuar denjësisht qytetin tonë. Edhe atë nxënës të cilët nuk kanë arrit të shpërblehen, me pikët e arritura kanë qenë më lart se mesatarja e rezultateve zyrtare”, ka thënë Sylejmani, duke shtuar se përveç, të disa garuesve nga Shqipëria, nxënësit gjilanas kanë qenë më të mirët prej të tjerëve garues të qyteteve dhe trevave tjera shqiptare.

“Na kanë pasur lakmi pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në këtë eveniment të rëndësishme arsimor, për faktin se kemi qene mbase ekipi më i organizuar ”, ka pohuar Sylejmani.

Gjilani në këtë garë ka marrë pjesë me dhjetë nxënës, si dhe me dhjetë mësimdhënës të Matematikës,derisa për shkuarjen, akomodimin dhe ardhjen e tyre është përkujdesur kryetari i komunës, Qemajl Mustafa dhe drejtori komunal i arsimit, Bujar Nevzati./rajonipress/