Gjilanasi Ermal Maloku vlerësohet nga BQK si Ekonomisti i Ri i Vitit
Gjilan – Ermal Maloku, 22-vjeçar nga Gjilani, është shpërblyer me çmimin për Ekonomist të Ri, të ndarë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), si vlerësim për arritjet e tij profesionale dhe potencialin e spikatur në fushën e financave dhe kontabilitetit.
Ky çmim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm institucional për një profesionist të ri, i cili tashmë ka dëshmuar aftësi të avancuara në kontabilitet, analizë financiare dhe menaxhim të të dhënave ekonomike.
Ermal Maloku ka ndjekur dhe përfunduar me sukses një sërë trajnimesh të certifikuara në fushat e financave dhe kontabilitetit, duke ndërtuar një profil profesional bashkëkohor dhe konkurrues në tregun e punës.
Përvoja e tij praktike në kompaninë “Joni Group” SHPK në Gjilan ka qenë një element kyç në zhvillimin e tij profesional. Duke kombinuar dijen akademike me përvojën konkrete në sektorin privat, Maloku ka arritur të afirmohet dhe të depërtojë deri në nivelin e vlerësimeve profesionale që ndan BQK-ja, një institucion me kredibilitet të lartë financiar.
Në saje të zotësisë, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm, Ermal Maloku u përzgjodh këtë vit si fitues i çmimit për Ekonomist të Ri, duke u renditur ndër emrat premtues të brezit të ri të ekonomistëve në Kosovë.
“Jam jashtëzakonisht i gëzuar për këtë arritje dhe për çmimin që më është ndarë nga një institucion kredibil si Banka Qendrore e Kosovës. Ky vlerësim më motivon që në vitet në vijim të vazhdoj avancimin akademik, përfshirë edhe regjistrimin e studimeve të doktoratës, pasi kam kapacitet dhe motiv të lartë profesional. Në këtë rrugëtim, falënderoj profesorin tim të respektuar, Aziz Sabedini, si dhe kompaninë profesionale ‘Joni Group’, e cila më ka mbështetur që nga fillimi i angazhimit tim profesional paralelisht me përfundimin e studimeve,” ka deklaruar Maloku për rajonipress.
Ermal Maloku ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin “Kadri Zeka” në drejtimin Financa dhe Kontabilitet i Aplikuar, ndërsa studimet Master i ka ndjekur në AAB në drejtimin Kontabilitet dhe Auditim.
Po ashtu, ai ka përfunduar trajnime profesionale në fushat:
Analytics in Finance
Business Intelligence and Knowledge Management Systems
Financial Performance
ISO 19011 – Lead Auditor
AI in Finance
Sa i përket certifikimeve profesionale, Ermal Maloku mban titullin Teknik Kontabiliteti, ndërsa aktualisht është në fazën përfundimtare të certifikimit si Kontabilist i Certifikuar.
Rasti i Ermal Malokut dëshmon rëndësinë e investimit në arsim cilësor, trajnime profesionale dhe mentorim të duhur, duke e bërë atë një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë suksesin në fushën e ekonomisë dhe financave./rajonipress/



