Gjilan: Diskutohet rregullorja për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën komunale
Gjilan – Në Komunën e Gjilanit është mbajtur punëtoria për Rregulloren komunale për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në shërbimin civil, me qëllim të avancimit të strukturës organizative dhe rritjes së efikasitetit të administratës komunale.
Punëtoria u organizua nën drejtimin e Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, dhe nën udhëheqjen e kryesuesit të Komisionit, Burim Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së.
Në takim morën pjesë drejtorët e drejtorive komunale dhe udhëheqësit e sektorëve të shërbimit civil.
Gjatë punëtorisë u diskutua për strukturën organizative të administratës komunale, sistematizimin e vendeve të punës, si dhe përcaktimin e qartë të detyrave dhe përgjegjësive të zyrtarëve.
Sipas organizatorëve, këto diskutime synojnë krijimin e një organizimi më funksional të administratës dhe përmirësimin e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve komunale.
Pjesëmarrësit paraqitën propozime dhe sugjerime konkrete lidhur me përmbajtjen e rregullores, me fokus në harmonizimin e saj me legjislacionin në fuqi dhe me nevojat e administratës komunale.
Rregullorja pritet të përcaktojë më qartë strukturën, përgjegjësitë dhe pozitat e punës brenda administratës komunale, në funksion të një organizimi më të qëndrueshëm dhe më efikas të shërbimit civil./rajonipress/


