Fundamenti

Gjest solidar e njerëzor i Sevdail Halitit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në Komunën e Gjilanit, respektivisht në lagjen “Dheu i Bardhë” sot është vënë gurë – themeli për ndërtimin e një shtëpie për familjen Shehu, që është rast social dhe ka tre fëmijë që në ndërkohë kanë mbetur pa prind. Shtëpia për këtë familje jetimësh, do të ndërtohet nga Sevdail Haliti nga fshati Kokaj që jeton dhe vepron në Zvicër. Gurëthemeli është vënë nga Kryetari i Komunës, donatori dhe familjarë.

Iniciator i këtij ndërtimi ishte shefi i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi në mbështetje nga kryetari i Komunës dhe drejtori i shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Këtë iniciativë e ka përshëndetur dhe mirëpritur jashtëzakonisht mirë dhe investim shumë me vend kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, i cili ka thënë se ky akt vlerësohet jashtëzakonisht lart nga ana e Komunës së Gjilanit dhe është një nga shumë aktet e mira që po i bëjmë ne si shoqëri, është edhe një donator më tepër tash në këtë rast është nga Sevdaili, një bashkatdhetarë që jeton në Zvicër.

“Jo rastësisht e them bashkë, sepse punët e mira bëhen përherë kur bashkohen energjitë dhe kur ka bashkim të energjive gjithnjë përfiton qytetari ynë. Komuna ka për çdo vit donatorë të shumtë që ndihmojnë rastet sociale, që ndërtojnë shtëpi, për strehim të familjeve në nevojë e që ndryshojnë rrënjësisht jetën e një familje të tillë. E falënderojmë shumë donatorin e ndërtimit të kësaj shtëpie dhe informojmë publikun se deri më tani janë ndërtuar disa dhjetëra shtëpi, por që nevojat janë ende shumë të mëdha për investime të kësaj natyre” tha Mustafa.

Mustafa tha se Gjilani dhe Kosova ka ende shumë nevojë që të jemi solidar mes vete sepse Kosova është ende e varfër dhe ekonomia e saj është ende e ulët dhe familjet kanë nevojë për ndihmën e institucioneve, por edhe të donatorëve jashtëzakonisht shumë, të cilët mund të gjenden në fqinjësi, lagje, fshatra e poashtu mund të gjendet në diasporë sepse njerëzit tanë atje ende kanë një fuqi që mund ta investojnë në vendin e tyre. “Sevdaili e ka marrë për obligim që këtë shtëpi ta ndërtoj dhe t’ia dorëzoj familjes me çelësa në dorë”, tha kryetari Mustafa duke apeluar që të gjithë ata që kanë mundësi le të investojnë sepse vërtet ja vlen sot të ndihmohen familje të kësaj natyre” tha Mustafa.

UBT

Ndërsa donatori, Sevdail Haliti, i emocionuar për aktin që sot nisi ndërtimi i shtëpisë tha se nuk mund të flas shumë pos që këtë e ka bërë falë solidaritetit me këtë familje jetimësh, dhe investimi që ai do ta bëjë tha se i takon me të vërtet kësaj familjeje, sepse pasuria e fituar duhet të ndahet edhe me të tjerët që edhe ata ta shijojnë jetën normalisht. “Nëse zoti do të më jep “bereqet” edhe në ta ardhmen siç më ka dhënë deri më tani, do të vazhdoj t’i ndihmoj njerëzit dhe familjet e kësaj natyre”, ishin fjalët që Haliti i tha para të pranishmëve, duke ndarë emocionet me familjen të cilët ishin shumë të gëzuar nga lajmi se do t’u ndërtohet shtëpia.

Xhemajl Salihu, drejtor i Drejtorisë se Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, tha se ky është një projekt që sot po nis është falë zemërgjerësisë së Sevdailit, sepse ne gjatë gjithë vitit angazhohemi se si të gjejmë një rrugë – zgjidhje për trajtimin e rasteve sociale, jetimëve, etj., dhe ky investim na jep një fuqi që ne edhe më tutje të punojmë në gjetjen e njerëzve që kanë mundësi për të ndihmuar. Ai nuk la pa përmendur edhe numrin shumë të madh të rasteve sociale që për t’u siguruar kulm mbi kokë janë rreth 300 familje të cilat jetojnë në kushte shumë të rënda ekonomike dhe sociale. Ne për çdo vit angazhohemi që tu dalim në ndihmë me pako ushqimore apo edhe me lëndë djegëse për ngrohje.

Ndërsa nën lotët e gëzimit, Xhavit Shehu, gjyshi i fëmijëve, tha se një falënderim të veçantë e meritojnë këta shokë që janë angazhuar për t`i ndihmuar nipat dhe mbesat e mia që kanë mbetur pa babë e nënë, dhe vetëm zoti ua ktheftë për së miri, sepse unë më nuk di çfarë të them.

Diard Shehu fëmiut të cilit do t`i ndërtohet shtëpia tha se gjendja jonë ishte shumë e rëndë ekonomike dhe sociale, por tani jemi shumë të kënaqur dhe nuk kemi fjalë e as fuqi që ta përshkruaj një gjest kaq human dhe gjest kaq të madh që ka treguar Sevdaili për neve që kemi mbetur kështu siç jemi. Ne jemi nën përkujdesje sociale, dhe tani ja, edhe neve na erdhi radha të bëhemi me shtëpi./rajonipress/