UBT

Gjësendet e vjedhura në Gjilan i shitnin në Preshevë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan- Policia në Gjilan ka arritur të identifikojë autorët e një serie veprash penale “Vjedhje të rënda” si dhe të arrestojë një nga tre të dyshimtit, derisa dy të tjerët janë në arrati.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, tha se është arritur të arrestohet Liman (Refik) Hasani, i lindur më 18.09.1985 në Fshatin Rahovicë të Preshevë, ndërsa të dyshuarit Muhamed (Ridvan) Sulejmanovski, i lindur më 01.11.1979 në Kumanovë dhe Isa (Ridvan) Sulejmanovski, i lindur më 05.05.1989 në Kumanovë janë në arrati.

I dyshuari Liman Hasani ka pranuar se së bashku me dy të dyshuarit tjerë kanë kryer vepra penale “Vjedhje të rënda” gjithsej 14 vepra të tilla, nëpër shtëpi të ndryshme ku kryesisht kanë vjedhur stoli ari dhe gjësende tjera me vlerë.

Këta të dyshuar çdo ditë kanë hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Muçibabë, me veturën e tyre “BMË X5” me targa SK e nganjëherë me veturën “Fiat Punto” me targa maqedonase të Shtipi dhe pas kryerjes së vjedhjeve ktheheshin menjëherë për në Preshevë, ku i shitnin stolitë e arit dhe gjësendet e vjedhura, një pronari të një bizhuterie, M. Buriqi në qendër të Preshevës.

UBT

Këta të dyshuar këto vepra penale i kanë kryer në Gjilan në 15 ditët e fundit.

I dyshuari Liman Hasani, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal, ndërsa për dy të arratisurit është ngritur kallëzim penal në mungesë dhe besohet se të njëjtit gjenden në qytetin e Preshevës.

Policia ka bërë ekzaminimet e duhura në vendet ku ata kishin kryer vjedhjet dhe ka siguruar provat të cilat do të procedohen në gjykatë. Lidhur me arrestimin e dy të dyshuarve Muhamed (Ridvan) Sulejmanovski dhe Isa (Ridvan) Sulejmanovski që gjenden në arrati janë bërë kërkesat e nevojshme autoriteteve Kosovë-Maqedoni dhe së shpejti pritet arrestimi i tyre, si dhe sjellja para organeve të drejtësisë./rajonipress/