Gjermani që ka krijuar 650 vende të punës në Shqipëri
Ndërmarrja që mban mbiemrin familjar të pronarit (Naber), gjatë 15 viteve të fundit ka krijuar 650 vende të punës në Shqipëri.
Bernd Naber vjen nga qyteti Neunkirchen dhe është sigurisht gjermani i parë që merr nga një qytet i madh shqiptar titullin e qytetarit të nderit. Qyteti quhet Durrës dhe, me 113 mijë banorët e tij është i dyti në vend për nga madhësia. Durrësi, për gjermanin Naber është bërë të thuash vendlindje e dytë.
Dhe, ai e ka merituar plotësisht një nderim të tillë. Ndërmarrja që mban mbiemrin e tij familjar (Naber), gjatë 15 viteve të fundit ka krijuar 650 vende të punës në Shqipëri. “Unë nuk njoh ndonjë ndërmarrës tjetër gjerman që të ketë pasur një sukses të ngjashëm”, thotë Naber , duke lënë për pak mënjanë modestinë që zakonisht i nderon bashkëvendësit e tij dhe atë vetë.
Para 16 vitesh ai ka filluar të prodhojë në Shqipëri bluza, funde, fustana dhe pantallona. Biznesin e ka filluar rastësisht dhe ka pasur momente kur ka dyshuar në vete nëse ka marrë vendimin e duhur duke u përcaktuar për Shqipërinë.
Por ndërkohë ai ka ndërtuar një rrjet të mirë atje, diçka që për një vend si Shqipëria, që ka ende nevojë për të ndërtuar demokracinë e saj, është diçka elementare. Rrjeti përbëhet nga njerëz të rëndësishëm.
I tillë është për shembull Nazmi Grori, që është si të thuash, dora e zgjatur e Naberit në Shqipëri. Para dy vitesh, me ndihmën e Grorit, ndërmarrësi gjerman ka zgjeruar edhe më tutje prodhimin, duke ngritur fabrikën tjetër “Naber 2”, e cila prodhon xhinsa, edhe për markën Versace etj.
Për gjermanin ndërkohë punojnë 650 punëtorë, kryesisht femra. Ai është shumë i kënaqur me nivelin e arritur. Natyrisht, niveli i ulët i pagave në vendin që, pas Moldavisë është i dyti për nga varfëria në Evropë ka rol përcaktues. Qepëset e tij fitojnë afërisht sa një e gjashta e asaj që do të duheshin paguar koleget e tyre në Gjermani.
“Por, ato mund të jetojnë mirë me këto paga, edhe për faktin se shumica e familjeve shqiptare që nga koha e diktaturës zotërojnë banesa me vlerë, ose tashmë të paguara, ndërsa çmimet në përgjithësi janë të ulëta. Dhe , në këto kushte, Naber do të falënderohet nga “qyteti i tij”, Durrësi.
Shqiptarët janë mirënjohës se dikush ka shkuar te ta dhe u ka dhënë punë atyre. Klientët e Naber-it, shitësit, konstatojnë se te prodhimet shqiptare të pronarit gjerman, raporti në mes të cilësisë dhe çmimit është i drejtë. Që kjo të vazhdojë kështu, kujdeset edhe vetë shefi. Ai kalon rreth dhjetë javë të vitit në Shqipëri.


