Gjenevë: Dy vizita në historinë e shqiptarëve

Viti 2012 po shënohet me një numër të madh të festimeve me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët, por edhe një publik i gjerë gëzuan mundësinë për të marrë pjesë në ngjarje të ndryshme kulturore e festive.

Kështu që, javën e kaluar, lokalet e Universitetit të Gjenevës Unimail pritën dy evenimente shiqptare, njëra e organizuar nga studentët shqiptarë të Gjenevës dhe tjera nga Universiteti Popullor Shqiptar në bashkëpunim me shoqatën Licra.

Përveç një publiku heterogjenë dhe shumëkombësh, prezenca e një numri të madh të të rinjve shqiptarë vërehej me shumë kënaqësi.

Mbrëmje akademike

Gjatë një mbrëmjeje e tërë historia e Shqipërisë u shpalos nga ekspertët akademikë nën temën “Etapat kushtetuese të Shtetit Shqiptar: që nga viti 1912 e deri në ditët e sotme”. Profesorët shpalosën pikëpamjet e tyre për temën e krijimit të pavarësisë së Shqipërisë.

Qyteti i Gjenevës ishte shumë i rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar, po në Gjenevë Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në mënyrë unanime pranoi pavarësinë e shtetit të Shqipërisë. Kjo ishte një fitore e madhe për Shqipërinë politike dhe ligjore, e cila me Traktatin e Londrës dhe Protokollin e Korfuzit rrezikonte ekzistencën e shtetit shqiptar, u shpreh në hyrjen e tij Endrit Poda, anëtar i Komitetit të Shoqatës së studentëve shqiptarë të Gjenevës.

Në këtë konferencë akademikët i janë kthyer udhëtimit të vështirë para fitores së pavarësisë së Shqipërisë, historisë parlamentare gjatë një shekulli pavarësie (prof. akademik Luan Omari, bashkë me prof. akademik Arben Puto), si dhe figurave të ndryshme politike që kanë shënuar atë kohë, sidomos te ajo e personalitetit emblematik të Ismajl Qemalit (Dr. Stiliano Ordolli ka mbrojtur me sukses doktoraturën në Universitetin e Gjenevës, Fakulteti Juridik. ”). Dr. Ordolli shpjegoi idetë, besimet dhe shtigje që çuan Ismajl Qemalin deri në aktin historik që ishte shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe studentët bashkë me kureshtarët për histori u njohën falë përshkrimit shumë origjinal të Dr. Ordollit me mendjen liberale, federaliste dhe atdhetare të dijetarit të famshëm Ismajl Qemaili

“Rescue in Albania”

Po në të njëjtën mbrëmje, në një sallë tjetër të Universitetit të Gjenevës po dëgjohej dhe shikohej një copë tjetër e historisë shqiptare. Kjo nuk kishte asgjë të bëjë me historinë e Pavarësisë shqiptare. Në një ekran gjigant shikuesit zbulonin me shumë habi dhe respekt se si popullata shqiptare kishte arritur t’ua shpëtojë jetën afro 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Falë organizimit të dy ambasadave (Shqipëri dhe Kosovë), UPSH-së dhe shoqatës zvicerane Licra, dokumentari i realizuar nga Dardan Islami arriti të shfaqet edhe në Gjenevë.

Dokumentari tregon për historinë e dy mijë hebrenjve që gjetën strehë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dardan Islami arrin, me një stil shumë të thjeshtë dhe elegant, të portretizojë këtë dukuri të historisë shqiptare.

Filmi “Shpëtimi në Shqipëri” është rezultat i hulumtimeve të përpikta dhe të gjata që çuan Dardan Islamin bashkë me Alush Gashin dhe ekipin e tij nga malet më të largëta të Shqipërisë gjerë në Nju-Jork dhe Tel-Aviv, në gjurmët e atyre që kanë gjetur strehë në Shqipëri dhe Kosovë.

Në fillim të luftës, ndërsa Shqipëria dhe Kosova ishin nën pushtimin italian, qeveria shqiptare pati përdorur autoritetin e vogël që kishte për të bërë një marrëveshje me italianët. Kjo marrëveshje i mundësonte asaj shmangien nga detyrimi për të informuar forcat gjermane duke iu dorëzuar atyre një listë të hebrenjve në territorin e saj, mësojmë në reportazh.

Kanuni shqiptar, kodi i nderit kombëtar, përcakton se shtëpia i përket të zotit të shtëpisë, perëndisë dhe mysafirit

“Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore doli me popullsi më të madhe hebrenje sesa kishte pasur para luftës (ajo kaloi nga 200 në 2000). Kjo është për shkak se shqiptarët mbrojtën dhe strehuan hebrenjtë që hynin në shtetin e tyre nga e gjithë Evropa, e po ashtu nga regjimi nazist dhe prej përkrahësve të tyre. Siç është e dëshmuar nga të mbijetuarit, por edhe nga historianët, familjet shqiptare e vinin në rrezik jetën e tyre për këtë mision fisnik”, shpjegohet në dokumentarin “Rescue in Albania”.

Për herë të parë një reportazh i tërë u jep fjalën të mbijetuarve hebrenj të Holokaustit, ata flasin për fisnikërinë e popullit shqiptar, të cilit ishin të gatshëm të rrezikojnë çdo gjë për të shpëtuar miqtë e tyre. Një copë e historisë shqiptare e ngjallur falë dëshmisë së hebrenjve që tregojnë më shumë mirënjohje për mirësinë e zakoneve dhe traditave shqiptare, për rëndësinë e besës.

Johanna Neuman, e cila jeton në SHBA, tregon për natën e kristalit të nëntorit 1938, kur babai i saj u detyrua të braktisë Gjermaninë. Ajo përshkruan me dhembje të përmbajtur tmerrin e regjimit nazist dhe fatin që të parët e saj kishin pasur me popullin shqiptar.

Jakob Altarat, (Tel-Aviv) rikujton dhimbjet e humbjes së motrës dhe nënës së tij. Ai rikujtoi bujarinë e shqiptarëve. Fatmirësisht, pjesa e familjes që arriti të shpëtojë vajti në Shqipëri. Ai tregon: “Kur dikush kishte nevojë për diçka, mund të trokiste edhe në mes të natës në derë të ndonjë fshatari me kërkesë për ndihmë, ai pa pyetur e ushqente dhe e strehonte. Fshatarët na siguronin se asgjë nuk do të na ndodhte, madje na thoshin se më parë do t’u ndodhte atyre diçka sesa neve. Këto ishin fjalët që ne dëgjonim çdokund në Shqipëri”.

E kështu me radhë, dokumentari duke u dhënë fjalën hebrenjve të Shqipërisë nënvizon veçorinë e kulturës shqiptare: Bujaria, mëshira, përgjegjësia për jetën e tjetrit, guximi dhe mbështetja e shqiptarëve pa kusht, bëjnë që për 27 minuta shikuesi të mos shkoqë sytë me plot admirim, dhembshuri dhe me bindjen se ky dokumentar nuk duhet të mbetët pa u parë.(albinfo)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS