Gjendja e sigurisë e qetë e stabile, mbetet shqetësuese ajo me pandeminë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, ka mbajtur mbledhjen e pestë të radhës, në të cilën u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë dhe atë të pandemisë në veçanti.

Zv. Kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, njiherit kryesues i mbledhjes, fillimisht njoftoi me gjendjen aktuale të pandemisë, me që rast edhe paraqiti statistikat rreth infektimeve në komunën e Vitisë, që nga fillimi i saj e deri më tash. “Momentalisht në komunën e Vitisë janë 268 raste aktive dhe të hospitalizuar janë 8 pacient të infektuar me Covid 19. Prej fillimit të pandemisë e deri më tani, në komunën e Vitisë kanë qenë pozitiv 2,738 raste, prej tyre 2,374 janë shëruar dhe 96 nuk kanë mundur ti mbijetojnë”, ka bërë të ditur Aliu.

Ai po ashtu ka folur edhe për një shqetësim tjetër që janë rastet e zjarreve, që këtë vit kanë qenë shumë të shpeshta, krahasuar me vitet e kaluara, kurse për gjendjen shëndetësore të dy zjarrfikësve të aksidentuar dy ditë më parë në Kllokot, ka thënë se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së komandantit të policisë në Viti toger Haki Morina, ka njoftuar se gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë, është e qetë dhe stabile, kurse në aspektin e shëndetësisë, janë mobilizuar në zbatim të masave që janë dhënë nga IKSHPK, që do të thotë se ditë më parë kanë filluar me planin gatishmëri vepruese, ku policët janë me orar prej 12 orësh në shërbim.

UBT

Duke folur për inspektimin në terren, togeri Morina tha se për 10 ditë, janë sanksionuar 700 qytetar, ku pjesa dërmuese e tyre për mos respektim të masave siç është vendosja e maskës në vende të frekuentuara.

Kurse sa i përket aksidenteve, ai tha se janë evidentuar 72 aksidente për 4 muajt e fundit. “Karakteristikë e këtij viti, kanë qenë zjarret, që kemi pasur rritje të tyre. Përderisa që në 10 vitet e fundit, vetëm është apeluar për mos ndezje të zjarreve, nga sivjet kanë filluar me procedim të rasteve të qytetarëve për zjarr vënie”, tha ai.

Në këtë mbledhje, u paraqiten edhe një varg kërkesash nga pjesëmarrësit si ajo për lirim të trotuareve në Pozheran, mobilizim më i shtuar për parandalimin e zjarreve në teren, mundësia e largimit të kontejnerëve pranë çerdhes së fëmijëve, etj, si dhe u apelua tek qytetarët që të mos ndezin hamullore, apo çfarëdo zjarri sepse kjo po shkakton pasoja të mëdha.

Kurse drejtori i Arsimit në Viti, Basri Aliu, ka njoftuar se nga ana teknike janë të përgatitura të gjitha shkollat në komunën e Vitisë. Sa i përket vaksinimit, ai tha se 84 % e punonjësve arsimor, duke përfshirë edhe stafin mbështetës, prej tyre 378 me dozën e parë dhe 267 me të dyja dozat./rajonipress/