Gjejeni zgjidhjen!

Ngërçi politik është situatë shqetësuese që po çon drejt kolapsit shumë institucione të tjera. Kështu e vlerëson vonesën në konstituimin e Parlamentit, shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, i cili shpreson se zgjidhja të mos bartet me metoda jashtë institucionale dhe që do të eskalonte në rrugë. Në një intervistë për Zonën e Debatit në Klan Kosova, Zbogar u bëri thirrjeve politikanëve të gjejnë zgjidhje për të krijuar institucionet.
Ai ripërsëriti se BE nuk do të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij ngërçi sepse kosovarët duhet ta dinë më mirë se çka është e duhur për vendin e tyre. “Ne mendojmë se ju e dini më së miri se çfarë duhet për Kosovën. Populli ka votuar, i keni përfaqësuesit e juaj dhe ata duhet të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Zhbogar. Secila vonesë, sipas tij, shkakton shqetësim tek BE-ja dhe blloku 28 anëtarësh. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë shpreson se zgjidhja të mos bartet me metoda jashtëinstitucionale dhe që do të eskalonte në rrugë.
Më tutje gjatë kësaj interviste Zhbogar konsideroi se zgjedhjet e reja duhet të jenë opsioni i fundit për daljen nga kjo situatë, sepse kjo do të shkaktonte vonesa të tjera që janë të dëmshme për Kosovën. Mirëpo, sipas tij, ato janë gjithmonë një opsion demokratik, ndonëse zgjedhjet në dimër sipas tij, frikësojnë BE-në se nuk do të jenë aq të mira siç kanë qenë ato të 8 qershorit…(Tribuna).