Fundamenti

Buxhovi: Gjimnastika e viteve të fundit në Veri shtriu sovranitet policor por jo politik, e largoi Kosovën nga integrimet dhe aleatët

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nyja Gordiane mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbajë peng sigurinë e rajonit dhe sidomos të ardhmen euro-atlantike të Kosovës si shtet. Nevoja për një zgjidhje është e madhe, ndërkohë që ndryshimet gjeopolitike e bëjnë edhe më urgjente gjetjen e një shtegu që do t’i jepte fund problemit shumë vjeçar me fqinjin verior dhe do të hapte rrugën e Kosovës për njohje të reja, integrim në BE dhe NATO.

Besnik Velija

Por cili është kompromisi që Kosova s’guxon ta bëjë në këtë proces tejet të komplikuar të dialogimit me Serbinë. Historiani kosovar, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se për shkak të gabimeve të klasës politike kosovare në raport me dialogun dhe detyrimeve kushtetuese që dalin nga procesi, sikurse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kanë bërë që Serbia të implikohet politikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në proces.

Buxhovi thekson se kjo ka shndërruar procesin e dialogut në një maratonë të lodhshme dhe e ka çuar deri në atë pikë që fundi mund t’i vihet nga një diktat i jashtëm në përputhje me rrethanat e reja gjeopolitike “na pëlqeu apo nuk na pëlqeu kjo”.

Në pyetjen se çfarë s’guxon Kosova që të pranojë si kompromis në këtë proces, Buxhovi i përgjigjet me një pyetje tjetër, duke thënë se çfarë guxon të pranojë Kosova nga kompromiset e shumta që ka bërë kohët e fundit, përfshirë edhe ato nga Marrëveshja e Brukselit dhe parimet e Ohrit të aprovuara nga Qeveria Kurti.

Historiani kosovar thotë se këto marrëveshje kanë karakter ndërkombëtar dhe duhen zbatuar pavarësisht se “për konsum të brendshëm politik maskohen me retorikën e “nënshkrimit” apo “mosnënshkrimit” nga Serbia.

Pika e 7 e Marrëveshjes së Brukselit për të cilën është pajtuar kryeministri Albin Kurti e që ka të bëjë me Vetëmenaxhmin, Buxhovi thotë se prek themelet e Kushtetutës së Kosovës.

“Pika e shtatë ndër dhjetë sosh të Brukselit, krahas zbatimit të asociacionit në përmasat e marrëveshjeve të vitit 2013 mbi parimet e viti 2015, parasheh edhe autonomi territoriale dhe politike të komunitetit serb në Kosovë, gjë që prek themelet e kushtetutës së Kosovës!”, shprehet Buxhovi.

Përveç problemit me Serbinë, rrugën përpara të Kosovës do ta bëjë edhe më të vështirë ndarja e re politike që po ndodh mes SHBA-së dhe BE-së pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kosova si shtet i krijuar me “aminin” e këtyre dy fuqive, do të duhet të gjejë një qëndrim të balancuar gjeopolitik, ndonëse këtë ia bën edhe më të vështirë pozicioni aktual, me raporte jo të mira me Amerikën dhe nën sanksione zyrtare të BE-së.

Historiani Jusuf Buxhovi thotë për Express se sjellja e papërgjegjshme e pjesës më të madhe të klasës politike kosovare në raport me shtetin e Kosovës, ka bërë që Kosova, nga një faktor i rëndësishëm gjeopolitik rajonal, të degradohet deri në atë masë kur shtetit të Kosovës t’i vendosen sanksione nga themeluesit e saj, ndërkohë që Serbia të kthehet në partner.

“Sjellja e papërgjegjshme e pjesës më të madhe të klasës politike të Kosovës në raport me shtetin e Kosovës, duke e trajtuar atë si prone personale për përfitime meskine dhe jo si një të arritur të jashtëzakonshme historike ndër më të mëdhatë e këtij shekulli, që kërkon përkushtim të vazhdueshëm qytetar dhe patriotik që ai të konsolidohet nga brenda dhe nga jashtë, ka ndikuar që nga faktori i rëndësishëm gjeopolitik rajonal, siç ishte një kohë, së voni, të degradohet në periferi të saj deri aty që vendi për të cilin aleatët tanë (SHBA-të dhe NATO-ja për ta çliruar nga Serbia përdorën edhe bombat),të vihet nën sanksione prej themeluesve të saj, ndërkohë Serbia, të kthehet në partner”, ka thënë Buxhovi për Express.

Ish-gazetari kosovar, thotë se ky realitet dëshpërues ka arritur pikën më kritike gjatë qeverisjes katër vjeçare të kryeministrit të Kosovës dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, nga moszbatimi i obligimeve kushtetuese të Kosovës, në raport me Asociacionin e Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, 2013, parimeve të vitit 2015 dhe marrëveshjes Bruksel-Ohër.

Ai potencon se veprimet që janë bërë gjatë kësaj kohe në Veri të Kosovës, që kanë rezultuar me sovranitet policor por jo edhe politik, kanë larguar Kosovën nga integrimet dhe aleatët, dhe ka izoluar Kosovën dhe e ka izoluar Amerika si aleati kryesor.

Uji Dea

“Gjimnastika politike që është përdorur gjatë kësaj kohe, përkundër disa ndryshimeve politike në Veri të Kosovës (shtrirja e sovranitetit policor, por jo edhe atij politik), që duhet lidhë më tepër me zhvillime gjeopolitike e më pak me merita politike, Kosovën e ka larguar nga integrimet evropiane dhe aleatët tanë, ndërkohë që e ka izoluar nga ajo amerikane, mbështetësja kryesore e shtetit të Kosovës dhe qenies së saj”, ka theksuar Jusuf Buxhovi.

Sipas Buxhovit, lëvizjet gjeopolitike që po ndodhin si pasojë e qasjes së re të Shtëpisë së Bardhë, në veçanti politika ndaj Rusisë, sigurisë evropiane dhe lëvizjet e tjera gjeostrategjike, tregojnë se rendi i deritanishëm botëror i liberalizimit ekonomik po i lëshon vend një rendi tjetër, ku SHBA “kërkon rolin e një hegjemonie në bashkëpunim me faktorin rusi për të vendosur balancimet e reja të gjeopolitikës botërore”.

Historiani kosovar thotë se këtu rol kyç luan gjeoekonomia.

Por si duhet të pozicionohet Kosova përballë gjithë këtyre ndryshimeve të hovshme dhe të paparashikueshme gjeopolitike?

Buxhovi thotë se pozicioni i Kosovës duhet të jetë krah SHBA-së, NATO-s dhe faktorëve që janë në përputhje me këtë përbërje, përfshirë edhe Evropën, por jashtë varësisë ekonomike të Rusisë.

Ai thotë se çfarëdo hezitimi për t’u pozicionuar kësisoj, mund të ketë pasoja për Kosovën, meqë sipas tij, si vend që ka humbur besueshmërinë, mund të kthehet në një objekt kusuritjesh sikurse ka qenë nga Kriza Lindore e më pas.

“Pozicionimi i Kosovës në këtë zhvillim të paparashikueshëm dhe tejet dinamik, duhet të jetë kundruall SHBA-ve, NATO-s dhe faktorëve që janë në përputhje me këtë konstalacion, ku përfshihet edhe Evropa, por jashtë varësisë ekonomike ruse, siç ishte deri më tash. Çfarëdo hezitimi në këtë drejtim, mund të ketë pasoja të dëmshme po edhe të rrezikshme për Kosovën, ngaqë nga subjekti politik me kredibilitet të humbur tash, mund të kthehet në objekt kusuritjesh, siç ka qenë nga Kriza Lindore e këndej!”, ka thënë Buxhovi për Gazetën Express.

Përveç ndikimeve të jashtëm të fuqive si SHBA dhe BE, për atë se çfarë ndodh me Kosovën si shtet ka jashtëzakonisht shumë rëndësi edhe mënyra se si vepron klasa politike kosovare, mes vete dhe në raport me shtetin e Kosovës.

Në këtë pikë, historiani kosovar, Jusuf Buxhovi, shprehet kritik, duke thënë se Kosova gjendet në një situatë tejet kritike duke u përballë me sfida ekzistenciale.

Ai thotë se në vend të të bashkohet spektri politik, për t’i dhënë vendit një qeveri të unitetit kombëtar ose teknike dhe t’i japë zgjidhje të shpejtë përkatësisë perëndimorë, SHBA-së dhe NATO-s, ata sillen sikur s’po ndodh asgjë dhe me një indiferencë të çuditshme.

Buxhovi thotë se sjellja politike në Kosovë të jep përshtypjen se askush s’e do pushtetin dhe se i frikësohen asaj çfarë i ndodhi presidentin ukrainas në Zyrën Ovale, sidomos Qeveria Kurti, e cila s’ka pasur raporte të mira as me Administratën e Joe Biden.

“Fitohet përshtypja, se kundruall një pat-pozicioni, as qeveria e as opozita, nuk e dëshirojnë pushtetin, sepse e dinë se çfarë i pret, pra diktati i zgjidhjeve në përputhje me marrëveshjet e pranuara ndërkombëtare dhe assesi zvarritjet e deritanishme. Duket se modelit të zyrës ovale të Zelenskit i frikësohen të gjithë, veçmas qeverisja e deritanishme, që nuk i ka pasur punët mirë as me Bajdenin, e nuk mund t’i ketë as me Trumpin, ngaqë duhet “lëpirë atë që e ka pështyrë”! Por, kur është në pyetje qenia e shtetit, edhe kjo duhet bërë!”, ka potencuar Buxhovi.

Në fund të intervistës, i pyetur për një paralajmërim të historianit Oliver Schmit, se Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara dhe për rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës nga ndryshimet gjeopolitike, Buxhovi thotë se “retorika e rrezikimit të Kosovës nga jashtë, si kjo e tanishmja, vazhdon prej vitesh, veçmas këtyre të fundit, si një alibi ndaj dështimeve të brendshme dhe veprimeve populiste. Shumë faktorë këtë e përjashtojnë, veçmas përgjegjësia që ka NATO-ja dhe SHBA-ja si sponzorizues kryesor i shtetit të Kosovës”./GazetaExpress/