RCCOLA

Gjatë 2013 në Kosovë 7.300 raste me kancer

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka vizituar Institutin Onkologjik të Kosovës, ku është njohur nga afër me punën që bëhet në këtë institucion sfidat, sukseset dhe problemet me të cilat ballafaqohet stafi dhe pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Dr. Behxhet Osmani, UD, Drejtor i Institutit Onkologjik tha se në këtë institu po bëhet punë pozitive. “ Vitin e kaluar ka pasur 24.000 vizita mjekësore, 12.500 aplikime të kemioterapisë, 4.000 aplikime të radioterapisë, tani punojmë 12 orë, me dy ndërrime, nga ora 7:00 deri 19” shpjegoi dr. Osmani.

Sipas tij, në vitin 2013 janë lajmëruar 7.300 raste të reja, ku pacientët për aplikim të kimioterapisë nuk presin fare, përderisa për radioterapi dikur është pritur 4 muaj, tani sikurse në vendet e tjera të Evropës, pacientët presin më së shumti 4 deri 5 javë.

Drejtori i Onkologjisë tha se falë mbështetjes së menaxhmentit të QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë është arritur të kompletohet aparatura dhe shumë shërbime, përderisa jashtë vendi kanë referuar vetëm 22 raste.

Ai pohoi se aktualisht nuk ofrohet vetëm shërbimi i brahiterapisë, për të cilën është bërë kërkesë për kompletim të aparaturës dhe pritet të ndodhë së shpejti.

Eco Higjiena

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, përgëzoi drejtorin dhe stafin e Institutit të Onkologjisë për punën që kanë bërë dhe po bëjnë në të mirë të trajtimit të pacientëve.

“ Kërkesat tuaja do t’i marrim me seriozitet të madh, përgëzime, me punën tuaj keni bërë që shumë pacientë të mos shkojnë jashtë vendi, ne bashkërisht do të arrijmë të tejkalojmë sfidat, nga ky vit do të keni mundësi të siguroni të hyra vetanake që do të jetë e mirëseardhur për ju”.

Sipas Ministrit nga ky vit institucionet shëndetësore do të kenë mundësi që vetë të menaxhojnë me buxhetin për barna, material shpenzues dhe citostatikë.

“ Në rastet kur me buxhetin e përcaktuar nuk do të ketë mundësi të sigurohen të gjitha barnat dhe materiali tjetër shpenzues, bazuar në Udhëzimin Administrativ për trajtim jashtë vendi, me rekomandim të komisionit për trajtim jashtë vendi pacientët kanë të drejtë të kërkojnë nga Ministria të ju sigurojë citostatikët që nuk janë në Institutin Onkologjik, për rastet që janë në asistencë sociale do të paguaj në tërësi MSH, përderisa për rastet tjera Ministria do të paguajë 50-70%, kurse 30% paguajnë pacientët”, theksoi . Agani.

Dr. Nijazi Gashi, drejtor i QKUK-së, tha se Instituti Onkologjik është krenaria e QKUK-së. Ai shpjegoi se ka përkrahur dhe do të përkrahë vazhdimisht Institutin e Onkologjisë, në mënyrë që punë e stafit të jetë më lehtë dhe pacientët të marrin shërbimin e duhur.