UBT

Gjashtë muajt e parë vendimtar për dialogun, shkak zgjedhjet në ShBA dhe BE

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjashtë muajt e parë të këtij viti mund të jenë vendimtarë për dialogun Kosovë-Serbi, vlerësojnë analistët në vend. Kjo pasi viti 2024 është vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.

Analistët politikë kanë mendime të ndryshme nëse dialogu do të përfundojë këtë vit por që implementimi i marrëveshjeve, jep shpresë për një gjë të tillë.

Ata kanë thënë se dakordimi i marrëveshjeve që të dyja shtetet kanë arritur në Bruksel e Ohër vitin e kaluar, tashmë vetëm ka filluar implementimi i tyre. Në të kundërtën, stërzgjatja do ta rëndojë përparimin e vendit.

Analisti politik, Gazmir Raci, pret nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të kenë një angazhim më të shtuar për të finalizuar fazën e dialogut për njohjen de-facto të Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai ka shtuar se gjashtë muajt e parë të këtij viti janë vendimtar për përfundim të dialogut, kjo sipas tij, në BE e ShBA do të ketë zgjedhje.“Viti 2024 është vit zgjedhor në BE dhe ShBA-të, unë pres një angazhim shumë më të shtuar të faktorit ndërkombëtar për ta finalizuar këtë fazë të dialogut për njohjen de-facto të Kosovës nga ana e Serbisë. Tashmë njohja de-facto është edhe kusht për Serbinë, sepse e thanë tre liderët kryesor të BE-së, kancelari gjerman, presidentin francez dhe kryeministrja italiane para një muaji e ca që Serbia duhet ta njoh de-facto sepse ashtu e thotë plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit. Andaj këto gjashtë muaj që po hymë tani janë vendimtare për ta finalizuar këtë fazë të këtij dialogu në mënyrë që të ecim pastaj tutje, sepse e thash se në qershor do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian, në fund vit do të ketë zgjedhje presidenciale në ShBA dhe fokusi i liderëve të këtyre shteteve natyrisht do të jetë i drejtuar kah punët e tyre të brendshme dhe nuk besoj që do të mund ta kenë fokusin 100 për qind ndaj Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Mobi Casa

Raci tha se me inkuadrimin më të madh të faktorit ndërkombëtar, brenda gjashtë muajve të ardhshëm do të përfundoj procesi i dialogut.“Unë po besoj shumë që një inkuadrim më i madh i faktorit ndërkombëtar, ShBA, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjerëve do të bëjë që kjo fazë të përfundoj brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Po duket që Serbia ka filluar të këndellet në drejtim të zbatimit të obligimeve që i ka marr dhe këto zbatimet e fundit që po i bënë po tregojnë disa sinjale pozitive edhe pse unë nuk besoj shumë tekë Serbia, në bazë të kaluarës së saj që e ka pasur në dialog dhe mbështetjes që ja ka bërë sulmit terrorist të shtatorit të viti të kaluar”, ka thënë ai.

Analisti politik Albinot Maloku, ka thënë se jetësimi marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës e Serbisë vitin e kaluar tashmë kanë filluar që të jetësohen, duke përmendur këtu marrëveshjen për targa si dhe për marrëveshjen me ‘Elektroseverin’, e cila i jepe fund mospagesës së rrymës në veri.

“Çështja e parë që duhet thënë është se jetësimi i pajtimit të ndodhur vitin e kaluar në Bruksel pastaj edhe aneksit ne Ohër veç është duke ndodhur, kjo vërehet nga situata e çështjes së targave, pranimit të tyre, pastaj aktivizimi i kompanisë ‘Elektorsever’ për të bërë mbledhjen dhe inkasimin e faturave të energjisë elektrike për veriun. Pra janë pjese përbërëse e marrëveshjes të ndodhur në Bruksel dhe në Ohër mese Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së”, u shpreh ai.

Maloku ndryshe nga Raci tha se nuk beson që brenda këtij viti do të përfundoj procesi i dialogut por që do të ketë jetësim të marrëveshjeve të arritura.Mirëpo sipas tij, do të ishte mirë që ky proces të përfundoj sa më shpejt pasi dialogu i stërzgjatur është duke e renduar përparimin e Kosovës dhe rregullimi e raporteve të saja edhe me BE-në.

“Tani a do të këtë përmbyllje të dialogut sivjet, konsideroj që nuk ka edhe këtu shenja që mund të ndodh kjo sivjet. Konsideroj që përmbyllje nuk do të këtë, mirëpo jetësim të marrëveshjes së pajtimit. Ndërsa a do të ishte mirë që të përmbyllej dialogu mes Kosovës dhe Serbisë gjithsesi që do të ishte, nëse do të kishim atë marrëveshjen e përfolur maksimalisht e cila veç u largua nga diskursi publik që ka të bëjë me marrëveshjen obligative, ligjore mes Kosovës e Serbisë ku a do ta njohin njëra-tjetrën dhe kjo do t’i jepte fund dhe një epilog konkret dialogut të nisur që në vitin 2011 e i cili po vazhdon dhe po e rendon edhe përparimin e Kosovës dhe rregullimi e raporteve të saja edhe me BE-në. Shto këtu edhe masat që janë e që janë renduese e që ndërlidhen me të bërat që kanë të bëjnë me çështjen e dialogut”, ka thënë ai.