Hidromorava

“Gjarpri” pritet ta prishë Qeverinë

/ 8 minuta lexim

Njohës të rrethanave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se pas polemikave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, gjasat janë se Republika e Kosovës po shkon drejt zgjedhjeve të reja nacionale.

Haziri: Shteti thuajse është në një lloj bllokade nga grupet e interesit të oligarkëve mafiozë

Polemikat në mes të Thaçit dhe Haradinajt janë vetëm zhurmim mjegullues, që komploti i tyre ndaj shtetit të Kosovës të mjegullohet, për të kapërcyer me sa më pak rezistencë penguese”, thotë analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”.

Njohës të rrethanave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se pas polemikave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, gjasat janë se Republika e Kosovës po shkon drejt zgjedhjeve të reja nacionale.

Sipas analistëve dhe qytetarëve, këto zgjedhje të reja nuk pritet të sjellin asgjë të mirë, ashtu siç nuk kanë sjellë deri më tani asgjë te re dhe të dobishme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, por vetëm se do te ndërrohen partnerët në qeverisje dhe nëntoka kriminale me mafio-oligarkët do ta kenë sërish në “grusht” çdo institucion në Kosovë. Ata vlerësojnë se është koha për një brez të ri politik, për ta pensionuar kastën aktuale të dështuar e të tejinkriminuar, sepse me këtë kastë politike të konsumuar, qytetari përjetoi vetëm mashtrim dhe zhgënjim, duke u detyruar ta kërkojnë fatin e vet edhe me ikje masive përtej kufijve të shtetit.

Bllokadë dhe injorancë institucionale
Politologu Albinot Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se deklarimet sharlatane e provokuese të presidentit Hashim Thaçi ndaj kundërshtuesve të broçkullave të tij për korrigjim kufijsh janë të pamatura e pa sens. “Nëse subjektet e tjera politike në vend i konsiderojnë me të vërtetë të pavenda mendimet e prezantuara nga presidenti Thaçi do të duhej shikuar së pari mundësia e futjes në rend të ditës të mocionit të mosbesimit për presidentin e vendit”, theksoi ai. Sipas Malokut, në këtë çështje do të duhej të sqarohej edhe PDK-ja, që është duke mohuar me fjalë ndryshimin e territorit e me vepra duke mos bërë asgjë. Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se situata politike dhe raportet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, janë acaruar kohëve të fundit si pasojë e qëndrimeve të kundërta rreth idesë për ndryshimin e kufijve. “Duke u nisur nga këto mospajtim vetëm sa thellohen acarimet e koalicionit në masën që deklaratat e ndërsjella vijnë deri edhe në kufij të fyerjeve dhe kjo nëse vazhdon në këtë trend, atëherë do të ndërpritet miqësia e tyre në raportet mes dy institucioneve dhe koalicioneve partiake, Presidencës dhe Qeverisë”, vlerësoi ai. “Tani, sa mund të ndikojë kjo në stabilitetin e vetë Qeverisë dhe koalicionit në mes tyre, mbetet të shihet, sepse as presidenti dhe as Qeveria, dhe as opozita nuk e kanë një shumicë të mjaftueshme për të imponuar vullnetin për ta ndaluar njëra- tjetrën në vendimmarrje, ku shteti thuajse është në një lloj bllokade nga grupet e interesit të oligarkëve mafioz të shtetit që po degradohet dhe tjetërsohet në masa të ashpra politike dhe ekonomike si shtet demokratik, kur bëhet fjalë për një të ardhme të shëndoshë se si duhet ecur përpara një shtet në çështjen e dialogut me Serbinë”, ka thënë me tej Hertica. Sipas tij, koha është që të marrë hapa një brez i ri dhe kjo kastë politike e analfabetëve të shkojë në shtëpi me kokë të ulur. Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosova në aspekt të përgjithshëm dominohet prej injorancës institucionale dhe kjo dukuri shprehet aq shpesh sa është shndërruar në rregull pune. “Ndërsa, sa u përket konflikteve politike ndërmjet dy bartësve institucionalë, theksoi se ajo ka qenë e pranishme dhe prezente qysh edhe para koalicionit”, u shpreh ai. Sipas Hazirit, Hashim Thaçi, jo rastësisht e ka pseudonimin “Gjarpri”, pikërisht për shkak të qasjes labile e materiale dhe mbi të gjitha të fshehtë që e posedon,dhe duke marrë për bazë këtë qasje, ai mund ta prishë qeverisjen “Haradinaj”.

KKGJILAN

KELMENDI:POLEMIKAT NË MES TË THAÇIT DHE HARADINAJT JANË VETËM ZHURMIM MJEGULLUES, QË KOMPLOTI I TYRE NDAJ SHTETIT TË MJEGULLOHET Analisti politik, Ibrahim Kelmendi, për gazetën
“Kosova Sot”, thotë se polemikat në mes të Thaçit dhe Haradinajt janë vetëm zhurmim mjegullues, që komploti i tyre ndaj shtetit të Kosovës të mjegullohet, për të kapërcyer me sa më pak rezistencë penguese. “Ngjan me “armiqësinë” e simuluar, në mes të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit, por skenaristët e Beogradit tani e kanë bërë më pikante”, potencoi ai. Sipas Kelmendit, me këtë ligj zgjedhor vendimtar për krijim të koalicionit qeveritar janë 20 vendet e rezervuara në Kuvend për minoritete (10 për minoritetin serb). “Për momentin, kemi koalicionin e rreth 41 parlamentarëve (pseudo)shqiptarë, bashkë me 20 parlamentarë minoritarë, ndaj rreth 59 parlamentarëve opozitarë, gjithashtu (pseudo)shqiptarë. Duke pasur këtë gjendje ligjore dhe mundësinë që koalicioni të përcaktohet nga Beogradi, edhe zgjedhjet parlamentare e kanë humbur kuptimin. Fatkeqësisht, vetëm pjesëtarët e krimit të organizuar (pseudo)politik do të ricikloheshin”, analizon ai.

HAZIRI: QEVERISJE E KLIENTELAVE
” Kjo qeverisje është ndërtuar për t’i implementuar kërkesat e
klientelizmit politik, veçanërisht atyre që tashmë zotërojnë funksione kulmore dhe duke pasur këtë botëkuptim, konsideroj se qeverisjet e tyre asnjëherë nuk kanë pasur fokus nevojën qytetare. Vendi për të pasur një perspektivë si të brendshme, ashtu edhe të jashtme, duhet që ta reformojë administrimin, mënyrën e menaxhimit të pasurive publike, vetëm një qasje e tillë mund ta reformojë gjendjen e rëndë socio-ekonomike”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot

MALOKU: ZHGËNJIM EDHE NDAJ OPOZITËS
“Nëse i marrim në konsideratë polemikat mes kreu të shtetit dhe të Qeverisë si sinjal i paralajmërimit të zgjedhjeve të parakohshme, atëherë po, jemi afër tyre. Zhgënjimi qytetar nuk është i drejtuar vetëm ndaj presidentit, por edhe ndaj Qeverisë e edhe opozitës aktuale dhe një proces zgjedhor do të mund të konsiderohej shpresë. Kur flasim për zgjedhjet nuk do të ishte e rrugës që në start t’i mendojmë si asgjë e që nuk kanë për të sjellë asnjë të re”, tha Albinot Maloku për “Kosova Sot”.

Qytetarët presin zgjedhje të reja
Edhe qytetarët, krahas analistëve, janë të zhgënjyer me spektrin e deritashëm politik të pasluftës, por edhe me përçarjet e fundit ndërmjet kryetarit të vendi dhe kryeministrit aktual. Sipas qytetarëve të anketuar, pas polemikave Thaçi- Haradinaj, nuk ka më asnjë dyshim se Republika e Kosovës po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Qytetari nga Prishtina Naim Berisha, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se sa u përket polemikave të fundit,ThaçiHaradinaj, në Kosovë në vazhdimësi ka pasur polemika të tilla jo vetëm në mes të pozitës dhe opozitës, por edhe në mes të krerëve që e kanë formuar koalicionin qeverisës . “Fundja, subjektet politike nuk bashkohen për shkak të dashurisë që kanë njëra me tjetrën, por për t’i bërë numrat e nevojshëm në Kuvend, e madje nuk bashkohen as sa u përket programeve të tyre zgjedhore”, u shpreh ai. “Neve na nevojitet një mentalitet i ri politik dhe qeverisës, sepse tek ne në krye të partive politike akoma mbretëron ajo ideja e vjetër e bajraktarizmit. Prandaj, kryetari i një subjekti politik duhet të ndihet sikur të jetë njëri nga ata qytetarët që e formojmë partinë politike dhe jo të jetë mbi ta dhe të vendosë për gjithçka. Kështu që në Kosovë duhet që brenda partive politike, por edhe në nivelin qeverisës të vijë një elitë politike, e cila nuk është e inkriminuar dhe nuk është e trajnuar nga politikanët që e kanë qeverisur Kosovën deri më sot”, vlerësoi Berisha. Ndërsa, qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina Nuhi Salihu, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se polemikat e kryetarit dhe kryeministrit janë sa për sy e faqe, sepse që të dytë e kanë humbur torruan dhe Hashim Thaçi tashmë ka mbetur edhe pa mbështetje të partisë së vet të dikurshme, por edhe të qytetarëve dhe tash po flet vetëm sa për sy e faqe. “Kosova është vonuar shumë për një klasë të re politike”, theksoi më tutje Salihu.

(Kosova Sot)