ARKATANA

Gjaku i Sherif Frangut në themel të pavarësisë së Kosovës

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ismet Rashiti – Në 35-vjetorin e rënies heroike të Sherif Frangut më 3 prill 1981 në Ferizaj. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë të motit 1912, demonstratat historike të vitit 1981 janë ngjarja më e madhe e popullit shqiptar deri në këtë periudhë. Këto demonstrata hapën një faqe të re dhe tepër të rëndësishme. Bënë kthesë të madhe në lëvizjen politike dhe ndikuan drejtpërdrejt në zgjimin dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare. Thënë ndryshe, me Pranverën e Madhe të vitit 1981 ka vazhduar fuqishëm rrugën e saj të pandërprerë Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, kësaj radhe edhe më fuqishëm, edhe më e organizuar, edhe më e konsoliduar dhe më e vendosur për të shkuar deri në fund, pavarësisht çmimit që duhej paguar.

Ngjarjet e pranverës shqiptare 1981, shënuan, jo një faqe historike, por një epokë të re të rezistencës kombëtare për liri përplot sakrifica, përndjekje politike, burgosje, diferencime, e rënie në fushën e nderit. Këto demonstrata paqësore, regjimi shovinist i Beogradit, i shndërroi në të përgjakshme, duke vrarë djem e vajzat më të mirë shqiptarë, duke burgosur, ndjekur e persekutuar mijëra të tjerë, duke diferencuar intelektualë, akademik, mësues, profesor, punëtorë e fshatarë, gra e burra, bashkë me familje të tëra patriotike.

Në themelin ngjarjeve të mëdha të vitit 1981 dhe ngjarjeve që pasuan deri në çlirimin dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, qëndron i patharë dhe i freskët, këtu e 35 vite më parë, edhe gjaku i dëshmorëve të parë të kësaj epopeje të lavdishme.

Njëri nga këta, atdhetarë të flaktë, padyshim se është, Sherf Frangu që vjen nga një familje, bujare, punëtore e atdhetare, e cila për të mirën e përgjithshme, e kundër së keqes që i kanosej njerëzimit në të gjitha kohët, asnjëherë nuk pushoi së luftuari. Sherifi është nipi i antifashistit, Rashit Frangu të cilit sikurse edhe disa sllatinasëve tjerë, edhe sot, pas shtatë dekadave nuk i dihet as varri.

Kjo histori e dhimbshme dhe politika antishqiptare që ndiqej në vazhdimësi nga shovinistët serbomëdhenj, nuk kishte si të mos ngulitej thellë në vetëdijen e Sherifit, këtij djali të ri, patriot e guximtar i madh që nuk i dridhej as qerpiku i syrit.

Demonstratat e vitit 1981 për Sherif Frangun, nuk kanë qenë as befasi, as të papritura. Sherifi nuk ka qenë aty rastësisht, as nuk është vrarë duke ikur nga frika. Ai shkoi nga Sllatina e Poshtme me vetëdije të plotë, e me përgjegjësi të lartë kombëtare për tu radhitur aty ku duhej dhe ku e kërkonte Atdheu në ato momente të rënda e vendimtare. Trimat, Sherif Frangu, Rizah Matoshi e dëshmorët tjerë të këtij viti, jo vetëm që janë ndër ndërtuesit e mëdhenj të Pranverës Shqiptare 1981, por me jetën rinore dhe gjakun e tyre, u bënë themel i fortë i lirisë dhe i pavarësisë së vendit tonë.

Me ta marrë lajmin për demonstratat e 3 prillit 1981, Sherifi, pa as më të voglin hezitim niset drejt Pozhoranit, ku në ora 12:00, e merr autobusin për Ferizaj. Pas një qëndrimi të shkurtër në punëtorinë e Xhemë këpucëtarit, rreth orës 13, pa pasur kohë të pinte një gotë ujë, as ta hante një kafshatë bukë në mëngjes dhe drekë, ashtu i uritur, por shumë më i uritur dhe i etur për liri, vihet në ballë të demonstruesve me kërkesa të qarta politike: “Kosova Republikë!”, “Trepça punon – Beogradi ndërton”, “Kosovë Kushtetutë-Ja me hatër ja me luftë”, “Liri, liri…” dhe me këngën “Besa-besë”, që buçiste rrugëve dhe shesheve të Ferizajt. Sherif trimi çdo kund, ishte i pari, në ballë të turmave, ndaj s’kishte si të mos ishte në thumb të policisë speciale. Pas një përleshje të drejtpërdrejtë me forca të pabarabarta policore dhe të armatosura deri në dhëmbë, një rafal automatiku, e korrë për vdekje trupin e njomë të këtij djali, ende pa i mbushur 20 pranvera jetë. I plagosur rënd, teksa po luftonte për jetë a vdekje, në sheshin mes hekurudhës dhe hotelit Luboten, sërish nuk dorëzohej, duke thirrur “Rroftë Republika e Kosovës”, “Përpara shokë deri në fitore” dhe “Kosova Republikë” rreth orës 15-të, duke marrë frymën e fundit, sillet në Ambulancën e Ferizajt. Duke e parë gjendjen e rënd, mjekët rekomandojnë që me ndihmë të shpejtë të niset drejt spitalit të Prishtinës, bashkë me tre të plagosur tjerë. Duhet theksuar se në ambulantë, në momente të rënda, e gjen bashkudhëtari dhe shoku i idealit, po ashtu pjesëmarrës aktiv në demonstratën e 3 prillit në ’81 në Ferizaj, Fadil Lubishtani, i cili futet në ndihmën e shpejtë dhe e merr në prehër Sherifin. Në dalje të Ferizajt, pak pa mbërri në magjistrale, rrugës që del tani diku aty përballë “Ben-Af”-it të sotëm, Sherif Frangu, ndërron jetë, për të hyrë në panteonin e madh të lirisë, për të mos vdekur kurrë. Sherifi edhe në momentet më të vështira të jetës, sado që nuk mund të fliste me gojën plotë gjak, përpiqej ta shtrëngonte grushtin si amanet i fundit për të qenë sa më të bashkuar deri në fitoren përfundimtare.

ARKATANA

Lajmi për rënien e Sherifit tonë mori dhenë. Rinia patriotike e Sllatinës dhe fshatrave tjerë të Vitisë, mbarë populli liridashës shqiptar, e priti me dhembje të madhe. Pavarësisht masave të rrepta që kishte ndërmarrë UDB-ja, në varrimin e Sherifit, morën pjesë, i madh e i vogël. Më krenarja, ishte nënë Alldyzja, e cila dhembjen e kishte shndërruar në forcë, babë Bislimi dhee tërë familja e Sherifit, mbahej e fortë, nuk jepej, as nuk thyhej para sigurimit të shtetit të atëhershëm, i cili kërkonte që varrimi të bëhej i heshtur dhe pa e bërë të madhe. Motrat dhe vëllezër të Sherifit, kushërinjtë, familja Frangu, Sllatina e Poshtme, Anamorava dhe mbarë qytetarët e Kosovës dhe viseve të saj, në kushtet e rënda të shtetrrethimit dhe okupimit klasik serb, i madh, e i vogël, i ngritën përmendore në zemër Sherifit. E përkujtonin në çdo moment, merrnin forcë nga vepra dhe shembulli i tij heroik për realizimin e idealeve të tij dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në këtë pranverë të përgjakur.

Lëvizja ilegale shqiptare ndiqte nga afër të gjitha zhvillimet, ndërsa shtypi ilegal, “Liria”, pastaj “Zëri i Kosovës”, shkruanin me shkronja të mëdha e të arta, “Sherif, me dashuri dhe respekt të kujton populli”. Shkruanin për shembullin e heroik të Sherif Frangut, Riza Matoshit e dëshmorëve tjerë, të cilët me jetën e tyre, i dhanë frymë qëndresës për liri dhe u bënë bazament i fortë, i përpjekjeve shekullore të popullit shqiptar për realizimin e të drejtave kombëtare shqiptare.
Në kushte e rrethana tepër të rënda politike, emri dhe trimëria e Sherifit përcillej gojë më gojë. Poeti do të shkruante poezi, rapsodët do të këndonin këngë, frymëzuar nga akti heroik i Sherif Frangut, duke e quajtur të rrëmbyeshëm si “vala detit” dhe si “shqiponjë në Flamur Kombëtar”.
Ky djalë trim, ky djalë Sllatine,
I bënë nderë Kosovës trime,
N’demonstrata shpejt ka dalë,
Si shqiponjë n’Flamur Kombëtar.

Sherif Frangu nuk shkoi në demonstrata për të hyrë në histori, por historia e ndoqi mbrapa. Ai hyri natyrshëm aty ku e ka vendin e vet, për të mos lëvizur kurrë, sepse të tillë e bëri vepra e tij lapidare edhe si dëshmorë edhe si hero. Sot, ata që po vrapojnë të futen me “dhunë”në histori, ata që thirren në emrin e dëshmorëve, vetëm kur dalin para kamerave dhe të tjerët që shtetin e kanë kuptuar si mjet për t’u pasuruar vetëm për vete, familjet dhe klanet e tyre, nuk u bëjnë nderë as dëshmorëve, as të ardhmes së vendit tonë. Është krejt i pakuptueshëm fakti që ende nuk është rregulluar statuti i dëshmorëve të vitit 1968 të vitit 1981, pastaj 1989-1990, por edhe të shumë familjeve e dëshmorëve tjerë të periudhave të mëpastajme të cilët me jetën e tyre kanë vulosur me gjak faqe të ndritura të historisë sonë më të re. Dëshmorët e këtyre periudhave të lavdishme dhe familjet e tyre, sot e asaj dite nuk kanë asnjë përkujdesje shtetërore.

Vetë akti heroik i Sherifit duarthatë përballë një policie të egër mercenarësh serbë, tregon se sa i njerëzishëm ka qenë, se sa shumë e ka dashur, Atdheun dhe popullin e tij. Të tillë janë ata që mbi të gjitha kanë çështjen e madhe të çlirimit dhe sigurimin e lirisë për popullin e vet, për sot, për nesër e për gjithmonë, pa e cenuar në asnjë rast lirinë e tjerëve.

Sherif Frangu, sa ishte i njerëzishëm dhe trim, po aq ishte atdhedashës. Ai nuk bënte fjalë e folklor patriotik, po punoi jetësisht, deri në frymën e fundit për popullin e tij.

Me punë, me djersë, me sakrificë dhe me gjak, atdheun e nderoi, dëshmori, Sherif Frangu, i cili sot dhe kurdoherë do të jetoi në zemrën e popullit shqiptar. Gjaku i dëshmorit, Sherif Frangut dhe i të gjithë dëshmorëve, do të mbetet i freskët përgjithmonë në themelin aspiratave, idealeve më të larta kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shembulli i Sherif Frangut, i këtij feniksi shqiptar, do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme se sa shumë duhet punuar e flijuar për çlirimin e vendit.