Fundamenti

Gërxhaliu akuzon Qeverinë se po e saboton OEK-un

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Kritikat që Oda Ekonomike e Kosovës u bën politikave të Qeverisë së Kosovës kanë ndikuar që kjo e fundit t’i sabotojë ngjarjet e organizuara nga përfaqësuesi ligjor i bizneseve, ka thënë kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Ai i vetëm e ka prerë shiritin e kuq për hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Prishtinës, në të cilin kanë marrë pjesë 120 kompani. Asnjë ministër nuk ka marrë pjesë në hapjen e këtij panairi, ndërkohë që të gjithë ministrat kanë qenë të ftuar, sidomos atë që drejtojnë sektorët ekonomikë. Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, e kanë vizituar panairin, por vetëm dy orë pasi është bërë hapja e tij.

Gërxhaliu thotë se Oda Ekonomike është duke u sabotuar për faktin se është kritike në politikat qeveritare.

“Oda Ekonomike nuk është institucion i dëshiruar për qarqe të caktuara qeveritare, por në qoftë se është ajo që jemi zë kritik dhe të tjerët nuk na respektojmë, atëherë kjo na bën më të fortë dhe ne do të vazhdojmë punën tonë”, ka thënë Gërxhaliu.

Kreu i OEK-ut thotë se ndoshta zyrtarët qeveritarë presin që të paguhen vetëm për të marrë pjesë në hapjen e panaireve.

“Ne si OEK nuk jemi në gjendje ta paguajmë dikë që të vijë vetëm për t’u fotografuar. Në qoftë se këta nuk shohin të arsyeshme që t’i mbështesin këto procese dhe këto aktivitete të Odës Ekonomike, atëherë edhe pagesa që të tjerët ia bëjnë në mënyrë indirekte për të qenë të pranishëm, neve nuk na bën nder”, ka thënë Gërxhaliu. “Strukturat më të larta shtetërore marrin pjesë në hapjen e panaireve që i kanë 10 tenda, e kjo lë hapësirë, edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna, se funksionojnë edhe metoda të tilla. Por, OEK-u këtë nuk e ka praktikuar dhe nuk e praktikon”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ai nuk e amniston asnjë ministër duke thënë se një panair i tillë ku marrin pjesë më se 120 kompani, ku 60 prej tyre janë të huaja, është shumë me rëndësi që ministrat të jenë të pranishëm. Prania e tyre, sipas tij, do të ishte një mundësi për t’u dhënë një mesazh kompanive të huaja se këtu punohet me seriozitet, kurse kompanitë vendore do të motivoheshin që të punonin edhe më shumë.

“Paradoksale ka qenë arsyetimi i njërit prej zyrtarëve të lartë i cili e ka arsyetuar mungesën me një orë ligjëratë që e ka pasur në një kolegj privat. Paramendoni kur dikush nga instancat shumë të larta e sheh më të arsyeshme që ta kalojë një orë në ligjërata e të paguhet për të 40 apo 50 euro për atë orë e të anashkalohet një mundësi për të promovuar vlerat e Kosovës, është diçka që të bën të ndihesh keq në realitetin kosovar”, ka thënë Gërxhaliu, dikur nënkryetar i këtij institucioni, kur në krye të tij ishte Besim Beqaj, tash ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ibrahim Selimaj, pronar i kompanisë “Elsa” që merret me prodhimin e granitit, ka thënë se bizneset janë ndier të injoruara nga institucionet duke mos marrë pjesë në hapjen e panairit.

“Ishte injorim, ishte një gafë shumë e madhe e tyre pasi ata janë vonuar më shumë se 1 orë e gjysmë, e kjo i ka irrituar bizneset vendore dhe 60 biznese ndërkombëtare, që janë ambasadorë ekonomikë në këtë panair”, ka thënë Selimaj.

Eco Higjiena

Ai ka thënë se në panairet që organizohen në Evropë i gjithë shteti i jep rëndësi të madhe pasi është një mundësi për promovim të ekonomisë të prodhimit vendor. E në Kosovë, sipas tij, po ndodh e kundërta.

“Nuk kemi asnjë përparësi si biznese –prodhuese dhe u nënshtrohemi politikave shumë të këqija fiskale”, ka thënë Selimaj.

Por ministrat e sektorit ekonomik arsyetohen se kanë pasur agjendën e ngarkuar. Dy kanë marrë pjesë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, njëri ka qenë jashtë vendit e njëri është angazhuar me misionin e FMN-së që po qëndron në Kosovë.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se ministri Besim Beqaj ka qenë pjesë e delegacionit në Kroaci, i cili është udhëhequr nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në momentet e fundit ka vendosur që të jetë pjesë e delegacionit, pas kërkesës nga Presidenca.

“Prandaj, ministri nuk ka pasur mundësi të jetë i pranishëm në dy vende në të njëjtën kohë. Por, menjëherë pas kthimit nga vizita ministri në mëngjesin e të enjtes e ka vizituar panairin e organizuar nga OEK-u”, ka thënë Baxhaku.

Arta Istrefi, këshilltare e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se ministrja Kusari-Lila ka qenë në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

“Ministrja e ka caktuar dy javë më herët takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të cilin e udhëheq, dhe kanë qenë të njoftuar të gjitha asociacionet”, ka thënë Istrefi. “Ka qenë e pamundur që të lëshohet ky takim për të marrë pjesë në hapjen e panairit ‘Prishtina 2012’”.

Mirëpo, sipas saj, menjëherë pas përfundimit të takimit të KKZHE-së, ministrja ka shkuar në panair për t’i vizituar bizneset që janë pjesëmarrëse në këtë takim.

Ndërsa këshilltari i ministrit të Financave, Menderes Ibra, ka thënë se i gjithë stafi i kësaj ministrie, duke përfshirë edhe ministrin, janë duke u marrë me misionin e Fondit Monetar, i cili po qëndron në Kosovë që nga data 30 maj.

“Arsyeja e mospjesëmarrjes në panair ka të bëjë me takimet që ministri së bashku me stafin i kanë me zyrtarët e FMN-së që janë në vizitë në Kosovë”, ka thënë Ibra, duke shtuar se zv.ministri ka qenë në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.