Uji Dea

Gërvalla: Salihu tinëzar, Kelmendi me gënjeshtra

/ 2 minuta lexim

Nuk ka asnjë dyshim se urdhrin për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës, në janar të vitit 1982, e ka dhënë Sigurimi Shtetëror jugosllav, por vrasja ka mbetur pa u sqaruar ende plotësisht, ndërsa pretendimet e fundit për autorët e vrasjes së trefishtë shihen me dyshime të mëdha nga familjarët e Jusuf Gërvallës.

E bija e tij, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi, i cili përmes një libri dhe disa intervistave ka ngritur gishtin e akuzës për vrasjen e Gërvallajve dhe të Kadri Zekës drejt një tjetër aktivisti të asaj kohe në diasporë, Riza Salihut.

Në një intervistë për emisionin “Press-ing”, të KTV-së, Donika Gërvalla ka rrëfyer për ato që i di dhe ato që nuk i di në lidhje me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, ndërsa ka dhënë edhe vlerësimin e saj për emrat që përmenden, përfshirë Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun. Për Ibrahim Kelmendin thotë se ka një talent të aftë që të vërtetat e vogla t’i ndërlidhë me gënjeshtra të mëdha, ndërsa Riza Salihun e quan dinak dhe tinëzar dhe vjedhës të postës së babait të saj.

Uji Dea

“Unë, si vajza e tij (Jusuf Gërvallës), jam shumë e interesuar të di se cilët persona në Beograd, në cilën zyrë, kë porositën që ta kryej këtë atentat”, ka thënë Donika Gërcalla, e cila është personi mbase i vetëm, përveç hetuesve gjermanë, që ka pasur rastin të shohë dosjen e plotë të hetimeve të deritanishme për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës.

Ndërsa, për idealet e babait të saj dhe shtetit të sotëm të Kosovës, ajo thotë: “Republika e Kosovës për të cilën ai (Jusuf Gërvalla) në fund sakrifikoi jetën është një shtet i cili identifikohet kryesisht me korrupsion dhe krim të organizuar”. /Telegrafi/