Gërryes të pamëshirshëm të shtetit
Nga Arbana Xharra – Ata besojnë se janë të paprekshëm, sjelljet e tyre reflektojnë bindjen se qëndrojnë mbi ligjin, sillen kryelartë, me arrogancë edhe të buzëqeshin në fytyrë… jetojnë në ambiente të luksit, e kanë harruar erën e skamjes që shumë prej tyre dikur e kanë jetuar. Të verbuar me ambiciet e fuqisë që u jep pushteti, po u ikën një detaj i thjeshtë, sfondi i mjerimit që ka kapluar Kosovën.
U shënua dita Ndërkombëtare Kundërkorrupsionit, por, me çfarë mund të krenohet Kosova. Sa zyrtarë të denoncuar për haraç, keqpërdorim të pozitës janë dënuar? Sa politikanëve u është kërkuar llogari për pasurinë që kanë krijuar me paga? Sa të tjerë janë ndëshkuar për nepotizëm? Janë të dhëna këto për të cilat nuk duhet shumë hulumtim të mësohen. Deklarimi i pasurisë është njëri nga ato burime që të shpie drejt keqpërdorimeve.
Ata edhe mund të kujtojnë se kanë shpëtuar deri më tash dhe se do të shpëtojnë përgjithmonë! Por duhet ta kenë parasysh se dikush mban shënime, faktet nuk treten, herëdo kur ato dikujt do t’i hynë në punë. Aq më tepër, tash kur kanë shpërthyer pakënaqësitë edhe mes tyre, rrugë kjo më e lehtë e denoncimit të pazareve të njëri-tjetrit. Shembujt e fundit të dënimit të ish-kryeministrave për korrupsion të shteteve jo shumë larg Kosovës, tregon qartë për rrugën që duhet ndjekur Kosova nëse dëshiron të ndërtojë shtet ligjor dhe të bëhet gati për integrim.
Sepse BE-ja tash për tash mund të jetë e zënë me çështjet territoriale, pesha e problemit të veriut të Kosovës padyshim se e ka zbehur fokusin në rastet e korrupsionit, por kur edhe kjo punë të përfundojë, atëherë do t’u vijë radha zhvatësve në pushtet.
Ata që për vite të tëra në vazhdimësi janë duke i rrënuar themelet e demokracisë, me ndihmën e servilëve, të cilët duke u jargavitur u shkojnë pas dhe janë në gjendje të shkelin mbi dinjitetin e tyre vetëm për t’u hyrë në qejf bosëve. Edhe më qesharakë na dalin disa të tjerë që për një “sahan supë” e denigrojnë vetën vetëm për t’u bërë të ngatë të shefave.
Sistemi shtetëror me kategorinë e të korruptuarve dhe shërbyesve të denjë të tyre, sot përbën një listë të gjatë të skandaleve, e sivjet po mbyllim një vit që do të na mbesë në kujtesë me ryshfetin më të madh të mësuar 1.4 milionësh të tenderit të pasaportave dhe pesë përgjimet e pushtetarëve, për të mos e anashkaluar listën e gjatë të të tjerave. Edhe pse ka kaluar në normalitet të bëhen publike rastet e korrupsionit, ku të shkruash për keqpërdorime të tenderëve nuk përbën më lajm skandaloz, dikur kur të kujtojmë se janë harruar këto raste, shumë lehtë dikush mund t’i aktualizojë.
Në Dyzë po ndërtohet një burg i sigurisë së lartë, thuhet se do të përmbushë standarde të larta, bëjnë mirë, sepse në fund të fundit ata që e kanë vendin aty, janë të mësuar në luks. Jam e sigurt se taksapaguesit nuk do të ankohen për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit për investimet e mëdha në ndërtimin e burgut, qoftë ai edhe me kushte të mira, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e atyre që gërryejnë pamëshirshëm djersën e popullit.