Genta nuk ndalet
Këngëtarja Genta Ismajli nuk është duke u ndalur me koncertet e saj. Ajo ka vazhduar koncertin në Gjilan të shtunën përderisa ka demantuar mediat të cilat kanë shkruar se ajo është rrahur nga DJ zyrtar i saj duke thënë zënkë dhe jo rrahje. Këngëtarja flet edhe për planet e saj në të ardhmen në një bisedë për Express.
Këngëtarja Genta Ismajli është duke vazhduar me koncertet e saj nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, përderisa stacion i saj për këtë vikend ishte vendlindja e saj, Gjilani, ku këngëtarja është pritur mirë nga publiku.
Gazeta Express ishte e pranishëm në këtë koncert përderisa një staf më i madh u pa në përcjellje të këngëtares të cilët edhe kujdeseshin për të që nata të jetë sa më e veçantë.
Pos publikut të saj, në koncertin e Gentës kishin ardhur edhe disa ndërkombëtarë por që nuk dihej se kush ishin ata, megjithatë Genta tha se do të zbuloj më vonë gjatë natës.
Genta për Express ka folur edhe për rastin që u publikua nëpër portale të ndryshme kinse ajo është rrahur nga DJ i saj personal.
Genta thotë se është një çështje e brendshme por fatkeqësisht nga persona te papërgjegjshëm në media është shpikur më shumë së çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
“Ishte vetëm një zënkë e vogël prej të cilës DJ është pushuar nga puna dhe për këtë ndoshta edhe janë shtuar fjalë për emër apo për interesa tjera personale”, ka thënë Genta për Express.
Gjithashtu ajo është e çuditur se edhe emrat që janë interpretuar në atë lajm nuk janë të saktë gjë që edhe njëherë “tregon jo profesionalizmin e gazetarëve të cilët vetëm ngutën të shkruajnë pa fakte”.
Pos kësaj, kjo zënkë nuk ka ndodhur fare në sy të publikut por krejtësisht jashtë saj.
Genta gjatë kësaj bisede po ashtu ka folur edhe për këngën e saj të re, “Ole, Ole” e cila sipas saj është pritur shumë mirë.
“Kënga ‘Ole Ole’ është pritur shumë mirë që shihet dhe nga statistikat e ndryshme sidomos në internet dhe jam e lumtur që për një kohë të shkurtër kjo këngë ka mundur të rrëmbejë zemrat e publikut e në veçanti fansave të mijë”, ka thënë këngëtarja.
Ajo ka folur për bashkëpunimet e saj me këngëtarë të ndryshëm për të cilat ka thënë se ato mbetet të shihen më vonë.
“Siç e dini jam e angazhuar nëpër studio të ndryshme dhe jam aktive në realizimin e këngëve të reja dhe gjithçka tjetër mbetët të shihet ditët e ardhshme si për bashkëpunime ashtu dhe këngë single”.
Genta po ashtu ka folur edhe për koncertet e saj që është duke i mbajtur nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ku thotë se është e kënaqur me pritjen që ja bëjnë adhuruesit e saj.
“Sigurisht se jam e kënaqur, fotot dhe videot e koncerteve të mija të gjithë mund t’i përcjellin edhe në faqen time facebook.com/gentaofficial, pra gjithçka është publike”, thotë këngëtarja.
Duke folur për albumin, Genta ka thënë se momentalisht nuk është duke menduar për klipe.
“Album momentalisht nuk do të këtë, ndërsa këngë të reja dhe klipe, po, por të gjitha do i lë të bëhen publike në kohën e duhur”, ka thënë Genta në fund të bisedës për Express.