Gecaj: Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, zbavitje

Përveç deputetëve të opozitës, edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës po e përkrahin iniciativën për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit të mosbesimit në Kuvend, shkruan sot, gazeta Zeri.
Këtë iniciativë e ka nisur partia që udhëhiqet nga Fatmir Limaj – “Nisma për Kosovën”.
Enver Hoti, deputet i “Nismës për Kosovën”, ka thënë për “Zërin” se përveç partive opozitare janë duke punuar ngushtë edhe me deputetët e partive të tjera që të marrin besimin për mocionin për mosbesim ndaj qeverisë “Mustafa”.
“Ajo çka ne mund të konstatojmë tani për tani dhe ta japim edhe me fakte është se opozita është e bashkuar për rrëzimin e Qeverisë, pra është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ‘Vetëvendosja’ që kanë shprehur gatishmërinë për të na mbështetur.
Numri i opozitës dihet sa është në Kuvend, por ne jemi duke punuar ngushtë edhe me deputetët tjerë të Kuvendit dhe do të shohim…Besoj që kjo do të jetë një nisme e cila do të marrë besimin e mjaftueshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.
I pyetur nëse kanë arritur ta marrin edhe përkrahjen e Listës Serbe, ai ka thënë se janë duke pritur edhe përkrahjen e tyre por, siç tha ai, gjatë javës do t’i publikojnë të gjitha informacionet. Ai gjithashtu e ka përshëndetur edhe përkrahjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës./zeri/