Gazetarët paskan faj edhe për Asociacionin

Nga Imer Mushkolaj – Sulmet dhe linçimet ndaj mediave dhe gazetarëve janë pasqyruar në raportin e Human Rights Watch. Po të dëgjohet pushteti, gazetarët janë fajtorë për gjithçka – që nga skandalet brenda institucioneve deri te krijimi i Asociacionit. Sipas logjikës së mbrapshtë të pushtetarëve, gazetarët “çojnë ujë në mulli” të Serbisë dhe punojnë kundër Kosovës.

Të mërkurën mbrëma një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje kritikoi një opinionist, i cili tha se në njëfarë forme, mediat dhe gazetarët, duke trajtuar çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po i ndihmojnë kryeministrit dhe qeverisë. Sipas deputetit, në këtë mënyrë, ende pa filluar bisedimet, analistët po i çojnë mesazh Aleksandër Vuçiqit që Qeveria e Kosovës duhet të lëshojë pe për këtë çëështje.

Deputeti reagoi pak orë pasi këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, deklaroi se krijimi i Asociacionit është urgjencë dhe se qeveria duhet të ofrojë propozime në tavolinë.

Amerikanët kanë intensifikuar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, pjesë e së cilës duhet të jetë edhe Asociacioni. Ata e kanë bërë të qartë se nuk është çështja nëse duhet, por kur dhe si do të themelohet.

Po ashtu, deputeti reagoi pak orë para se organizata Human Rights Watch (HRW) të publikojë raportin të drejtat e njeriut për vitin 2022 në Kosovë dhe në 100 shtete të tjera. Në raport theksohet se në Kosovë gazetarët janë të keqtrajtuar dhe ndaj tyre vazhdojnë sulmet dhe kërcënimet, ndërkohë që organet kompetente kanë reaguar dobët.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës gazetarët ballafaqohen me ngacmime, kërcënime e frikësim në platforma të rrjeteve sociale. Në shkurt,Prindon Sadriu, bashkëshort i presidentes së Kosovës dhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, gazetarët dhe mediet në Kosovë i cilësoi si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Kurse në mars, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, mediat kosovare i lidhi me “biznese kriminale” dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë ato.

Kjo gjuhë e papranueshme, e përdorur nga zyrtarët e lartë publikë, është konsideruar sulm dhe linçim i mediave dhe gazetarëve, në përpjekje për t’i paraqitur ata “të shitur” tek “bizniset kriminale” dhe duke i etiketuar si “kriminelë”.

Ndonëse me gjuhë më të butë, njëlloj tingëllon edhe qasja e deputetit, e cila mund të “përkthehet” se opinionistët po duan që Asociacioni të krijohet ashtu siç po pretendon Serbia dhe po i kërojnë qeverisë kosovare që të lëshojë pe.


As gazetarët, as mediat dhe as opinionistët nuk vendosin për themelimin ose jo të Asociacionit. Për këtë çështje vendos qeveria. Pra, për këtë çështje vendos kryeministri Albin Kurti, i cili vazhdimisht ka deklaruar se në Kosovë nuk do të themelohet kurrfarë asociacioni njëetnik, çfarë është ky i marrëveshjes së vitit 2013.

Sa ka qenë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një varg protestash kundër Asociacionit. Por, tash në qeveri, Kurti është vënë para një sprove, së cilës duhet t’i jep zgjidhje. Amerikanët po kërkojnë me ngulm që marrëveshja e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës të zbatohet dhe serbëve t’iu ofrohet asociacioni. Ata po garantojnë se ky trup nuk do të ketë asgjë të përbashkët me Republikën Serbe në Bosnjë dhe se duhet të themelohet bazuar në kushtetutën e Kosovës.

Se a do të krijohet ose jo asociacioni nuk vendosin mediat dhe gazetarët, por qeveria. Gazetarët dhe mediat e kryejnë punën e vet duke raportuar dhe analizuar zhvillimet që kanë të bëjnë me këtë çështje. Nëse ata thonë se qeveria duhet të marrë parasysh rekomandimet e amerikanëve për zbatimin e një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend, ata nuk po çojnë “ujë në mulli të Vuçiqit”, por vetëm po përpiqen që publikut t’i ofrojnë informacione se çka po kërkohet. Informacione këto që qeveria jotransparente nuk i ndan me qytetarët, por shpesh zgjedh që mesazhet t’i përçojë nëpërmjet mediave të huaja.

Raporti i Human Rights Watch shpërfaq qasjen e pushtetit karshi mediave dhe gazetarëve, që konsiderohen armiq që nuk ia duan të mirën vendit të vet.

Por, për dështimet e veta pushteti nuk mund t’i fajësojë gazetarët. Edhe njëherë: Vetëvendosja ka premtuar se nuk do të themelojë kurrfarë asociacioni në Kosovë. Nuk është faji i gazetarëve që Albin Kurti mund ta ndërrojë këtë qëndrim, sikurse plot të tjerë deri më tash.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS