Gashi i lumtur pas rikthimit
Shkëlzen Gashi është kthyer në fushën e lojës të shtunën në darkë me fanellën e Kolorado Rapids në MLS, pasi ka lënë pas krahëve dëmtimin që kishte pësuar në ndeshjen me kombëtaren kundër Maqedonisë. Futbollisti mungoi në sfidën e kampionatit amerikan të javës së kaluar ndaj Dallas, ndërsa dje e nisi ndeshjen kundër San Hose nga stoli i rezervave.
Ai u aktivizua në minutën e 63-të të sfidës, por nuk arriti të ndihmonte skuadrën e tij të gjente rrugën e rrjetës në këtë duel që u mbyll me rezultatin 0-0. Edhe pse nuk gjeti rrugën e rrjetës, Gashi ishte gjithsesi i kënaqur me faktin që u kthye në dispozicion të trajnerit Mastroeni dhe do të jetë i gatshëm për sfidat e ardhshme të ekipit të tij, i cili po lufton për të siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të MLS-së.
“I lumtur që u ktheva përsëri në fushë pas dëmtimit tim”, ishin fjalët e futbollistit në një postim në rrjetet sociale, duke u treguar mbështetësve të tij se ka lënë pas çdo shqetësim dhe do të jetë në 100% në fazën përmbyllëse të këtij sezoni në MLS dhe me kombëtaren shqiptare./indeksonline/


