Fundamenti

GAP-i identifikon një mori shkeljesh në Viti

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Komuna e Vitisë, sipas raportit, rezulton me një shkallë të lartë të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e udhëtimeve, mëditjeve, darkave dhe drekave, telefonave dhe shpenzimeve të tjera të përafërta.

Instituti për Studime të Avancuara GAP, ka publikuar raportin për Komunën e Vitisë ku specifikohet mes tjerash se kjo komunë ka humbur para në vlerë prej 60.000 euro duke paguar një kompani të pretenduar zvicerane për rregullimin e lumit “Morava e Binçes”, kompani kjo që ka rezultuar të jetë fiktive.

“Prokuroria e Qarkut në Gjilan ka ngritur akuzë ndaj Kryetarit të Komunës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit në lidhje me ketë transaksion prej 60.000 eurove. Transaksioni është bërë duke i shpërfillur rregullat dhe procedurat ligjore, ngase komuna si institucion nuk ka bërë verifikimet e nevojshme për funksionin dhe kapacitetin e kompanisë të cilës ia ka dedikuar parat “thuhet në raportin e GAP-it.

Komuna e Vitisë, sipas raportit, rezulton me një shkallë të lartë të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e udhëtimeve, mëditjeve, darkave dhe drekave, telefonave dhe shpenzimeve të tjera të përafërta. “Për udhëtime brenda dhe jashtë vendit si dhe për mëditje gjatë udhëtimeve komuna e Vitisë gjatë vitit 2011 ka shpenzuar mbi 48.000 euro, pastaj për telefona fiks dhe mobil afro 31.000 euro, për dreka dhe darka zyrtare 29.882 euro, karburante për vetura 78.868 euro, për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare për një vit janë shpenzuar 23.636 euro” theksohet në raport.

Edhe pse zgjedhjet lokale të 2009 , Nexhmedin Arifi i fitoi si pjesë e PDK, menjëherë pas zgjedhjeve, si pasojë e përplasjeve brenda partiake, Arifi u përjashtua si sekretar dhe anëtar i kësaj dege. Kjo ka ndikuar edhe në nivelin qeverisës të komunës, ngase disa asamblistë të PDK-së në Kuvendin Komunal i favorizojnë politikat e degës së PDK dhe jo politikat e ekzekutivit komunal. Edhe ekzekutivi i udhëhequr nga Kryetari i Komunës Nexhmedin Arifi ka ndërmarr hapa për t’i përjashtuar nga pozitat kyçe personat që janë rreshtuar përkrah politikave të degës së PDK në Viti.

Më tej raporti numëron edhe problemet kryesore me të cilat aktualisht përballen Vitiasit. “Mungesa e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit në shumë zona, mos asfaltimi i rrugëve lokale, vjetërsimi dhe bllokimi i gypave të rrjetit të ujërave atmosferik, mos cilësia e duhur e ujit të pijes, mos zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik, dëmtimi dhe vjetërsimi i objekteve shkollore, mos rregullimi i shtretërve të lumenjve si dhe mungesa e pronës komunale, llogariten si problemet me të mëdha më të cilat përballën qytetarët kësaj komune”.

Mobi Casa

Komuna e Vitisë gjatë vitit 2011 është gjobitur 10.000 euro nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për shpërfilljen e rekomandimeve të saj në lidhje me procedurat e një tenderi.

Sipas raportit, autoritetet lokale në Viti do të duhej të ndërmerrnin masa shumë më serioze në pamundësimin e rasteve të konfliktit të interesit. Ka raste kur zyrtarët e lartë të Komunës përfaqësojnë apo janë të ndërlidhura me firma private me të cilat arrijnë të tërheqin tender për ofrimin e shërbimeve për nevojat e komunës.

Firma “Eleganca”, me pronar Gafurr Arifin, djalin e axhës së Nexhmedin Arifit, ka marr kontratë për ndërtimin e shkollës në Sllatinë të Epërme, në vlerë 104.386 euro. Po ashtu, pronarët e ndërmarrjeve “Diellza ipex” dhe “Ermali com”, me pronar Muhabi e Faruk Zuka, dhëndër, përkatësisht nip i Nexhmedin Arifit, marrin kontrata të rregullta.

Lloji i shërbimeve të ofruar nga këto ndërmarrje është i ndryshëm dhe përfshinë nga furnizimi me pije dhe artikuj ushqimor deri në furnizimin me stufa, ndonëse si veprimtari kryesore këto ndërmarrje kanë tregtinë me teknikë të bardhë. Besim Halimi, anëtar i kryesisë së degës së PDK-së dhe aktualisht shef i administratës dhe personelit, përmes ndërmarrjes së tij “Shpëtimi”, ka fituar kontratën furnizim me pije dhe artikuj ushqimor në vlerë prej 35.702 euro.

Në raport pasqyrohen gjerësisht edhe zhvillimet në sferën e arsimit, atë të shëndetësisë, investimeve kapitale, prokurimit publik, transparencës dhe theks i veçantë i është kushtuar premtimeve të dhëna nga kryetari i komunës gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009, dhe ecuria e deritanishme e realizimit të tyre./rajonipress/