UBT

Gabimet e Pretenit

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gabime të shumta kanë dalë në formularët e deklarimit të pasurisë, të cilat para pak ditësh edhe publikisht janë postuar në ueb faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Si për çudi, në të shumtën e rasteve AKK-ja ka ekzagjeruar pasurinë e disa zyrtarëve, për të cilën gjë ka pasur ankesa të ndryshme.

Liburn Aliu, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët lëvizjes Vetëvendosje, është njëri nga viktimat e gabimeve të AKK-së. Pavarësisht se Aliu është aktiv gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës, në formularin e AKK-së ai figuron se punon si këshilltar politik në Ministrinë e Administratës Publike, ministri kjo e cila drejtohet nga Mahir Yagcilar.

Por, nuk është ky gabimi i vetëm që Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë duke plotësuar formularët e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Agjencia ia ka shtuar deputetit Aliu si pasuri të tij edhe një banesë prej 75 metra katror.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” deputeti Aliu gabimet në formularët e deklarimit të pasurisë i konsideron si teknike.

Ai thotë se të hënën do të shkojë në AKK për të bërë ndryshimet. “Në realitet unë jam deputet e në formular më figuron se jam këshilltar. Po ashtu, në realitet unë jam duke e paguar një banesë prej 105 metra katror, ndërkaq në formular më figuron se unë jam duke paguar dy banesa. Unë po i konsideroj këto si gabime teknike”, tha ai.

Mobi Casa

Por, nuk është i vetmi Aliu të cilit i është “dyfishuar” pasuria nga AKK-ja. E befasuar me formularët ka mbetur edhe Mrika Tahiri, zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit(AKP).

Tahiri në formular ka deklaruar se ka në pronësi një veturë “Shkoda Octavia”, e prodhuar në vitin 2008 ku çmimi i saj është 12 mijë euro, por në formularët e publikuar në ueb sajt ka dalë se vlera e veturës është 120 mijë euro.

Në anën tjetër zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsionit “rritjen enorme” të pasurisë për zyrtarët e lartë të institucioneve nuk e shohin si problem të madh.

Shefi i Agjencisë, Hasan Preteni, thotë se rasti i Mrika Tahirit është evituar menjëherë, por në ueb faqe të sajtit vetura që nget Mrika Tahiri ende vazhdon të ketë vlerë prej 120 mijë euro.

Ndërkaq sa i përket Liburn Aliut, shefi i Agjencisë thotë se ai nuk ka raportuar ndonjë vërejtje në Agjenci.

“Kush vëren që AKK-ja ka gabuar në shifra mund të lajmërohet në AKK, pasi që të gjitha vërejtjet trajtohen gjatë ditës”, tha ai.